Komuniteti ndërkombëtar tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
SHIKONI EDHE: Faktet rreth referendumit të SerbisëReferendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.
Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësuan si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit.
“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.
SHIKONI EDHE: Borrell insiston në grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin serbInstitucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë dalë me deklaratë të përbashkët, pas takimit me zyrtarët e vendeve të Kuintit dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.
SHIKONI EDHE: Institucionet e Kosovës deklarohen njëzëri kundër votimit në referendumin e SerbisëAto u kanë bërë thirrje vendeve të Kuintit që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.
Gjatë së premtes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të shtunën, 15 janar, në orën 14:00.
SHIKONI EDHE: Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme më 15 janarPas deklaratës së komunitetit ndërkombëtar, reagoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Ai tha se Kosova nuk ia mohon të drejtën e votimit asnjë qytetari serb, por kjo e drejtë, sipas tij, nuk mund të “manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin”.
"Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe", tha Ahmeti përmes një postimi në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë më 13 janar se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.
Ai ka thënë se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton, "e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës".
"Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni", ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se "pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës, është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës.
Vuçiq paralajmëron "pasoja të mëdha"
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha më 12 janar se ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të Qunt-it, Brukselit dhe nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak që të mundësohet mbajtja e referendumit serb në Kosovë.
Kjo zyrë tha se këtë kërkesë e dërgoi te diplomatët pasi "Prishtina nuk dha dritën jeshile për referendumin në Kosovë".
Sipas njoftimit, Zyra për Kosovën i ka dërguar kërkesë për mbajtjen e referendumit edhe misionit të OSBE-së në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë.
Vuçiq do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Beograd më 14 janar dhe një nga temat do të jetë ajo për referendumin.
Profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të mos lejojë organizimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.
Sipas tij, “referendumi kushtetues çdo herë është manifestim i sovranitetit shtetëror dhe nacional të një vendi”.
Ai ka argumentuar se bëhet fjalë për dy sovranitete konkurrente dhe, sipas tij, “Serbia nuk ka të drejtë dhe nuk mund të ushtrojë sovranitetin ose kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës”.
Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, votat nga Kosova janë dërguar në qytete të cilat janë dhjetëra kilometra larg.
Për çka po mbahet referendumi?
Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.
SHIKONI EDHE: A do të mund të votohet nga Kosova në referendumin e Serbisë?Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Referendumi i fundit në Serbi për konfirmimin e Kushtetutës së re është mbajtur në vitin 2006.
Referendumi ka zgjatur dy ditë dhe kanë votuar pothuajse 55 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Preambula e Kushtetutës aktuale të Serbisë, e cila thotë se “Krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”, nuk do të jetë temë e referendumit që do të mbahet më 16 janar.