Ndërlidhjet

Rusia kryen bombardime të reja në Ukrainë


Hotel Palace në Harkiv, Ukrainë, i dëmtuar nga sulmet ajrore ruse të dielën më 31 dhjetor 2023.
Hotel Palace në Harkiv, Ukrainë, i dëmtuar nga sulmet ajrore ruse të dielën më 31 dhjetor 2023.

Rusia e ka bombarduar ashpër qytetin verilindor të Ukrainës, Harkiv, gjatë natës mes 30 dhe 31 dhjetorit, duke i dëmtuar ndërtesat e banimit, një klinikë mjekësore, një hotel dhe infrastruktura të tjera civile, thanë zyrtarët ukrainas.

Kryetari i Harkivit shkroi në rrjetin social Telegram se sulmi i shkaktoi “16 viktima”, pa dhënë hollësi. Zyra e Prokurorit e Ukrainës tha se 26 njerëz u lënduan.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se në mesin e viktimave ishte edhe një gazetar nga Britania e Madhe, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.

Njëra nga raketat ruse e goditi hotelin me pesë yje në Harkiv, Palace Hotel.

Ushtria e Ukrainës raportoi se sulmi u krye me disa dronë iraninë dhe raketa të shkrepura nga rajoni perëndimor i Rusisë, Belgorod.

Ky sulm ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse pretenduan se një sulm ukrainas i vrau 20 civilë në qytetin Belgorod, rreth 25 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë. Rreth 111 njerëz u plagosën, sipas autoriteteve ruse.

Radio Evropa e Lirë nuk ka qenë në gjendje t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Rusisë.

Ukraina nuk ka reaguar ndaj këtyre raportimeve.

Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 30 dhjetor, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, e akuzoi Ukrainën se përdori “municione thërrmuese” gjatë sulmit në Belgorod dhe tha se ai ishte një sulm “i qëllimshëm kundër caqeve civile”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Thomas Phipps, tha në seancë: “Nëse Rusia dëshiron ta fajësojë dikë për vdekjen e rusëve në këtë luftë, duhet ta fillojë nga presidenti (Vladimir) Putin".

Incidenti në Belgorod ndodhi në një kohë kur Rusia kreu sulme të mëdha ajrore në Ukrainë, duke i vrarë rreth 40 njerëz dhe duke i plagosur mbi 160 të tjerë më 29 dhjetor.

Kievi e ka shpallur 1 janarin ditë zie, pasi 19 civilë u vranë vetëm në kryeqytetin ukrainas.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG