Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit

Lule dhe qirinj të vendosur pranë fotografisë së politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në një komunikatë për media të kësja gjykate, thuhet se pas “seancës dëgjimore, pas marrjes se aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës për rivendosje ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy të pandehurve për shkak të veprës penale vrasje e rëndë, dhe njërit për shkak të veprës penale zbulimi i fshehtësisë zyrtare".

Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, në muajin nëntor arrestoi katër persona në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve janë të dyshuar se kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Ivanoniq. Një person i katërt, po ashtu i dyshuar në lidhje me këtë rast, mbetet ende në kërkim.

Ndërkaq më 6 dhjetor, Gjykata e Apelit e Kosovës ua ka zgjatur masën e paraburgimit të pandehurve, N.S dhe M.R, të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Ivanoviq si dhe të pandehurit D.M për veprën "zbulim i fshehtësisë zyrtare".

Tre të dyshuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq të hënën kanë dalë edhe një herë para gjykatës ku “është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, nga data 23.11.2018 deri më datë 23.12.2018”, thuhet në komunikatë.

Të pandehurit dyshohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovëskanë marr pjesë në vrasjen e të ndjerit Ivanoviq.

Gjatë aksionit të policisë në veri të Mitrovicës, më 23 nëntor, janë arrestuar tre persona lidhur me këtë vrasje. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Por, aty mungon personi i katër, i cili është në kërkim.

Personi i katërt, Milan Radojiçiq nuk është gjendur në shtëpi gjatë aksionit të Policisë së Kosovës dhe ai ende është në kërkim. Radojiçiq, është njëri nga nënkryetarët e Listës Serbe - parti politike në Kosovë.

SHIKONI EDHE: Kush është Milan Radojiçiq, i kërkuari për vrasjen e Ivanoviqit? 

Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë, ka thënë se nuk ka asnjë informacion se të arrestuarit në veri të Mitrovicës kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Kurse Ministria e Brendshme e Serbisë, ka thënë se policia, me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka intervistuar M.R. në lidhje me njohuritë e tij për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore.

Por, Radojiçiq, ka deklaruar se nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit dhe se nuk do t'iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

*Video nga arkivi: Pamje nga vendi ku është vrarë Ivanoviq

Your browser doesn’t support HTML5

Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq

Ndryshe, autoritetet kompetente në Kosovë vazhdimisht kanë pohuar përpjekjet për zbardhjen e vrasjes se politikanit serb nga Mitrovica, por që sipas, tyre nuk kanë arritur të sigurojnë informacione nga Beogradi zyrtar.

Pasi pak ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës i kishte dërguar katër kërkesa të Qeverisë se Serbisë, por asnjë prej tyre nuk është kthyer në Prishtinë me përgjigjet në lidhje me informatat që u janë kërkuar autoriteteve në Beograd.

Po ashtu, edhe autoritetet në Serbi kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës shkëmbim të informatave rreth hetimeve. Por, në fund doli që më shumë të ketë fajësime reciproke sesa bashkëpunim.