Vritet një grua izraelite në një sulm në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite pranë vendit ku u vra një grua në Hebron, 21 gusht 2023.

Një grua izraelite u vra dhe një burrë tjetër u plagos në një sulm të raportuar më 21 gusht në qytetin e pushtuar Hebron në Bregun Perëndimor, thanë mjekët dhe ushtria.

Incidenti vjen dy ditë pasi një baba dhe bir izraelit u vranë në një autolarje në qytetin Huwara, gjithashtu në Bregun Perëndimor, në një kohë kur janë shtuar incidentet e dhunshme në këto zona.

Shërbimi i urgjencës Magen David Adom tha në një deklaratë se një grua u “konfirmua e vdekur” pasi u godit me armë zjarri, ndërsa shtoi se burri që udhëtonte me të ishte në një “gjendje të rëndë”.

SHIKONI EDHE: OKB: Dhuna në Bregun Perëndimor mund të dalë jashtë kontrollit

Ushtria, duke konfirmuar vdekjen e gruas 40-vjeçare, tha se dy civilët u sulmuan me të shtëna që vinin nga një automjet.

“Sulmi me të shtëna u krye nga një automjet që kalonte në rrugën ngjitur me qytetin e Hebronit drejt civilëve që po lëviznin në zonë”, tha në një deklaratë, duke shtuar se trupat po ndiqnin sulmuesit.

Ushtria dislokoi trupa në vendin e sulmit dhe bllokoi hyrjen në vendin e ngjarjes menjëherë pas incidentit, raportoi një korrespondent i AFP-së.

Dhuna në rritje

Në Bregun e pushtuar Perëndimor janë regjistruar disa incidente të dhunshme që nga fillimi i vitit të kaluar, si sulmet nga palestinezët ndaj caqeve izraelite, bastisjet e përsëritura të ushtrisë izraelite dhe dhunës nga kolonët hebrenj ndaj komuniteteve palestineze.

SHIKONI EDHE: Ushtria izraelite i vret dy palestinezë në Bregun Perëndimor

Të shtënat ndaj një babai dhe djalit në Huëara shkaktuan një aksion masiv në Bregun Perëndimor, përderisa forcat izraelite kërkonin sulmuesin e dyshuar.

Në Huëara, një qytet palestinez pranë Nablusit, janë kryer një numër sulmesh ndaj kolonëve hebrenj ose ushtrisë izraelite që nga fillimi i vitit të kaluar.

Kolonët janë përgjigjur gjithashtu me sulme hakmarrëse në qytet dhe në fshatrat përreth.

SHIKONI EDHE: Mijëra persona largohen nga kampi në Bregun Perëndimor

Grupi militant palestinez Hamas, i cili kontrollon Rripin e Gazës, tha se sulmi i së hënës pranë Hebronit ishte një “përgjigje e natyrshme” ndaj projekteve të vendbanimeve në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor.

Të paktën 218 palestinezë janë vrarë shkaku i dhunës së lidhur me konfliktin izraelito-palestinez deri më tani këtë vit.

Rreth 31 izraelitë, një ukrainas dhe një italian janë vrarë gjithashtu, sipas një raporti të AFP-së të përpiluar nga burime zyrtare nga të dyja palët.