Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka refuzuar një ofertë të tij për “vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës, në një asociacion” që do ta hartonte dhe propozonte vetë Kurti.
Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi për këtë ofertë.
Në një postim në Twitter, Kurti e ka përmendur këtë refuzim të Vuçiqit, duke i rikujtuar edhe refuzimet tjera të presidentit serb për të nënshkruar Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt, si dhe aneksin për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, më 18 mars në Ohër.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë më 18 mars në Ohër se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Vuçiq ka thënë një ditë më vonë se Kurti në takimin në Ohër ka folur për “tri shtylla” mbi të cilat duhet të bazohet Asociacioni, por Serbia nuk mund ta pranojë këtë, sepse për Asociacionin është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit.
“Asociacioni është i rëndësishëm sepse serbët kanë një kornizë institucionale për veprim”, tha Vuçiq.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përmendur muajin e kaluar tri kushte të Kosovës për formim të Asociacionit.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”, ka thënë Bislimi para Parlamentit Evropian në Bruksel.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.