Ndërlidhjet

Institucionet e Kosovës deklarohen njëzëri kundër votimit në referendumin e Serbisë


Qeveria e Kosovës - Fotografi nga arkivi.
Qeveria e Kosovës - Fotografi nga arkivi.

Institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kanë dalë me deklaratë të përbashkët, pas takimit me zyrtarët e vendeve të Kuintit dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Ato u kanë bërë thirrje vendeve të Kuintit që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Të premten, 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

Mirëpo institucionet e Kosovës kanë thënë se vendimi i tyre nuk lidhet me rolin e OSBE-së, por rolin e Serbisë dhe strukturave të saj paralele në Kosovë.

“Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t`i hapë vendvotimet edhe në Kosovë, është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”, është thënë në deklaratë.

Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në deklaratën e 14 janarit, institucionet e Kosovës, kanë thënë se këto praktika – të aplikuar nga vitit 2012 – kanë qenë kundërkushtetuese dhe kanë rezultuar me fuqizimin e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër”.

Ato u kanë bërë thirrje vendeve të Kuintit që “ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të shtunën, 15 janar, në orën 14:00.

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të ketë “pasoja të mëdha dhe më të gjera se sa pritej” nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë.

Vuçiq do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Beograd më 14 janar dhe një nga temat do të jetë ajo për referendumin.

Profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ka të drejtë që të mos lejojë organizimin e referendumit të Serbisë në Kosovë.

Sipas tij, “referendumi kushtetues çdo herë është manifestim i sovranitetit shtetëror dhe nacional të një vendi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG