Masud Pezeshkian u betua si president i ri i Iranit në Parlament të martën, pasi i fitoi zgjedhjet e parakohshme presidenciale në fillim të këtij muaji. Ai e gjen një ekonomi të dobësuar nga keqmenaxhimi dhe sanksionet dhe një shoqëri e cila ka dëshmuar se do të dalë në rrugë për t’i kërkuar liritë e veta themelore.
“Unë, si president, përballë kuranit të shenjtë dhe popullit të Iranit, betohem në Zotin e madhërishëm, se do të jem gardian i fesë zyrtare dhe sistemit të Republikës Islamike dhe i Kushtetutës së vendit”, Pezeshkian tha gjatë ceremonisë së betimit, që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.
Më 28 korrik, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e mbështeti formalisht Pezeshkianin dhe e udhëzoi të përqendrohet në kultivimin e marrëdhënieve me fqinjët e Iranit, në vend se me vendet e Perëndimit, pasi presidenti i ri u shpreh i hapur për të biseduar me Perëndimin.
Reformisti i moderuar Pezeshkian, ish-kirurg, e mposhti kundërshtarin e tij untranacionalist, Saeed Jalili, në balotazhin e 5 korrikut, duke i fituar gati 54 për qind të votave. Jalili i fitoi pak më shumë se 44 për qind të votave.
Zgjedhjet e parakohshme u thirrën pas vdekjes së presidentit të linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, nga rrëzimi i helikopterit në muajin maj. Rundi i parë i votimit më 28 qershor pati pjesëmarrje votuesish prej 39 për qind – dalja më e ulët në zgjedhjet presidenciale në historinë e Republikës Islamike.
Teokracia e Iranit, e instaluar pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, ka pohuar vazhdimisht se ligjshmëria e saj buron nga mbështetja e fortë popullore që përkthehet në pjesëmarrje të lartë të votuesve, por pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e fundit dhe protestat vdekjeprurëse kundër pushtetit kanë sfiduar legjitimitetin e lidershipit të tanishëm.
Në balotazhin e 5 korrikut u rrit pjesëmarrja në rreth 49 për qind.
Ceremonia e inaugurimit u ndoq nga zyrtarë të lartë nga vende si Armenia, Taxhikistani, Azerbajxhani, Egjipti, Sudani, Iraku, Turqia, Arabia Saudite, Kuba dhe Brazili. I dërguari i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, mori pjesë gjithashtu.
Aleatët rajonalë të mbështetur nga Irani ishin gjithashtu në Teheran, si lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh dhe kreu i Xhihadit Islamik Palestinez, Ziyad al-Nakhalah. Të dy grupet janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Hezbollahu i Libanit dhe rebelët huthi të Jemenit dërguan gjithashtu përfaqësues.
Haniyeh dhe Nakhalah, grupet e të cilëve kanë luftuar kundër Izraelit në Rripin e Gazës prej se Hamasi kreu sulm në Izrael më 7 tetor, u takuan me Khamenein dhe Pezeshkianin. Prej se u zgjodh, Pezeshkian ka riafirmuar mbështetjen për "boshtin e rezistencës", rrjetin e grupeve militante dhe përfaqësuesve të Iranit, kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Khamenei, në dekretin e tij të miratimit, e përshkroi Pezeshkian si një individ "të mençur, të ndershëm, popullor dhe dijetar".
Shtetet e Bashkuara janë në dijeni për rezultatin e zgjedhjeve, por kanë thënë se zgjedhjet në Iran nuk janë as të lira dhe as të drejta.
"Si rezultat, një numër i konsiderueshëm iranianësh zgjodhën të mos merrnin pjesë fare," tha për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit më 7 korrik.
"Zgjedhjet nuk do të kenë një ndikim të rëndësishëm as në qasjen [e Uashingtonit] ndaj Iranit. Shqetësimet tona për sjelljen e Iranit janë të pandryshuara. Në të njëjtën kohë, ne mbetemi të përkushtuar ndaj diplomacisë kur ajo avancon interesat amerikane," tha zëdhënësi.
Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 u tërhoqën nga një marrëveshje bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore, që lehtësoi sanksionet ekonomike ndërkombëtare në këmbim të kufizimeve për programin bërthamor të Teheranit.
Si arsye, Uashingtoni përmendi shkeljen e frymës së paktit nga Teherani dhe mbështetjen për ekstremistët në rajon - akuza që Irani i ka mohuar - dhe rivendosi sanksionet kundër ekonomisë së Iranit dhe sektorit të naftës.
Prej atëherë, Irani e ka zgjeruar programin e vet bërthamor.
"Ne u bëjmë thirrje vendeve perëndimore ta kuptojnë [nevojën] për ndërtimin e marrëdhënieve të bazuara në respektin dhe barazinë reciproke. Ne jemi të gatshëm të negociojmë një zbutje të tensioneve me shtetet që nuk e kanë kuptuar deri më tani vendin që zë Irani [në botë]”, tha Pezeshkian.
Ai gjithashtu u zotua të vazhdojë të luftojë kundër sanksioneve të vendosura ndaj Iranit.
“Unë mendoj se kjo është e drejta e patjetërsueshme e Iranit për të pasur marrëdhënie normale me botën dhe nuk do të përkulem në luftën kundër sanksioneve të ashpra”, tha ai.