Vishegradi 4: Kur 2+2 nuk bëjnë katër

Robert Fico i Sllovakisë (majtas në të djathtë), Donald Tusk i Polonisë, Petr Fiala i Republikës Çeke dhe Viktor Orban i Hungarisë pozojnë për një foto përpara takimit të Grupit të Vishegradit më 27 shkurt.

Grupi i Vishegradit, që bashkon katër vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s: Çekinë, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë, mund të mos jetë ende i vdekur, por sigurisht se është në gjendje të rëndë dhe do të vazhdojë të jetë kështu për një kohë.

Ky është një konstatim i dukshëm që mund të nxirret nga samiti i katër kryeministrave të grupit, që u mbajt më 27 shkurt në Pragë.

Jo shumë kohë më parë, Vishegradi 4 - ose V4 siç quhet zakonisht - ishte lojtar i vërtetë kur bëhej fjalë për marrëveshje në korridoret e Brukselit.

I krijuar qysh në vitin 1991, ai përbën një nga aleancat më të vjetra politike joformale brenda BE-së dhe NATO-s.

Nisi si një platformë bashkëpunimi në fund të Luftës së Ftohtë, për të hequr qafe trashëgiminë sovjetike dhe për të promovuar hyrjen e këtyre vendeve në organizatat dhe institucionet politike perëndimore, dhe u shndërrua shpejt në një bllok serioz.

Katër liderët e samitit të Vishegradit më 27 shkurt 2024.

Veç e veç, katër shtetet mund të injoroheshin nga shtetet më me peshë, si Gjermania, por së bashku, duke përfaqësuar gati 65 milionë qytetarë, ato formësuan politikat evropiane në fusha të ndryshme, si: emigracioni, bujqësia dhe madje politika e jashtme.

Por sot, kur Evropa përballet me pushtimin rus të Ukrainës, grupi duket i shkapërderdhur, aq sa nuk do të ishte gabim të thuhej V2+V2.

Në njërën anë janë Çekia dhe Polonia, ndër mbështetëset më të mëdha të Kievit sa i përket përkrahjes politike dhe ushtarake, që lobojnë për dërgesa edhe më të shpejta armësh në vendin në luftë.

Shumë më larg, në anën tjetër, janë Hungaria dhe Sllovakia, që refuzojnë të dërgojnë armë drejt lindjes dhe duan “paqe” me çdo kusht. Për më tepër, e para zhvillon edhe një politikë për zbutjen e sanksioneve kundër Rusisë, duke vënë në pikëpyetje integrimin e Ukrainës në BE dhe duke bllokuar, për një kohë, edhe ndihmën e BE-së për Kievin.

SHIKONI EDHE: Me bllokada e lodhje, lufta në Ukrainë hyn në vitin e tretë

Këtë ndarje e tregoi edhe takimi dypalësh mes kryeministrit çek, Petr Fiala, dhe atij polak, Donald Tusk, përpara samitit të V4-shit, i cili zgjati më shumë se vetë samiti.

Sipas diplomatëve çekë, ai diskutim në mëngjes ishte “shumë i përzemërt” dhe me marrëveshje për pothuajse gjithçka.

Polonia, po ashtu, shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur një nismë të Pragës, për t’i blerë municionet e nevojshme për Ukrainën nga vendet e treta dhe për t’i dërguar ato sa më shpejt që është e mundur atje.

Konferenca për media e katër kryeministrave, pas samitit të V4-shit, ishte krejt tjetër: të gjithë kishin buzëqeshje të tensionuara dhe pranonin, pak a shumë, se kishin pikëpamje të ndryshme.

Fiala - vendi i të cilit mban presidencën njëvjeçare të V4-shit deri në fund të qershorit dhe pastaj e merr Polonia - u tregua i guximshëm, duke mbrojtur nevojën për t’u takuar personalisht dhe duke nxjerrë në pah dy pika për Ukrainën, me të cilat pajtoheshin të gjithë: se agresioni rus është kundër ligjit ndërkombëtar dhe se Ukraina ka nevojë për ndihmë.

Dallimet për këtë të fundit kanë të bëjnë me mënyrën se si.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, nxitoi për të vënë në dukje se Budapesti nuk është kundër ndihmës humanitare apo financiare për Ukrainën, dhe kujtoi se mjekët hungarezë po ndihmojnë në vijën e parë të frontit.

Më pas, narrativat u ndanë. Tusk këmbënguli se Perëndimi nuk duhet të bëjë kurrë kompromise për çështjet thelbësore, si pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, dhe Fiala tha se Rusia nuk duhet të shpërblehet për politikat e saj agresive.

Por, Orban dhe kryeministri sllovak, Robert Fico, folën për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm, duke thënë se konflikti nuk mund të zgjidhet me më shumë armë dhe se Kievi dhe Moska do të jenë në të njëjtin vend edhe pas dy vjetësh, por me dhjetëra mijëra të tjerë vdekur.

SHIKONI EDHE: Hungaria bllokon deklaratën e BE-së për luftën në Ukrainë


Pra, qartazi, nuk ka ende marrëveshje se si 2+2 mund të bëjnë sërish katër për Ukrainën, edhe pse e bënë të qartë se kanë edhe një pikë për të cilën pajtohen: se askush prej tyre nuk është i gatshëm të dërgojë ushtarë në Ukrainë.

Kjo, me gjasë, ishte përgjigje për presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili, pas një samiti për Ukrainën që u mbajt më 26 shkurt në Paris, tha se vendet perëndimore, në të ardhmen, nuk mund ta përjashtojnë dërgimin e ushtarëve për ta mbështetur Ukrainën në luftë.

Fiala theksoi, po ashtu, se katërshja pajtohet për energjinë, veçanërisht për nevojën për më shumë energji bërthamore, se ka qëndrim të përbashkët kundër “migracionit ilegal” dhe se nuk do ndryshime gjithëpërfshirëse brenda BE-së, drejt një bashkimi më “federal”, me më pak veto kombëtare.

Dhe, pastaj, sigurisht që ishte bujqësia. Të gjithë ranë dakord se Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, e cila duhet të hapë rrugë për zero emetime të gazrave serrë deri në vitin 2050, nuk duhet të zbatohet në kurriz të konkurrencës së fermerëve të BE-së.

Në kohën kur fermerët në të gjithë Evropën po protestojnë, kryesisht për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, kjo është diçka që ia vlen të merret parasysh.

Revoltimi i fermerëve evropianë


Këtu, Tusk gjendet në një pozitë jo të mirë. Ndërsa dëshiron ta mbështesë Ukrainën sa më shumë që të jetë e mundur, ai gjithashtu duhet t’u kushtojë vëmendje mbi një milion fermerëve të vendit të tij - një grup super-ndikues që tani po bllokon kufirin ukrainas dhe hyrjen e produkteve bujqësore të Ukrainës.

Këtu mund të dallohej edhe një nënqeshje në fytyrat e Ficos dhe Orbanit.

Ata mund të mos e pranojnë aq shumë tani, por V4-shi, nëse mbijeton, mund të pajtohet se interesi i ngushtë kombëtar i secilit prej tyre, në fund, e tejkalon çdo solidaritet me Ukrainën.

Përgatiti: Valona Tela