Osmani: Serbia të penalizohet për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pa kaluar 24 orë nga pajtimi për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi deklaroi se nuk do ta zbatojë atë.

Osmani, gjatë një prononcimi për media në Prishtimë më 22 mars, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta drejtojnë “presionin mbi Serbinë” që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja Bazë e arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe nga Aneksi, për të cilën palët u dakorduan në Ohër më 18 mars.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës – sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, tha Osmani.

“Por, përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka. Shpresoj shumë që do të ketë penalizim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë”, theksoi ajo.

SHIKONI EDHE:

Kurti: Nuk mund të barazohet fjala komunitet me AsociacionVuçiq: Nuk do ta zbatojmë pjesën e marrëveshjes lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB

Osmani tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkelur nenin 4 të marrëveshjes, që thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Vuçiq ka deklaruar se Serbia nuk do të respektojë pjesë të marrëveshjes sa i përket anëtarësimit eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe as nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, teksti i Marrëveshjes drejt normalizimit nuk ndryshohet dhe do të mbetet në fuqi, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.

Presidentja kosovare foli edhe për nenin 7 të marrëveshjes që kërkon sigurimin e një “niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb”. Sipas saj, ndërkombëtarët po e interpretojnë këtë nen si “zbatim i obligimeve që Kosova ka marrë më 2013”, përkatësisht për marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo për mua si presidente e Republikës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kam thënë nga viti 2015 e tutje. Bashkimi i komunave ose qytetarëve në asociacione është e drejtë që Kosova tashmë e njeh me Kushtetutën e saj”, tha Osmani, duke shtuar se ky nen mund të zbatohet vetëm përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015.

SHIKONI EDHE:

Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshmeKurti: Vuçiq refuzoi ofertën time për vetëmenaxhimin e serbëve Vetëmenaxhim a Asociacion

Më 2015, Kushtetuesja gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit – të arritur po atë vit në Bruksel – nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por tha se mund të harmonizohet.

“Në esencë unë mendoj se neni 7, kur të fillojë të zbatohet nënkupton një lloj dokumenti – nuk po ia vendosi tani emrin e saktë – i cili do të përcaktojë jo vetëm të drejta, por mbi të gjitha detyrime të cilat janë të përcaktuara me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Pra, gjithçka brenda Kushtetutës sonë, legjislacionit tonë, brenda praktikave më të mira evropiane”, tha Osmani.

SHIKONI EDHE: Teksti i propozimit evropian

Sipas saj, modeli më i mirë për themelimin e Asociacionit është pikërisht atë që ka udhëzuar vendimi i Kushtetueses më 2015.

Kosova dhe Serbia më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.