Ndërlidhjet

Mueller i shkruan prokurorit Barr: Nuk e publikove thelbin e hetimit tim


Robert Mueller
Robert Mueller

Këshilltari i Posaçëm në SHBA, Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen e ruse në zgjedhjet amerikane, i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr në të cilën thotë se përmbledhja e raportit të tij që është bërë publike “nuk e përfshinë në mënyrë të plotë kontekstin, natyrën dhe thelbin” e konkluzioneve të hetimit.

Gazeta "Washington Post" thotë se e ka parë letrën të cilën Mueller i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr.

Ndërkaq agjencia Associated Press citon zëdhënësen e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec të ketë thënë se Mueller ka shprehur “frustrimin” ndaj prokurorit Barr për “mungesën e kontekstit” në përmledhjen e raportit.

"Tani ekziston konfuzion në publik rreth aspekteve kritike të rezultateve të hetimit tonë", citon letrën e Muellerit gazeta "Washington Post".

Njoftimet vijnë para se Prokurori Barr të paraqitet para Komitetit për Drejtësi të Senatit më 1 maj.

Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller, pas hetimeve 2 vjeçare, më 22 mars i dorëzoi raportin Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr.

Barr më pas e bëri publike një përmbledhje të raportit në të cilën tha se gjatë hetimeve nuk është gjetur ndonjë e dhënë se presidenti Trump apo fushata e tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet ruse.

Disa ditë më vonë, Barr publikoi raportin e redaktuar për të cilin tha se hetimet e Muellerit kanë gjetur të dhëna se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

“Pas gati dy vjetëve të hetimit, mijëra thirrjeve të detyrueshme për intervistim, dhe intervistimeve të dëshmitarëve, këshilltari special ka konfirmuar se Qeveria ruse ka sponsoruar përpjekjet për të ndëryrë ilegalisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, mirëpo nuk ka gjetur se fushata e Trumpit apo amerikanë tjerë kanë qenë pjesë e tyre”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit demokratë u ankuan se Barr qëllimisht minimizoi çdo zbulim që do të konsiderohej i dëmshëm për presidentin Trump.

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët ka lëshuar një thirrje për të marrë raportin e plotë të Muellerit, duke thënë se një version i redaktuar "lë shumicën e Kongresit në errësirë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG