Ndërlidhjet

Politikani opozitar rus, Kara-Murza thotë se Mongolia duhet ta arrestojë Putinin


Presidenti rus, Vladimir Putin, mirëpritet me një ceremoni pas mbërritjes në një aeroport në Ulaanbaatar, Mongoli, 2 shtator 2024.
Presidenti rus, Vladimir Putin, mirëpritet me një ceremoni pas mbërritjes në një aeroport në Ulaanbaatar, Mongoli, 2 shtator 2024.

Aktivisti politik opozitar nga Rusia, Vladimir Kara-Muza, i cili u lirua nga një burg rus muajin e kaluar në këmbimin e madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit, thotë se autoritetet në Mongoli duhet “patjetër ta arrestojnë” presidentin Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në shtetin e Azisë lindore.

Putini kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), të cilës Mongolia iu bashkua më 2003, për dëbimin dhe dërgimin e jashtëligjshëm të fëmijëve nga pjesë të pushtuara të Ukrainës në Rusi.

Putini mbërriti në kryeqytetin e Mongolisë, Ulan Bator, mbrëmjen e 2 shtatorit, për vizitën e tij të planifikuar, e cila përfshin edhe pjesëmarrjen e tij më 3 shtator në një ceremoni për shënimin e fitoreve në betejat sovjetike dhe mongole në Luftën e Dytë Botërore.

“Sa i përket Gjykatës Ndërkombëtare Penale, sa i përket Statutit të Romës, sa i përket ligjit ndërkombëtar, Vladimir Putin duhet të arrestohet”, tha Kara-Murza për Current Time më 1 shtator.

“Nëse Mongolia e vlerëson veten shtet ku sundon ligji dhe i cili shpreson të behet pjesë e botës së qytetëruar, atëherë Mongolia duhet patjetër të veprojë” në përputhje me Statutin e Romës që e themeloi GJNP-në.

Ai shtoi se ai dhe politikanët dhe aktivistët e tjerë opozitarë rusë e nënshkruan një peticion online për t’i bërë thirrje autoriteteve mongole ta arrestojnë Putinin.

“Nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar, nuk është çështje e zgjedhjes apo vullnetit – është çështje e detyrimit ligjor”, tha Kara-Murza.

Më 2 shtator, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) i ka bërë thirrje Mongolisë t’ia mohojë hyrjen, ose ta arrestojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili e ka ndër mend ta vizitojë këtë vend më 3 shtator.

“Mongolia do t’i shpërfillë detyrimet e saj ndërkombëtare si një anëtare e GJNP-së, nëse e lejon vizitën [e Putinit] pa e arrestuar atë”, tha të hënën Maria Elena Vignoli, avokate e lartë ndërkombëtare në HRW.

Kremlini tha më 30 gusht se nuk “brengoset” për udhëtimin e Putinit, duke shtuar se Rusia ka “dialog të mrekullueshëm me miqtë tanë nga Mongolia”.

Putini ka ndër mend të marrë pjesë në ngjarje në Mongoli kushtuar 85-vjetorit të fitores së forcave të përbashkëta të armatosura sovjetike dhe mongole kundër trupave japoneze në Betejat e Khalkhin Gol.

Vizita e Putinit në Mongoli do të jetë e para nga ai në një vend i cili e ka nënshkruar dhe ratifikuar Statutin e Romës prej se GJNP-ja lëshoi urdhërarrest ndaj tij në mars 2023.

Në dhjetor 2023, gjykatësi nga Mongolia, Erdenebalsuren Damdin, u emërua gjykatës në GJNP.

Më 30 gusht, Ukraina i bëri thirrje Mongolisë ta arrestojë Putinin.

Rusia nuk e njeh juridiksionin e GJNP-së.

Sipas Statutit të Romës, secili prej 124 anëtarëve të GJNP-së duhet ta zbatojë fletarrestimin, nëse Putini e viziton territorin e tyre.

Megjithatë, GJNP-ja nuk ka mjete për ta siguruar zbatimin e traktatit dhe varet nga bashkëpunimi i vendeve anëtare për zbatimin e fletarrestimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG