Zelensky javën e ardhshme në Tiranë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti ukrainas, Volodmyr Zelensky, gjatë një takimi në SHBA në shtator të vitit 2023.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Tiranën më 27 shkurt dhe bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama do të organizojnë samitin për Ukrainën, që mbahet një ditë më pas.

Kryeministri Edi Rama, që ishte i pranishëm në Qendrën për Hapje dhe Dialog ku u hap ekspozita me 50 fotografi e titulluar “Ukraina, një krim lufte”, foli për rëndësinë e vizitës së udhëheqësit ukrainas dhe të samitit, ku do të marrin pjesë liderë të Evropës Juglindore.

“Kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, vizitë e cila është nga njëra anë është një vizitë bilaterale. Por, nga ana tjetër është edhe një vizitë e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën, ku do të kemi të ftuar një numër të konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Evropës dhe ku presidenti Zelensky natyrisht është bashkë me ne si bashkëorganizatorë për këtë aktivitet që në kontekstin e sotëm ka, sipas meje, një rëndësi të posaçme”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë ekspozitës në Tiranë më 22 shkurt 2024.

Rama tha se Shqipëria qëndron përkrah me Ukrainën, shtet që për pothuajse dy vjet po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi presidenti rus, Vladimir Putin.

Rama tha se Shqipëria, së bashku me të gjithë aleancën e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja dhe të ndërtojnë së bashku një të ardhme ku çdo vend dhe çdo popull dhe çdo individ ka të drejtën e lirisë, edhe Ukraina ka të drejtën të jetojë si shtet i barabartë.

Kryeministri nuk dha datë, por Radio Evropa e Lirë mëson se presidenti i Ukrainës do të mbërrijë në Tiranë pasditen e 27 shkurtit, ndërsa samiti do të mbahet një ditë më pas më 28 shkurt. Ende nuk ka detaje se cilët liderë të Evropës Juglindore do të jenë pjesë e këtij samiti, ndërsa gjatë vizitës në Ankara të Turqisë ditë më parë, Rama tha se presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan do t’i drejtohet samitit përmes një video-mesazhi.

“Në samit edhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që presidenti ka pranuar t’i adresohet samitit përmes një lidhjeje direkte nga zyra e tij, duke qenë se e ka të pamundur të jetë fizikisht”, u shpreh Rama gjatë vizitës në Turqi.

SHIKONI EDHE: Rama: Zelensky do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën në Tiranë

Mbajtjen e këtij samiti, Rama e njoftoi më 22 janar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Shkup, pasi mori pjesë në një konferencë për planin e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, ekspozita që u hap në ambientet e Kryeministrisë shqiptare me 50 fotografi të titulluar “Ukraina, një krim lufte”, sjell dëshmi të agresionit rus mbi popullin ukrainas. Fotografitë janë pjesë e librit me të njëjtin titull të një grupi të fotoreporterëve nga e gjithë bota.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe përgjatë dy vjetëve luftë ka ofruar ndihmë për Kievin.