Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, demokratja Nancy Pelosi, tha se Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, e ka gënjyer Kongresin.
Akuzat vijnë pas dëshmisë së prokurorit Barr përpara një paneli të Senatit në lidhje me raportin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Video nga arkivi: Barr thotë se nuk ka pasur bashkëpunim Trump-Rusi
Your browser doesn’t support HTML5
Barr u përball me pyetje të vështira për vendimin e tij për të shfajësuar presidentin Donald Trump nga pengimi i drejtësisë.
Por, ai refuzoi të dëshmojë të enjten para Komitetit të Drejtësisë, të udhëhequr nga demokratët.
Situata tani ngre mundësinë që Barr, zyrtari më i lartë ligjor i Amerikës, të mbahet përgjegjës për mospërfillje të Kongresit.
“Ai e ka gënjyer Kongresin. Dhe, nëse dikush tjetër do ta bënte këtë, do të konsiderohej krim”, tha Pelosi.
"Askush nuk është mbi ligjin", shtoi ajo.
Akuzat e Pelosit vijnë pasi Barr tha se ai nuk ka ditur se Mueller ka pasur ndonjë ankesë rreth përmbledhjes që i ka bërë ai raportit të tij.
Mueller tha se i ka shkruar letër prokurorit Barr, duke i thënë se përmbledhja e tij nuk ka “kontekst”.
SHIKONI EDHE: Mueller i shkruan prokurorit Barr: Nuk e publikove thelbin e hetimit timMueller tha se i ka kërkuar dy herë Barrit për të publikuar më shumë informacione rreth hetimeve të tij.
"Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara nuk ia tregoi të vërtetën Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ky është krim", tha Pelosi.
Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec, tha se “sulmi i pabazuar kundër prokurorit të përgjithshëm është i papërgjegjshëm”.
Barr e publikoi raportin e Muellerit më 18 prill, me disa pjesë të redaktuara, për të mbrojtur, siç u tha, informacionet e ndjeshme.
Disa demokratë bënë thirrje që Barr, i cili është emëruar nga Trump, të japë dorëheqje.
SHIKONI EDHE: Mbështetja për Trumpin bie për 3 përqind pas publikimit të raportit të MuelleritPelosi po ashtu tha se administrata Trump vazhdon t’i shpërfillë thirrjet e detyrueshme të Kongresit për gjyq dhe kujtoi se Kongresi ka nisur procedurë të votëbesimt kundër ish-presidentit Richard Nixon, pasi ky i fundit u ka rezistuar thirrjeve të ngjashme.
Trump tha në një intervistë për Fox News se nuk do ta lejojë ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të dëshmojë para komiteteve të Kongresit.
Kryetari i Komitetit për Drejtësi, Jerrod Nadler, lëshoi thirrje të detyrueshme për gjyq për McGahnin, për të dëshmuar për pengimin e mundshëm të drejtësisë nga ana e presidentit Trump.
Trump tha se McGahn ka folur tashmë me ekipin e Muellerit për 30 orë.
Në raportin e tij, Mueller, ish-drejtor i FBI-së, ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Trump ka bashkëpunuar me Rusinë, por ka zgjedhur të mos konkludojë nëse Trump e ka penguar drejtësinë.
Barr ka thënë se ai dhe Rod Rosenstein, zyrtari numër dy në Departamentin e Drejtësisë, kanë konstatuar pastaj se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta akuzuar Trumpin për pengim të drejtësisë.