Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Mirëpo ky ligj, nuk po gjen zbatim të plotë në praktikë.
Zyrtarët e lartë të sistemit të drejtësisë, prej miratimit të ligjit, vazhdojnë të mbajnë dy e më shumë pozita drejtuese si dhe të kompensohen për punët shtesë që bëjnë në kuadër të orarit të rregullt të punës.
Ka qenë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që ka mbajtur deri shtatë pozita; tri prej tyre pozita drejtuese (kryeprokuror i Shtetit, kryesues i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë dhe kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës).
SHIKONI EDHE: Angazhimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shumë vende puneNë deklarimin e fundit të pasurisë në AKK (Agjencia Kundër Korrupsionit), kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka deklaruar pesë angazhime: kryeprokuror i Shtetit, anëtar bordi në Akademinë Policore të Kosovës, kryetar i Bordit të Akademisë për Drejtësi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe anëtar i Bordit i Inteligjencës Financiare.
Aktualisht në sistemin e drejtësisë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është Albert Zogaj, që krahas pozitës së gjyqtarit në Gjykatën Supreme, kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, po ashtu është edhe kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Zyrtarët që janë përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, thonë se ai është duke u zbatuar në përpikëri, porse monitoruesit e sistemit të drejtësisë, thonë se ky ligj është injoruar nga institucionet.
Your browser doesn’t support HTML5
Gzim Shala është hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Ai në hulumtimet që ka bërë për zbatimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, thotë se ka gjetur shumë shkelje ligjore.
“Në praktikë, ne kemi parë një injorim të këtij ligji, veçanërisht nga ana e sistemit të drejtësisë të cilin ne e monitorojmë sistematikisht dhe që në këtë rast, nuk ka pasur vullnet nga ana e të njëjtëve që ta zbatojnë në praktikë këtë ligj. Marrim shembull mbajtjen e më shumë se një pozite, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit e përcakton qartë që asnjë person nuk mund të mbajë një pozitë të dytë udhëheqëse, përveçse nëse përcaktohet kjo shprehimisht me ligj”, thotë Shala.
SHIKONI EDHE: Angazhimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në punët e dytaMë shumë se një pozitë drejtuese sipas Shalës, kanë mbajtur vetë drejtuesit e sistemit të drejtësisë.
“Dhe ne kemi pasur kryeprokurorin e Shtetit dhe po ashtu kryetarin e Gjykatës Supreme, që kanë qenë edhe kryesues të Bordit të Akademisë së Drejtësisë. Pra një pozitë e dytë udhëheqëse në rastin konkret. Kjo ka ndodhur përkundër faktit se me ligj të veçantë, nuk është e përcaktuar që të njëjtit të jenë edhe kryesues të këtij bordi”, thotë Shala.
Përgjegjësia më e madhe për zbatimin e këtij ligji sipas monitoruesve, qëndron mbi Agjencinë Kundër Korrupsionit, institucion ky që sipas monitoruesve, vazhdimisht ka lejuar që zyrtarët e lartë të mbajnë më shumë se një pozitë drejtuese dhe të kompensohen kundërligjshëm.
SHIKONI EDHE: Nuk ka burg për ata që nuk e deklarojnë pasurinëDrejtori i AKK-së nuk ka pranuar të flasë për këtë temë, por përmes një përgjigje të shkruar, paraprakisht kishte thënë se zbatimi i këtij ligji është përgjegjësi edhe e institucioneve të tjera.
“Sa i takon zbatimit të tij në praktikë, Agjencia Kundër Korrupsionit, duke qenë përgjegjëse për këtë, është e bindur se nga këndvështrimi i detyrave, përgjegjësive dhe mandatit të saj, e ka zbatuar dhe e zbaton në përpikëri këtë ligj”, ka thënë Shaip Havolli.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, thotë që zyrtarëve publikë duhet t'iu ndalohen angazhimet e shumëfishta, pasi siç thotë ai, këtë e përcakton qartë ligji.
“Gjithsecili pozicion ka përgjegjësi. Kush më shumë, e kush më pak, mirëpo në bindjen tonë, ata që janë funksionarë të lartë krahas ushtrimit të funksionit të tyre, në të njëjtën kohë ushtrojnë edhe dy-tri apo me tepër pozicione, është e diskutueshme mundësia që të jenë sa duhet efikas dhe efektiv në ushtrimin e funksioneve që kanë”, thotë Bajraktari.
SHIKONI EDHE: “Super heronjtë” me shumë vende pune
Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se injorimi i këtij ligji ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit për t’i prekur njerëzit e fuqishëm brenda sistemit të drejtësisë.
“Definitivisht ka pasur mungesë të llogaridhënies. Fillimisht, barra kryesore bie mbi Agjencinë Kundër Korrupsion, e cila nuk ka marrë masat e nevojshme si institucion i mandatuar për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji. Kjo është e para. E dyta, është lejuar që ky ligj të injorohet nga ana e sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor”, thotë Shala.
Për këtë temë, janë dërguar pyetje te kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.
Ai është pyetur për veprimet që sistemi prokurorial ka ndërmarrë për evidentimin e rasteve, kur zyrtarët e sistemit të drejtësisë shkelin Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrim e funksionit publik.
Maloku ka mohuar se brenda sistemit prokurorial ka zyrtarë që angazhohen në vende të tjera të punës dhe që përfitojnë jashtëligjshëm nga kompensimet.
“Ne edhe me herët e kemi sqaruar se asnjë zyrtar i lartë në sistemin prokurorial, nuk është shpërblyer me ndonjë pagesë pa bazë ligjore”, ka thënë Maloku përmes një përgjigje me shkrim.
Pyetje i janë dërguar edhe kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mirëpo ai nuk është përgjigjur.
Kërkesë për intervistë i është dërguar edhe kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj, mirëpo ky i fundit ka thënë se e ka të pamundur për shkak të angazhimeve të shumta.
Agjencia Kundër Korrupsionit, për këtë temë është pyetur për veprimet konkrete, si dhe rastet të cilat i ka denoncuar, mirëpo zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë kthyer përgjigje në këtë pyetje.
Derisa ky ligj vazhdon të mos gjejë zbatim të plotë në praktikë, monitoruesit e sistemit të drejtësisë thonë se përmes mbajtjes së dy apo më shumë pozitave, zyrtarët përfitojnë kundërligjshëm shuma të konsiderueshme parash.