Vrasja e Nasrallahut, “humbje e madhe” për Hezbollahun dhe Iranin

Hassan Nasrallah. Fotografi nga arkivi.

Vdekja e Hassan Nasrallahut është goditje e rëndë për Hezbollahun dhe mbështetësin e tij kryesor, Iranin.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike i cili e kontrollon shumicën e Libanit jugor, tha se Nasrallahu u vra gjatë bombardimeve izraelite në kryeqytet, Bejrut, më 27 shtator.

Gjatë 30 vjetëve në krye të Hezbollahut, Nasrallahu e shndërroi këtë milici shiite në një forcë të madhe politike në Liban, si dhe në një armik të fuqishëm të Izraelit fqinj.

SHIKONI EDHE: Hezbollahu konfirmon se lideri i tij, Nasrallah u vra nga sulmet izraelite

Hezbollahu – i cilësuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse Bashkimi Evropian e cilëson të tillë vetëm krahun e tij ushtarak – është gjithashtu anëtar kyç i të ashtuquajturit bosht i rezistencës i Iranit. Ky bosht është një rrjet i përfaqësuesve të Iranit dhe grupeve militante të mbështetura nga Teherani kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Vdekja e Nasrallahut është “humbje e madhe dhe turpëruese” për Iranin, tha Ali Fathollah-Hejad, drejtor i Qendrës për Lindjen e Mesme dhe Rendin Global me bazë në Berlin.

“Kjo është goditja më e rëndë për pozitën e Teheranit në rajon” që nga vrasja e komandantit të lartë iranian, Qassem Soleimani, nga një sulm ajror amerikan në Iran më 2020, tha Fathollah-Nejad për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.

Hassan Nasrallah (djathtas), i cili shihet këtu duke iu drejtuar një turme në Bejrut në korrik 1994, u zgjodh si udhëheqës i Hezbollahut në moshën 32-vjeçare.

Nasrallahu, Soleimani dhe lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, "përbënin bërthamën e ambicieve të gjera rajonale të Iranit", tha ai.

Një klerik karizmatik dhe orator i aftë, Nasrallahu u zgjodh shef i Hezbollahut në moshën 32-vjeçare. Me ndihmë të konsiderueshme financiare dhe politike nga Teherani, Nasrallahu e ndihmoi Hezbollahun të bëhej një entitet i fuqishëm politik dhe ushtarak në Liban dhe një lojtar kyç në rajon.

Vdekja e tij në moshën 64-vjeçare do të ketë "pasoja të rënda" për operacionet e boshtit të rezistencës së Iranit, tha Hamidreza Azizi, nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.

"Tani për tani, kjo shkaktojë telashe të mëdha, mungesë koordinimi dhe paqartësi", i tha ai REL-in.

SHIKONI EDHE: Sulmet vdekjeprurëse izraelite në Liban shënojnë nisjen e një lufte të re

Rebelët Huthi të Jemenit, një tjetër anëtar i boshtit, mund ta marrin rolin e Hezbollahut nëse Irani vendos ta krijojë një hierarki të re në rrjet, thotë Azizi.

Këta rebelë janë treguar “më të zotë” për ta sfiduar Izraelin prej se shpërtheu lufta e Gazës sesa anëtarët e tjerë të boshtit të rezistencës dhe gjithashtu kanë pësuan më pak goditje, tha Azizi.

"Por, nuk ka asnjë garanci se ata do të mbeten të tillë, duke pasur parasysh vendosmërinë e Izraelit për t’i ndjekur [anëtarët e boshtit] një nga një", shtoi ai.

Për Hezbollahun, vdekja e Nasrallahut mund të jetë katastrofike, thonë ekspertët.

"Do të jetë shumë e vështirë për ta zëvendësuar Nasrallahun", tha Norman Roule, një veteran i CIA-s që punonte në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

"Secilit pasardhës të tij do t'i mungojë statusi i tij politik në Liban dhe marrëdhënia personale me liderin suprem të Iranit", tha Roule për Radion Farda.

Qassem Soleimani (majtas), Nasrallah (në mes) dhe Khamenei formuan atë që ekspertët thanë se ishte "bërthamë" e strategjive rajonale të Iranit.

Hezbollahu ka pësuar dështime të mëdha në muajt e fundit. Izraeli i ka vrarë anëtarët kryesorë të udhëheqjes së tij, ka shkatërruar një pjesë të madhe të arsenalit të tij ushtarak dhe ka ndërprerë komunikimet e tij.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë zhdukur një brez të tërë të udhëheqësve të Hezbollahut, të cilët marrin me vete një përvojë të madhe kolektive që është e pazëvendësueshme”, tha Roule.

Baza e mbështetjes së Hezbollahut nuk shtrihet përtej komunitetit shiit të Libanit dhe jo të gjithë në komunitet e mbështesin grupin.

Heiko Wimmen, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave me bazë në Bruksel, tha se Hezbollahu është shumë "i institucionalizuar për t'u shkatërruar".

Por, shtoi ai se ky grup mund të “dorëzohet në fund” nëse vazhdon të marrë kaq shumë "goditje të mëdha".

Përgatiti: Ekrem Idrizi