Krijimi i shumicës parlamentare mbetet synim jo vetëm i koalicionit fitues të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, por edhe i dy subjekteve që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë në këto zgjedhje.
Duke besuar se koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, do të dështojë të krijojë shumicën parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me partitë partnere, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, thonë se janë duke vazhduar takimet për mundësin e arritjes së një koalicioni paszgjedhor.
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka dalë i dyti për kah numri i ulëseve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, thotë se tashmë ekziston një shumicë parlamentar pa koalicionin fitues.
Dardan Sejdiu, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se me LDK-në dhe partneret e saj, janë duke diskutuar rreth programit qeverisës dhe koalicioni të ri, për një qeverisje ndryshe.
"Në fakt ekziston shumica parlamentare, nëse i shihini si të them numrin e deputetëve që i ka Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA. Ne i kemi 32 deputetë, derisa koalicioni LAA i ka 29 deputetë. Që do të thotë kemi 61 vende pa minoritete. Pra një shumicë shqiptare. Ne jemi duke u takuar dhe kemi pasur dy takime deri tani", tha Sejdiu.
Të gjitha këto takime, thekson Sejdiu, janë në kuadër të diskutimeve, pasi që siç thotë ai, Presidenti nuk po e thërret seancën konstituive, ku do të bëhej zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, për të vazhduar me procedurat e tjera.
Your browser doesn’t support HTML5
Pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit, koalicioni PAN, si fitues i zgjedhjeve, i ka 15 ditë afat për formimin e Qeverisë së re.
Por, Vetëvendosje është e bindur se PAN nuk do të arrijë t’i sigurojë minimumin prej 61 votave për formimin e Qeverisë dhe pret që shansin e dytë ta ketë ky subjekt politik me LDK-në dhe partitë partnere.
"Krejt këto takime e kanë rolin e përafrimit sa më të madh deri në momentin kur të na jepet mundësia e dytë pas mandatarit i cili vjen nga koalicioni PAN. Kështu që ne jemi duke punuar që të kemi një program qeverisës, në mënyrë që kur të na vjen mundësia t’i kemi numrat e duhur për të formuar Qeverinë e ndryshimit", tha Sejdiu.
Ndërkohë, Mimoza Kurasi- Lila, kryetare e partisë politike, Alternativa që është pjesë e koalicionit me LDK-në, tha për Radion Evropa e Lirë se takime me Lëvizjen Vetëvendosje, janë në vazhdim e sipër.
"Mundësia dhe gatishmëria është që të formohet kjo shumicë parlamentare, vetëm duhet të përcillen procedurat e parapara me ligj dhe Kushtetutë. Do të thotë, që mundësia i jepet koalicionit fitues që ta formojë Qeverinë dhe në dështim të asaj përpjekje për koalicionin fitues, Presidenti duhet ta mandatojë ose ish dashur të mandatojë të dytin fitues nga këto zgjedhje, gjegjësisht partinë e dytë, Lëvizjen Vetëvendosje. Në atë situatë apo skenar vetëm kanë filluar përgatitjet në proces të dakordimit për programin qeverisës dhe pastaj në nivelin politik në një fazë të më vonshme", tha Kusari -Lila.
Kusari-Lila thekson se koalicioni PDK, AAK, NISMA i njohur si PAN, nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë. Sipas saj, vonesat për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit janë indikatorët më të mirë që tregojnë se ai koalicion ka mungesë të votave.
"Sikur t'i kishin votat do të kishim deri më tash mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe procesin e mandatimit të zotit Haradinaj, për të prezantuar Qeverinë. Por, ma merr mendja që mungesa e votave dhe situata në të cilën po hyjmë është si rrjedhojë e mungesës së votave, që edhe e tregon se në cilëndo matematikë ata i kanë vetëm 59 vota dhe jo 61 vota sa ju duhet një shumicë minimale për të votuar Qeverinë në Kuvend", tha Kusari- Lila.
Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka caktuar ende datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, por ai pritet që të zhvillojë një takim me partitë parlamentare më 24 korrik, pikërisht për datën e konstituimit të këtij institucioni.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht një ftese për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re, nga kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.