Putin thotë se Rusia “do të intensifikojë” sulmet ndaj Ukrainës

Presidenti rus, Vladimir Putin. 28 dhjetor 2023.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 1 janar se Moska do të intensifikojë sulmet ndaj caqeve ushtarake në Ukrainë, pas një sulmi të paprecedent ukrainas të kryer gjatë fundjavës në qytetin rus të Belgorodit.

Sulmi i së shtunës në Belgorod la të vrarë 24 persona dhe 100 të tjerë u plagosën. Ky sulm erdhi pasi Moska kreu një sulm të shkallës së gjerë ndaj qyteteve ukrainase.

“Ne do të intensifikojmë sulme. Asnjë krim ndaj civilëve nuk do të kalojë pa u ndëshkuar, kjo është e sigurt”, tha Putin të hënën gjatë një vizite në një spital ushtarak.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të godasë ato që presidenti rus i quajti “instilacione ushtarake”.

SHIKONI EDHE: Rusia kryen bombardime të reja në Ukrainë

“Ne po e bëjmë këtë sot, do ta bëjmë nesër dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu”, tha Putin, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës pothuajse ka hyrë në vitin e dytë.

Këto deklarata të Putinit erdhën ditën kur Ukraina raportoi për një “numër rekord” të sulmeve ruse me dronë. Ukraina raportoi për 90 sulme me dronë gjatë natës.

SHIKONI EDHE: Ukraina raporton për një “numër rekord” të sulmeve me dronë nga Rusia

Lideri rus po ashtu tha se beson se “iniciativa strategjike” në konfliktin në Ukrainë është në anën e Rusisë.

“Kështu më kanë informuar”, tha ai.

Putin po ashtu pretendoi se Moska dëshiron t’i japë fund konfktit “sa më shpejt që të jetë e mundur”, por “vetëm sipas kritereve tona”, raportiu agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.

Ai përsëriti se Ukraina po përdoret nga Perëndimi “që të zgjidhë problemet” që Perëndimi ka me Rusinë.