Liderët e rajonit pajtohen për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Video-samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor

Gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor që u mbajt online pasditen e së mërkurës, liderët e gjashtë shteteve të rajonit: Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë, u pajtuan që të rrisin bashkëpunimin ekonomik.

Në këtë samit që u organizua nga Këshilli Atlantik, me seli në Uashington të SHBA-së, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord që të përshpejtojnë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve në rajon.

Ata u zotuan se do t’i eliminojnë barrierat që kanë penguar rritjen ekonomike, si dhe u pajtuan që të ndiqet një plan për të tërhequr investimet e huaja direkte në rajon, sidomos tani kur ekonomitë e këtyre vendeve janë duke u përballur me pasojat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Udhëheqësit u zotuan për të përmirësuar bashkëpunimin politik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe për të bërë përpjekje që t’i zgjidhin çështjet dypalëshe në rajon.

Në samit morën pjesë: kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, dhe ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi, Dragica Sekulliq.

Në një njoftim të lëshuar nga Këshilli Atlantik, pas përfundimit të takimit, thuhet se liderët kanë rënë dakord që të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, të përcjellin zbatimin dhe ta bëjnë publik progresin e projekteve të përbashkëta te qytetarët.

Financimi i projekteve të fushës së lidhjeve digjitale, infrastrukturës, përfshirë lidhjet hekurudhore dhe forma të tjera të transportit, duhet të jetë i rëndësisë primare

Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor po ashtu u zotuan se do të punojnë së bashku për të identifikuar projekte, me theks të veçantë infrastrukturore, me rëndësi rajonale.

Sipas tyre, financimi i projekteve të fushës së lidhjeve digjitale, infrastrukturës, përfshirë lidhjet hekurudhore dhe forma të tjera të transportit, duhet të jetë i rëndësisë primare.

Konkluzioni i fundit për të cilin u pajtuan liderët është që të monitorojnë zbatimin e iniciativave, projekteve dhe marrëveshjeve rajonale.

Një pjesë e samitit ishte e hapur për publikun, ndërsa pjesa tjetër e mbyllur.

Jim O’Brian, nga Këshilli Atlantik, tha se gjashtë liderët e mbështetën planin ambicioz, “gjë që publikisht nuk ka ndodhur disa muaj”.

Sipas tij, ata mbështetën thellimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, që përballen me pritje të gjata në kufij.

Nënkryetari i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, tha në hapje të video-samitit se kohët e vështira kërkojnë vendime të vështira dhe se është e rëndësishme që liderët të punojnë së bashku, për të krijuar një treg të përbashkët në të mirë të qytetarëve.

Hoti: Rajoni është i fragmentuar

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në video-samit, tha se rajoni është i fragmentuar ekonomikisht.

Hoti tha se, pavarësisht përpjekjeve për të rritur bashkëpunimin rajonal mes vendeve të rajonit, ka ende pengesa të shumta që e pengojnë bashkëpunimin ekonomik.

“Ne kemi punuar shumë që ta integrojmë rajonin, por duhet ta pranojmë se rajoni është ende i fragmentuar në një shkallë të lartë, sa i takon integrimit ekonomik. Pse? Sepse, ende ka shumë barriera sa i takon burokracisë. Legjislacioni ndoshta… Ne ende nuk kemi lidhje të plota infrastrukturore mes shteteve tona”, deklaroi Hoti.

Ai tha se bashkëpunimi rajonal duhet të shfrytëzohet për t’i larguar të gjitha barrierat që ekzistojnë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, në​ një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës thuhet se në samit "u diskutua për bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, si dhe për projektet ekonomike të Ballkanit Perëndimor që do të financohen nga SHBA-ja dhe BE-ja" dhe se "pjesëmarrës ishin edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

SHIKONI EDHE: Fuqia e pabarabartë e protagonistëve në dialog

Vuçiq: Nuk jam optimist për zgjidhjen e problemeve me Kosovën

Duke folur për mundësitë që prodhon bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ekzistojnë një mori pengesash, të cilat do të mund të hiqeshin.

Vuçiq përmendi procedurat e shumta doganore që ekzistojnë në mes të vendeve të rajonit.

Ai tha se ekzistojnë mosmarrëveshje mes vendeve të rajonit edhe të natyrës politike, duke përmendur në veçanti dallimet me Kosovën, për të cilat tha se nuk është shumë optimist se do të gjendet një zgjidhje.

“Ne duhet që, të paktën, të provojmë të bëjmë më mirë për ta zgjidhur këtë çështje, edhe pse nuk jam krejtësisht optimist për këtë dhe natyrisht se janë disa çështje të tjera mes nesh, po ashtu brenda Bosnje e Hercegovinës”, deklaroi Vuçiq.

SHIKONI EDHE: Hoti dhe Vuçiq: Bisedime të vështira për personat e zhdukur dhe ekonominë

Ai tha se bashkëpunimi rajonal ekonomik është i një rëndësie të veçantë, pasi, sipas tij, 17 për qind e të gjithë eksportit të shtetit të Serbisë shkon në vendet e rajonit.

“Edhe nëse ne i bashkohemi Bashkimit Evropian përpara disa shteteve, ne do të mbesim në rajon dhe bashkëpunimi mes nesh, brenda gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të mbetet prioriteti kryesor i Serbisë”, tha Vuçiq.

Rama bën thirrje për bashkëpunim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se si pasojë e pandemisë së koronavirusit është prekur ekonomia e rajonit, andaj, sipas tij, duhet një plan praktik për integrimin ekonomik të rajonit.

“Besoj fuqishëm që pandemia na ka dhënë prova nëse ishte e nevojshme ajo që ne po provojmë të bëjmë që gjashtë vjet, që nga koha kur filloi procesi i Berlinit - është saktësisht çfarë iu duhet gjeneratave të reja të rajonit tonë”, deklaroi Rama.

Ai përmendi “Shengenin e Ballkanit Perëndimor” si iniciativë që, sipas tij, ndikon në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

SHIKONI EDHE: Stabiliteti rajonal, parakusht për investimet e huaja 

Palmer: SHBA nuk po iu kundërvihet investimeve ruse e kineze

Pjesë e diskutimit për vendet e Ballkanit Perëndimor ishte edhe zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, i cili tha se SHBA-ja do ta mbështesë këtë rajon.

I pyetur për mundësitë e bashkëpunimit rajonal në mes të vendeve të rajonit, Palmer tha se ndërtimi i një klime të sigurt për aktivitet ekonomik nxit investimet amerikane.

“Kompanitë amerikane nuk do të shikojnë vetëm klimën rajonale, por do të shikojnë edhe klimën lokale dhe ato do të duan të dinë se reformat kanë ndodhur dhe se rendi dhe ligji është i institucionalizuar, kontratat janë të obligueshme, si dhe të kenë një ambient të parashikueshëm ekonomik, në të cilin mund të presin një kthim të arsyeshëm të investimit”, tha Palmer.

Sipas Palmerit, kjo është diçka të cilën SHBA-ja do të jetë në gjendje ta mbështesë politikisht.

I pyetur për rritjen e numrit të investimeve ruse dhe kineze në vendet e Ballkanit Perëndimor, Palmer tha se çdo investim që respekton ligjet dhe parimet e transparencës, është i mirëseardhur.

SHIKONI EDHE: BE-ja angazhohet për t'iu konkurruar investimeve kineze në Ballkan

Palmer tha se iniciativa e SHBA-së nuk duhet parë si kundërvënie ndaj investimeve ruse dhe kineze.

“Nuk është se ne po provojmë të promovojmë investime perëndimore, investime amerikane, investime evropiane për të t’iu kundërvënë Rusisë dhe Kinës. Çfarë ne po provojmë të bëjmë, është të krijojmë mundësi për rritje, të krijojmë vende pune, po provojmë të krijojmë një të ardhme pozitive për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Palmer.