Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, mori pjesë të martën në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian.
Qeveria e Serbisë njoftoi se Vulini ka marrë pjesë në inaugurim si i dërguar i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vulini fillimisht e vizitoi “këndin serb” në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin e Iranit në Teheran, njoftoi më herët qeveria serbe. “Këndi serb” u hap në vitin 2023 nga Tamara Vuçiq, bashkëshortja e presidentit të Serbisë.
Vulin është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për sanksionet amerikane kundër Vulinit?Prej vitit 2021, Serbia ka forcuar bashkëpunimin me Iranin, pavarësisht se Republika Islamike është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE), dhe Beogradi është i detyruar t’i bashkërendojë politikat e jashtme dhe të sigurisë me ato të bllokut si një vend që synon anëtarësimin.
Beogradi zyrtar mbështet gjithashtu edhe në përkrahjen e Teheranit në lidhje me çështjen e Kosovës, pavarësinë e së cilës Irani nuk e njeh.
Masud Pezeshkian u betua si president i ri i Iranit në Parlament të martën, pasi i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në fillim të këtij muaji.
Reformisti i moderuar Pezeshkian, ish-kirurg, e mposhti kundërshtarin e tij untranacionalist, Saeed Jalili, në balotazhin e 5 korrikut, duke i fituar gati 54 për qind të votave. Jalili i fitoi pak më shumë se 44 për qind të votave.
SHIKONI EDHE: Masud Pezeshkian betohet si president i ri i IranitZgjedhjet e parakohshme u thirrën pas vdekjes së presidentit të linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, nga rrëzimi i helikopterit në muajin maj.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë zyrtarë të lartë nga vende si Armenia, Taxhikistani, Azerbajxhani, Egjipti, Sudani, Iraku, Turqia, Arabia Saudite, Kuba dhe Brazili. I dërguari i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, mori pjesë gjithashtu.
Aleatët rajonalë të mbështetur nga Irani ishin gjithashtu në Teheran, si lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh dhe kreu i Xhihadit Islamik Palestinez, Ziyad al-Nakhalah. Të dy grupet janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Hezbollahu i Libanit dhe rebelët huthi të Jemenit dërguan gjithashtu përfaqësues.