Jelena Milkoviq nga Graçanica, që gjendet afër Prishtinës, sot është 34-vjeçare dhe siç thotë, mezi ka arritur “që të shpëtojë e gjallë”. Ajo ka tre djem dhe më i madhi është 15 vjeç. Teksa i mbushen sytë me lot, ajo thotë se edhe fëmijët kanë përjetuar dhunë fizike nga tashmë ish-bashkëshorti i saj. Në fund të vitit 2017 ajo nisi një proces gjyqësor dhe në gusht të vitit 2020 arriti të shkurorëzohej dhe përmes gjykatave të merrte kujdestarinë e fëmijëve.
“Një herë, ma përplasi kokën për dritare dhe fëmijët e panë atë skenë”, thotë Jelena Milkoviq, e cila vendosi të rrëfente për Radion Evropa e Lirë detajet e dhunës që ka përjetuar, duke shtuar se gratë nuk duhet të heshtin me vite ndaj dhunës.
Ajo vetë nuk e kishte denoncuar dhunën, madje as përdhunimin në martesën në të cilën ishte, pasi kishte frikë se burri do t’ia merrte fëmijët. Në fund, fqinjët kanë thirrur policinë dhe që atëherë ka nisur lufta e saj për një “jetë dhe liri më të mirë”.
SHIKONI EDHE: Ngacmimi seksual në punë: I paraportuar dhe i padënuarMirëpo, Jelena Milkoviq, përveçse viktimë e dhunës në familje, ajo po ashtu ka përjetuar edhe ngacmime në vendin e punës.
Dhunë në vendin e punës
Jelena thotë se u punësua falë drejtoreshës së Ansamblit Kombëtar “Venac” në Graçanicë, Snezhana Jovanoviq, e cila e angazhoi atë që të mirëmbajë objektet e këtij ansambli.
Ky ansambël funksionon në kuadër të sistemit serb, përkatësisht është nën udhëheqjen e Ministrisë së Kulturës dhe Informimit të Serbisë.
Mirëpo, një nga rojet e Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë (identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë), ku ndodhen hapësirat që i shfrytëzon “Venac”, të cilat i mirëmban Jelena, nisi që të përdorte fjalë ofenduese ndaj saj.
Ajo thotë se ato shprehje, të cilat ajo i bëri publike për REL-in, ia kujtuan përdhunimin, kur ajo ishte viktimë e dhunës seksuale nga tash ish-bashkëshorti i saj.
Në kërkim të drejtësisë
Jelena mori guximin dhe raportoi tek autoritetet se po përballej me dhunë psikologjike në vendin e punës.
Ajo, fillimisht, iu drejtua drejtorit të Shtëpisë së Kulturës, Zhivoin Rakoçeviq, i cili ishte mbikëqyrës i personit që punonte si roje.
Ky person ishte i punësuar në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, e cila punon nën sistemin serb, ndërsa po ashtu i njëjti kishte kontratë me Komunën e Graçanicës, e cila funksionon sipas sistemit të Kosovës dhe është një nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Prandaj, Jelena iu drejtua edhe zyrtarëve lokalë në Graçanicë, kryetarit të atëhershëm të komunës, Sërxhan Popoviq, dhe drejtorit të Shëndetësisë, Aleksandar Popoviq.
Mirëpo, sipas Jelenës, askush nuk deshi që ta mbrojë apo mbështesë atë, prandaj ajo vendosi që të ngrinte një padi private. Gjykimi për këtë rast ka zgjatur rreth dy vjet dhe vendimi në fund ka qenë në favor të saj. Përkatësisht, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që i akuzuari duhet të paguajë kompensim financiar prej rreth 2,000 eurosh për “dhunë psikike, lëndim dhe dëmtim të reputacionit”.
“Drejtësia ishte në anën time”, thotë Jelena Milkoviq.
Presion për tërheqjen e padisë
Ajo tregon se ka përjetuar presion nga pushteti lokal dhe është shantazhuar që “nëse e tërheq padinë, do të marrësh banesë”.
Menjëherë pas ngritjes së padisë, Jelena Milkoviq, kishte dorëzuar një kërkesë në Komunën e Graçanicës që t’i jepej ndihmë për banim.
“Më kërkuan që të hiqja dorë, i thashë Sërxhanit [kryetarit të atëhershëm të Graçanicës] se nuk do ta tërheq padinë, sepse ata e dinë se çfarë kam kaluar”, thotë Jelena dhe shton se është e bindur se qëllimi ka qenë që ajo të tërhiqte padinë dhe në këmbim të shpërblehej me një banesë.
SHIKONI EDHE: Porosia e grave që përjetuan dhunë në familje: Paraqitni të gjitha rastetDrejtori i Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë, Zhivollin Rakoçeviq, nuk ka dashur që të komentojë rreth akuzave të Jelenës, por është shprehur se “nuk mund të përgjigjem për diçka që nuk ka ndodhur”.
Sërxhan Popoviq dhe Aleksandar Popoviq nuk u janë përgjigjur thirrjeve të REL-it deri në publikimin e këtij teksti.
Snezhana Jovanoviq, e cila po e ndihmon Jelenën, në njëfarë mënyre është e përfshirë në punën e vetëqeverisjes lokale të Graçanicës. Ajo ka shërbyer për dy mandate si asambliste në këtë komunë, nga radhët e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës, dhe po ashtu është drejtoreshë e ansamblit ”Venac”.
Në një bisedë me REL-in, ajo thotë se në disa raste ka tentuar që të tregojë se Jelena ishte viktimë e dhunës institucionale dhe shton se për këtë gjë u është drejtuar edhe autoriteteve. Por, sipas saj, askush nuk ka dashur të reagojë.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
“Kam vepruar si njeri. Më është dhënë si tundim, askush nuk më ka kërkuar që të merrem me këtë gjë kaq shumë, por ne jemi njerëz, duhet të sillemi si njerëz dhe jo vetëm të shikojmë”, tha ajo, duke shtuar se Jelena më nuk ka nevojë për ndihmën e saj.
“Po e mbroj sepse nuk e ka askënd”
Aktualisht, Jelena së bashku me fëmijët e saj jeton në një shtëpi në Graçanicë, të cilën ia ka dhënë në shfrytëzim të përkohshëm Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Ndihmë ka marrë edhe nga organizata “Nëna e nëntë Jugoviqëve”.
Snezhana Jovanoviq thotë se Jelena aktualisht është duke u trajnuar në sektorin e kostumografisë, që nënkupton se ajo mund të promovohet shpejt në detyrë.
“Njerëzit më pyesin pse e mbron Jelenën kaq shumë dhe përgjigjja ime është se ajo nuk e ka askënd”, shprehet Jovanoviq.
Vlerësimet e DASH-it
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, thuhet se numri i viktimave të dhunës në Kosovë është rritur më 2021.
Në vitin 2020 ishin raportuar 1,145 raste të dhunës në familje dhe në periudhën janar-gusht të vitit 2021 ishin raportuar 1,374 raste.
Në raport thuhet, po ashtu, se viktimat rrallë kanë raportuar dhunën seksuale dhe përdhunimet brenda ose jashtë familjes dhe kjo shpesh ka ndodhur për shkak të stigmës në shoqëri dhe mungesës së besimit në Qeveri.
Sipas po të njëjtit raport, ngacmimi seksual është i zakonshëm në sektorin publik dhe në atë privat, përfshirë edhe institucionet publike të arsimit të lartë.
Rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së
Fuqizimi ekonomik dhe strehimi i grave, që janë viktima të dhunës, është gjëja më thelbësore që duhet bërë për t’i ndihmuar ato, u tha në një konferencë të organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE), e cila u mbajt në fillim të shkurtit në Prishtinë.
Në këtë konferencë morën pjesë zyrtarë qeveritarë dhe nga institucionet lokale.
“Edhe kur bëhet kjo, viktimat detyrohen të kthehen te dhunuesi, prandaj duhet të gjendet zgjidhje afatgjate”, ishte një nga përfundimet kryesore të konferencës.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se shoqëria e Kosovës do të jetë e sigurt vetëm atëherë kur gratë të ndihen të sigurta në rrugë, punë dhe shtëpi.
“Ne, institucionet, duhet ta ofrojmë dhe ta garantojmë atë siguri. Nuk ka mbrojtje më të mirë për viktimat e dhunës në familje sesa pavarësia e tyre financiare”, deklaroi Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ekzekutivi që ai udhëheq, ka programin për barazi gjinore 2020-2024. Sipas tij, qëllimi strategjik i programit është krijimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, në mënyrë që gratë të mund të kontribuojnë, por edhe të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik.
Gati 2,500 raste në vit
Policia e Kosovës thotë se një nga prioritetet e saj është trajtimi i rasteve të dhunës në familje. Nga ky institucion thonë se me vite të tëra po zhvillohet fushata për vetëdijesimin nga pasojat e dhunës në familje.
“Vazhdimisht theksohet se dhuna nuk mund të ndalet pa raportim [në polici], pa trajtim të rastit nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme. Këso rastesh po raportohen më shpesh”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës.
Gjatë vitit 2021, në Policinë e Kosovës janë raportuar 2,486 raste të dhunës në familje. Ky institucion thekson se rastet e dhunës në familje trajtohen nga njësi të posaçme, që janë të trajnuara dhe bashkëpunojnë ngushtë me qendrat për punë sociale, avokatët e viktimave dhe sistemin gjyqësor.