Dy të vdekur nga sulmet e reja ruse në Ukrainë, përfshirë një 10-vjeçar

Shkatërrimi që ka lënë mbrapa një sulm në Hroza të Harkivit më 5 tetor.

Rusia ka nisur të premten sulme të reja në Harkiv, duke lënë të vdekur të paktën dy njerëz, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar, kanë thënë autoritetet ukrianase në rajonin e Harkivit.

Një ditë më parë, në këtë rajon janë vrarë dhjetëra persona, si pasojë e sulmeve ruse.

Sulmet në Hroza afër Harkivit përbëjnë një prej sulmeve më vdekjeprurëse ndaj civilëve.

SHIKONI EDHE: Së paku 49 të vrarë nga një sulm rus ndaj civilëve në Harkiv

Dhjetëvjeçari dhe gjyshja e tij 68-vjeçare janë vrarë derisa 28 persona tjerë janë plaogusur, ka thënë kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov.

Në mesin e të plagosurve është edhe vëllai 11-muajsh i djaloshit të vrarë.

Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, ka thënë se sipas gjetjeve të fundit, dy raketa Iskander i kanë goditur Kievin dhe rajonin Osnovyan të Harkivit, qytet me 1.4 milion banorë.

Pretendimet e tij nuk janë veritifikuar në mënyrë të pavarur.

Komisionarja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Elizabeth Throssell, ka thënë se e ka dërguar një ekip për ta hetuar sulmin në Hroza.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se sulmi ka qenë “terrorist”, derisa Shtëpia e Bardhë e ka quajtur sulmin “të tmerrshëm për njerëzit e Ukrainës”.

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar që sulmet të ndalen menjëherë.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.