Kthimi në shkolla në veri vihet në pikëpyetje

Një shkollë në Zveçan, në veri të Kosovës.

Dy javë para nisjes së vitit të ri shkollor, prindërit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk e dinë nëse fëmijët e tyre do të ulen në bankat shkollore ose do të ndjekin mësimet online.

Ata e vlerësojnë situatën si “komplekse” dhe thanë për Radion Evropa e Lirë se ende janë në pritje të udhëzimeve nga autoritetet.

Institucionet arsimore në komunitetin serb në Kosovë punojnë sipas sistemit të Serbisë. Mësimi në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – u ndërpre në fund të majit, kur u rritën tensionet pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Institucionet përgjegjëse serbe për arsim nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me shqetësimet e prindërve për pasigurinë rreth fillimit të vitit të ri shkollor.

Cilat janë shqetësimet e prindërve?

Marina nga Leposaviqi ka një djalë që më 1 shtator duhet të fillojë klasën e parë. Ajo shpreh shqetësimin që në vend se djali i saj të shkojë në shkollë, ai do ta takojë mësuesen dhe shokët e tij përmes kompjuterit.

“Jam shumë e shqetësuar, nuk është aspak e qartë se si ai [djali i saj] do të mësojë materialet mësimore nga interneti. Vërtetë nuk e di se çfarë do të ndodhë”, thotë Marina për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Marija nga Leposaviqi shpreson që fëmijët të nisin vitin e ri shkollor në shkolla.

“Unë kam tre fëmijë që shkojnë në shkollë, shumica e mësimit të tyre ka qenë online ose nuk kanë shkuar fare në shkollë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, tha ajo.

Një shkollë e mesme dhe fillore në Leposaviq. Të dy këto objekte gjenden afër ndërtesës komunale.

Edhe Dragani nga Mitrovica e Veriut nuk e përkrah idenë që fëmijët të mos shkojnë në shkollë nga 1 shtatori, por thekson se është i shqetësuar për praninë e madhe të policisë dhe për pasigurinë, sa i përket situatës së sigurisë.

“Sa i përket këndvështrimit të prindërve, askujt nuk i intereson se kur fëmijët e tyre duhet të shkojnë në shkollë”, thotë ai.

Maja nga Zveçani thekson se fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, por vetëm nëse njësitë speciale të Policisë së Kosovës tërhiqen nga veriu.

“Kam një fëmijë që do të nisë vitin e parë në gjimnaz, imagjinojeni ta nisë online. Unë kam tre fëmijë që shkojnë në shkollë, nuk mund t’iu përkushtohem të gjithëve. Andaj mendoj se më së miri do të ishte që policia të tërhiqej dhe fëmijët të shkonin në shkollë”, thotë Maja për Radion Evropa e Lirë.

Pse është i pasigurt fillimi i vitit të ri shkollor?

Nisja e mësimit në shkollat në veri të Kosovës më 1 shtator është i pasigurt, pasi në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, institucionet arsimore janë të vendosura afër objekteve komunale, ku ndodhet edhe Policia e Kosovës. Përballë janë edhe pjesëtarët e KFOR-it – misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – të cilët kujdesen për sigurinë në veri që nga fundi i muajit maj.

SHIKONI EDHE:

"Të kthehen serbët në polici, pastaj zgjedhjet në veri"Kurti: Zvogëlim i prezencës policore vetëm rreth ndërtesave komunale në veri

Serbët në veri të Kosovës bojkotuan zgjedhjet lokale në prill, në të cilat u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë. Kryetarët e rinj nuk pranohen nga popullata lokale, të cilët prej fundit të majit po protestojnë para objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Tensionet u përshkallëzuan më 29 maj në Zveçan, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Në atë rast pati dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.

Një nga arsyet e protestave të përditshme është fakti se deri më tani në ato objekte kanë funksionuar komunat paralele serbe. Vetëm në Mitrovicë të Veriut ka një ndërtesë të posaçme komunale që funksionon në bazë të sistemit të Kosovës dhe për këtë arsye atje nuk ka pasur protesta.

SHIKONI EDHE: Komunat paralele serbe në veri punojnë nga lokacione alternative

Praktikat e mëhershme të ndërprerjes së mësimit

Përveç në muajin maj, mësimi në komunat në veri të Kosovës ishte ndërprerë edhe më 12 dhjetor të vitit 2022 për shkak të “situatës së përkeqësuar të sigurisë”.

Ndërprerja u bë pasi dy ditë më herët ishte arrestuar ish-polici serb i Kosovës, Dejan Pantiq.

Arrestimi i Pantiqit nxiti serbët të ngrinin barrikada në të cilat morën pjesë kryesisht punonjësit e institucioneve serbe, përfshirë edhe ata të arsimit. Nga barrikadat, profesorët mbajtën mësim online për gjimnazistët.

Komuna e Leposaviqit [në anën e majtë të fotografisë] dhe një shkollë e mesme që gjendet përballë saj. KOSOVO: School in Leposavic (Photo by Ivan Vuckovic)

Gjithashtu, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave në veri kanë marrë pjesë në protestat e fundit para komunave në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Ata, përmes performancave të ndryshme, kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve.

REL-i i është drejtuar Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për institucionet arsimore në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kjo ministri u pyet se nga çfarë varet fillimi i vitit të ri shkollor në veri dhe pse prindërit ende nuk janë informuar.

As nga Ministria serbe e Arsimit e as departamenti për edukim për Kosovën në këtë institucion, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të REL-it.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
Kontribuoi: Maja Fiçoviq