Vizita e Putinit në Mongoli vë në pah limitet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Presidenti rus, Vladimir Putin, së bashku me presidentin e Mongolisë, Ukhnaagiin Khurelsukh . 3 shtator 2024.

Zyrtarët e Mongolisë ia shtruan tepihun e kuq presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij më 2 shtator. Teksa vizitoi këtë shtet të Azisë lindore, që gjendet në kufi me Rusinë në veri dhe Kinën në jug, lindje dhe Perëndim, Putin raportohet se në kryeqytetin e Mongolisë, Ulan Bator, ka nënshkruar marrëveshje për furnizim me karburante për avionët dhe prezantoi propozime për përmirësimin e lidhjeve hekurudhore mes dy shteteve.

Por, vizita e Putinit u bë kryelajm për një arsye tjetër: Kjo ishte vizita e parë e presidentit rus në një shtet anëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), që kur kjo gjykatë lëshoi fletarrestim për të në mars të vitit 2023.

SHIKONI EDHE: Putin viziton Mongolinë pavarësisht thirrjeve për arrestimin e tij

Fletarrestimi lidhet me riatdhesimin e paligjshëm dhe zhvendosjen e fëmijëve nga zonat në Ukrainë që u morën nën kontroll nga Rusia, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Shtetet anëtare të GJNP-së, sipas traktatit, janë të detyruara të arrestojnë të dyshuar nëse ka fletarrestim ndaj tyre, por Putin u largua nga Mongolia pa problem më 3 shtator.

Çfarë është GJNP-ja dhe pse është e rëndësishme?

Statuti i Romës – që është nënshkruar më 1998 dhe hyri në fuqi më 2002 – themeloi Gjykatën Ndërk0ombëtare Penale. Kjo gjykatë e përhershme ndërkombëtare është përgjegjëse për ndjekjen e individëve për gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të agresionit. Aktivistët dhe institucionet e drejtësisë globale e panë themelimin e saj si arritje të madhe, pasi gjykata krijoi mekanizëm ligjorë për të mbajtur përgjegjës individët për krimet që i kapërcejnë kufijtë kombëtarë.

SHIKONI EDHE: Persekutimi i liderëve rusë - i vështirë, por i mundur

GJNP-ja shihet si gjykata që jep zgjidhjen e fundit. Kjo nënkupton se, sipas “parimit të komplementaritetit”, GJNP-ja mund të ushtrojë juridiksionin e saj vetëm nëse një gjykatë e ndonjë shteti ose nuk ka vullnet, ose nuk mund të ndjekë krimet e rënda.

Që nga viti 2002, GJNP-ja ka ngritur akuza ndaj më shumë se 50 individëve, shumica nga shtetet afrikane. Njëzetenjë persona janë në paraburgim në Hagë, ku ka selinë gjykata; dhjetë janë të dënuar dhe katër janë liruar nga akuzat.

Kush janë anëtarët e GJNP-së?

Ka mungesa të dukshme në mesin e 124 nënshkruesve të gjykatës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Indinë dhe Izraelin. Këto shtete kanë përmendur shqetësime të ndryshme lidhur me gjykatën, përfshirë sovranitetin kombëtar, politizimin dhe shënjestrimin e ushtrive të tyre.

Më 2016, tërhoqi nënshkrimin nga Statuti i Romës, pasi gjykata e cilësoi aneksimin e Krimesë nga Moska si pushtim.

Pse autoritetet në Mongoli nuk e arrestuan Putinin?

Mongolia u bë anëtare e GJNP-së më 2003 dhe më 2023, gjyqtari mongoles, Erdenebalsuren Damdin, iu bashkua panelit të gjyqtarëve të GJNP-së.

Përmes një deklarate më 30 gusht, zëdhënësi i GJNP-së, Fadi El Abdallah, theksoi se Mongolia si “shtet, që është palë në Statutin e Romës të GJNP-së”, duhet të bashkëpunojë me gjykatën, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për fletarrestimet.

Nga thirrjeve, përfshirë nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe GJNP-ja që ose t’ia ndalojë hyrjen, ose ta arrestojë Putinin, një zëdhënës i Qeverisë së Mongolisë, i tha Politicos se shteti varet nga energjia ruse, prandaj Mongolia nuk ishte e gatshme ta arrestonte presidentin rus.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse nuk u arrestua Putini në Mongoli?

“Mongolia importon 95 për qind të produkteve të saj të naftës dhe më shumë se 20 për qind të rrymës nga shtetet fqinje... Ky furnizim është kritik për të siguruar ekzistencën tonë dhe të popullit tonë”, tha zëdhënësi.

GJNP-ja nuk ka mekanizëm për zbatimin e vendimeve të saj.

Me çfarë pasojash mund të përballet Mongolia?

Disa organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar Mongolinë për pasoja nëse dështon ta arrestojë Putinin. “Nëse Mongolia i ofron strehë të sigurt përkohësisht presidentit Putin”, tha Altantuya Batdorj, udhëheqëse për Mongolinë në Amnesty International. “Automatikisht do të bëhej bashkëpunëtore në sigurimin e mosndëshkimit për disa nga krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar”.

SHIKONI EDHE:

HRW i bën thirrje Mongolisë ta arrestojë ose t’ia mohojë hyrjen PutinitPolitikani opozitar rus, Kara-Murza thotë se Mongolia duhet ta arrestojë Putinin

Për Marian Elena Vignoli, konsulente për drejtësi ndërkombëtare në Human Rights Watch, “mikpritja e Putinit, një të arratisuri të GJNP-së, nuk do të ishte vetëm fyerje për viktimat e shumta të krimeve të forcave ruse, por po ashtu do ta minonte parimin themelor se askush, pa marrë parasysh sa i fuqishëm qoftë, nuk është mbi ligjin”.

“Në rast të mosbashkëpunimit, gjykatësit e GJNP-së mund të arrijnë në një konkuzion dhe për të ta informojë Asamblenë e Shteteve Anëtare [trup qeverisës]”, tha El Abdallah, para vizitës së Putinit. “Në një rast të tillë, i takon Asamblesë që të marrë çdo masë që e sheh të përshtatshme”.

Nuk është e qartë se si Mongolia mund të sanksionohet për mosarrestimin e presidentit rus.

Një mundësi është që të largohet gjykatësi i Mongolisë nga GJNP-ja dhe shteti të largohet nga lista e nënshkruesve dhe ratifikuesve të Statutit të Romës.

Çfarë po shpreson Rusia të përfitojë nga vizita e Putinit?

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, “të gjitha aspektet e vizitës së presidentit janë përgatitur me kujdes”. Bloombergu raportoi para vizitës së Putinit se Rusia kishte pranuar garanci se ai nuk do të arrestohej nga Mongolia.

Rusia e ka përdorur këtë vizitë për “t’u tallur” me GJNP-në, tha Elena Davlikanova, hulumtuese në Qendrën për Analizimin e Politikave Evropiane, me seli në Uashington.

Për Rusinë, kjo vizitë nuk ofroi vetëm shpërqendrim të vëmendjes nga ofensiva që Ukraina ka nisur së fundi brenda territorit rus, në rajonin e Kurskut, por ishte edhe mënyrë “për të ndihmuar që të mbahet imazhi i Putinit si një lider i fuqishëm brenda dhe jashtë vendit”, shkroi Davlikanova.

SHIKONI EDHE: Ç'është Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe pse i ka brengosur zyrtarët izraelitë?

Ajo po ashtu tha se vizita e Putinit ndihmoi në minimin e GJNP-së dhe çdo mundësi për ndjekjen e të dyshuarve për krime lufte në të ardhmen. Ka një diskutim që po zhvillohet në mesin e disa shteteve dhe trupave ndërkombëtar për krijimin e një tribunali special për të ndjekur, të ashtuquajtura krime të agresionit të kryera nga forcat ruse kundër Ukrainës.

Megjithatë, Kenneth Roth, ish-drejtor i HRW-së, tha se vizita e Putinit në Mongoli ishte “një shenjë dobësie”. Në një postim në X, Roth tha se kjo është për shkak se Putini “arriti të realizonte një udhëtim vetëm në një shtet me popullsi të vogël prej 3.4 milionë banorësh që jeton nën hijen e Rusisë”.

A ka ndodhur diçka e tillë në të kaluarën?

Më 2023, Rusia s’mori pjesë në samitin BRICS në Afrikën e Jugut, pas presionit ndaj Qeverisë të presidentit jugafrikan, Cyril Ramaphosa, për arrestimin e Putinit, nëse do të shkonte në këtë shtet.

SHIKONI EDHE:

Lidhja “e çuditshme” mes Rusisë dhe Afrikës së JugutPutin nuk do të marrë pjesë në samitin Briks

Afrika e Jugut edhe më herët ishte kritikuar, pasi më 2015 kishte dështuar që ta arrestonte presidentin e atëhershëm sudanez, Omar al-Bashir, gjatë vizitës në këtë shtet. Ndaj al-Bashirit, GJNP-ja kishte lëshuar fletarrestim.

Mongolia ishte në mesin e 94 shteteve që nënshkruan një deklaratë të përbashkët në qershor për të shprehur “mbështetjen e palëkundur” për GJNP-në pas kritikave ndaj kryeprokurorit të gjykatës, Karim Khan. Kryeprokurori kishte kërkuar që të lëshoheshin fletarrestime për dy zyrtarë izraelitë, përfshirë ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu, dhe tre liderëve të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Përgatiti: Mimoza Sadiku