Viti i mbrapsht i (ç)njohjeve për Kosovën

Fotografi ilustruese.

Viti 2018 është një nga vitet kur Kosova nuk ka arritur të fuqizojë subjektivitetin ndërkombëtar përmes njohjeve të shumta dhe ashtu sikurse edhe në vitin 2017, Kosova ka arritur vetëm një njohje të shtetit të saj, thonë njohësit e zhvillimeve politike.

Për më tepër, sipas tyre, Kosova është ballafaquar me dilemën nëse disa nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, i kanë tërhequr ato njohje.

Zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë theksuar se gjatë viti 2018 kanë qenë 12 shtete që i kanë tërhequr njohjet e tyre për Kosovën, ndërkohë që zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke i cilësuar si propagandë agresive të Serbisë për ta dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që problemi më i madh është vetë fakti se është bërë çështje e diskutueshme se a ka marrë ndonjë vend i caktuar vendim politik për çnjohje ose jo të shtetit të Kosovës.

“Nuk jemi më as në kohën kur flasim për njohje të reja. Përderisa në vitin 2012 kemi pasur 12 njohje, shikoni si ka rënë trendi i njohjeve vit pas viti. Më 2018 dhe 2017, ne kemi nga një njohje të vendeve. Prandaj, në këtë kontekst, unë e shoh që tanimë jemi në fazë defensive, vetëm për të krijuar një lloj ambienti që të mos kemi së paku vendime politike për çnjohje nga vendet e caktuara. Çështja e njohjeve të reja nga vendet tjera më nuk as nuk po diskutohet”, theksoi Kryeziu.

Njohjet dhe çnjohjet

Çështja nëse vende të caktuara kanë tërhequr njohjet e tyre ndaj Kosovës është bërë temë diskutimesh, përveç në opinionin publik, edhe brenda institucioneve të Kosovës.

Më 19 dhjetor, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, duke iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka hedhur poshtë pohimet e autoriteteve serbe se 12 vende kanë tërhequr njohjet për Kosovën. Megjithatë, ai ka pranuar se një vend ka dërguar notën verbale, për tërheqje të njohjes.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Republika e Kosovës ka gjithsej 116 njohje të dëshmuara me 116 nota verbale, të cilat janë lëshuar nga shtetet respektive në emër të Republikës së Kosovës. Njohjet dhe notat verbale kanë ardhur te ne. Deri më sot, asnjë notë verbale, përveç Ishujve Solomon, nuk ka ardhur asnjë shkresë te ne, ku thuhet se ‘ne jemi duke tërhequr njohjen, jemi duke u tërhequr nga marrëdhëniet me Kosovën’ ose diçka tjetër”, tha Pacolli.

Megjithatë, ai ka theksuar se ekzistojnë disa nga vendet që shqyrtojnë ose kanë ngrirë qëndrimin edhe ndaj Kosovës, por edhe ndaj Serbisë.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ditë më parë ka thënë për një media të Serbisë se diplomacia serbe ka ndikuar në tërheqjen e njohjeve të vendeve të caktuara për Kosovën.

“Janë 12 vende që e kanë tërhequr pranimin e Kosovës. Sa i përket kësaj, ne e kemi situatën që ka një numër të vendeve, për të cilat nuk e dimë se a e kanë njohur ose jo Kosovën. Madje as ata vetë nuk e dinë”, theksoi Daçiq.

SHIKONI EDHE: Anulimi i njohjeve, diplomaci apo propagandë?

Ndryshe, Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kuptimin teorik të së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston fenomeni i çnjohjes apo tërheqjes së njohjes së një vendi ndaj vendit që e ka njohur më herët. Megjithatë, sipas tij, nga vendet që, sipas tij, kanë sisteme jostabile, akti i çnjohjes ose tërheqja e njohjes po paraqitet si fenomen. Ky fenomen, siç thotë ai, më shumë reflekton pozita ose rrethana politike, se sa që ka ndonjë efekt praktik në të drejtën ndërkombëtare.

Por, siç thekson profesor Hoti, vetë diskutimi lidhur me çnjohjen e Kosovës në disa nga vendet e botës, krijon efektin negativ në raport me Kosovën, sepse i mbajnë pezull vendimet e shteteve të caktuara të cilat mbase do ta njihnin Kosovën deri më tash.

SHIKONI EDHE: Lufta ndaj “çnjohjes”, kurth i Serbisë për Kosovën

“Efekti i këtyre veprimeve është i kufizuar, për faktin që vendimet dhe të përfolurat bëhen kryesisht për shtete të vogla, të cilat nuk kanë ndonjë rëndësi në të drejtën ndërkombëtare. Situata do të ishte krejtësisht tjetër, sikur ajo që po njihet tashmë si çnjohje, të ndërmerrej nga shtete të fuqishme - siç janë Britania e Madhe, Franca, Austria e kështu me radhë - e për të cilat, fatmirësisht nuk kemi pasur ndonjë rast”, tha Hoti.

Ndryshe, jo rrallë, njohësit e zhvillimeve politike, kanë theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, po e dëmton Kosovën në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për shkak se dialogu është keqpërdorur nga shteti serb dhe diplomacia e tij, duke thënë se dialogu po zhvillohet për definimin e statusit të Kosovës.

Serbia keqpërdori dialogun kundër Kosovës

Një gjë të tillë, e ka pohuar edhe ministri i Jashtëm, Pacolli, i cili ka theksuar se Serbia, para vendeve tjera, e ka shtrembëruar kuptimin dhe misionin që ka dialogu.

“Siç e shihni, dialogu dhe vet ky alarmi i shpërndarë nëpër botë për dialogun, sigurisht që ka ndikuar. Serbët janë duke e përdorur një mënyrë shumë taktike, duke e fuqizuar gjithmonë Rezolutën 1244 dhe duke thënë se ‘ja kjo është Rezoluta e Kombeve të Bashkuara’ dhe se ‘ne jemi duke dialoguar me Kosovës dhe çdo interferim këtu e dëmton dialogun, prandaj është mirë të tërhiqeni nga kjo’. Ky është narrativi që është krijuar nga serbët. Ne, nga ana jonë, kemi marrë çdo masë që t’u tregojmë se nuk është kështu”, theksoi Pacolli.

SHIKONI EDHE: Dialogu sfidoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Se dialogu është përdorë me narracion çorientues nga Serbia karshi vendeve potenciale për ta njohur Kosovën, vlerëson edhe analisti Kryeziu. Për më shumë, siç thotë ai, këtij çorientimi i ka kontribuar edhe mbështetja në Kosovë e idesë për definimin e kufirit me Serbinë e që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar si ‘korrigjim’ të kufirit.

“Absolutisht po. Në momentin që ata (serbët) kanë arritur që këtë skenar që ‘ngadalë, sepse ende nuk është definuar çështja e shtetësisë dhe ne jemi ata, të cilët e përcaktojmë apo e definojmë rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës’, është mjaftueshme që vendet e treta të hezitojnë që ta njohin Kosovën si subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Ato mund të thonë ‘këto dy shtete ende po diskutojnë për diçka që është territori’, ndërkohë që territori përbën njërin nga tri elementet bazë për njohjen e shtetësisë së një vendi”, theksoi Kryeziu.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, më herët kanë theksuar se ka kohë që ekzekutivi ka aktivizuar mekanizmat e saj diplomatikë për t’u përballur me agresivitetin diplomatik të Serbisë. Diplomacia agresive e Serbisë, sipas tyre, është manifestuar jo vetëm me përpjekjet për të ndaluar njohjet e reja dhe pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë, por Beogradi po vazhdon t’iu kërkojë vendeve të caktuara që të tërheqin njohjet e shtetit të Kosovës.