Ndërlidhjet

Sveçla publikon një video ku pretendon se shihet Radoiçiqi gjatë sulmit në veri


Provat e Kosovës për përfshirjen e Radoiçiqit në sulmin në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator, sipas ministrit Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video në rrjetet sociale të martën, në të cilën, sipas tij, shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.

“Ky në pamjet më poshtë është Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e listës së zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Sveçla në përshkrimin e videos në Facebook.

Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë, u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.

Radoiçiq - nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, Listës Serbe - kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si "Brezovica".

Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar.

Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar ta kontaktojë Listën Serbe dhe vetë Millan Radoiçiqin, por nuk mori asnjë përgjigje.

As presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka mbështetur këtë parti, e as Lista Serbë nuk kanë komentuar rreth akuzave të ministrit Sveçla, i cili tha dje gjatë një konference për media se Radoiçiq “është përgjegjës për sulmin në veri”.

Sveçla i përsëriti akuzat edhe të martën, duke thënë se “kryekrimineli Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit... Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

Ndërkaq, gjatë një interviste dhënë të martën për Euronews Albania, Sveçla tha se videoja e publikuar, ku ai pretendon se shihet Radoiçiqi është xhiruar me dron të Policisë. Ai tha se Radoiçiqi ishte në objektin e manastirit të Banjskës.

Ai tha se të dielën, mbi "30 terroristë morën pjesë në aksionin, që u udhëhoq nga Millan Radoiçiq".

Sveçla shtoi se numri i sulmuesve të dyshuar mund të jetë më i lartë se tre, por theksoi se autoritetet po verifikojnë të dhënat.

“Derisa nuk mbërrijmë te dëshmitë e sakta, nuk mund të themi numrin e saktë”, tha Sveçla.

Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas përleshjes së armatosur.

Gjatë bastisjeve në veri, Policia e Kosovës ka gjetur sasi të mëdha armatimi.

Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Policia e Kosovës ekspozon armët e konfiskuara pas sulmit në veri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG