Ministria e Brendshme e Serbisë tha se policia, me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka intervistuar M.R, në lidhje me njohuritë e tij për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore.
"Policia ka marrë deklaratë nga M.R. në përputhje me kërkesën për të mbledhur informacionet e nevojshme për hetimet e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Dy prokuroritë, të Kosovës dhe Serbisë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë bashkëpunim në hetimet për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Prokurori special i Kosovës, Sylë Hoxha, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Kosovë janë në kërkim të nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, për rastin Ivanoviq.
Akuza bën fjalë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili më 16 janar të këtij viti u vra para zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës.
Se çfarë fakte ekzistojnë lidhur me këtë ende nuk janë bërë të ditura.
Gjatë aksionit të policisë në veri të Mitrovicës, më 23 nëntor, janë arrestuar tre persona lidhur me këtë vrasje. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Por, aty mungon personi i katër, i cili është në kërkim. Milan Radoiçiq nuk është gjendur në shtëpi gjatë aksionit të Policisë së Kosovës dhe ai ende është në kërkim. Të njëjtën ditë, ishte arrestuar edhe personi i katërt, por ai akuzohej për rezistencë ndaj policisë apo pengim të personit zyrtar për kryerjen e detyrës.
Ndërkohë, Prokuroria në Serbi flet lidhur me informacionet që posedon për këtë rast.
“Për asnjë nga personat që janë arrestuar në Mitrovicë, Prokuroria për krim të organizuar në Beograd nuk ka informacione që do të ndërlidheshin më vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thotë kjo Prokurori në përgjigjen e pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin e kërkon Policia e Kosovës, ka qenë pjesë e ndonjë hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Prokuroria tashmë ka njoftuar se ka procesuar me të gjitha kërkesat e parashtruara deri më tash për ndihmë ligjore të ndërsjellë, me të cilat, ndër të tjera, ishte kërkuar edhe intervistimi i dëshmitarëve. Për identitetin e dëshmitarit, Prokuroria nuk mund të japë sqarime dhe as për detajet e cilësdo kërkesë. Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës, ndaj kërkesës së kësaj prokurorie kanë vepruar në mënyrë selektive, kështu që deri më tash nuk janë dorëzuar të gjitha dëshmitë dhe informacionet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 23 nëntor, se ngjarja në veri të Mitrovicës nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa dy ditë më pas tha se nuk e di ku gjendet Milan Radoiçiq.
“Ne nuk kemi pranuar asnjë informacion për rastin e Milan Radoiçiqit. Kur neve na pyesin ose na tregojnë, gjithmonë me kënaqësinë më të madhe do të ju përgjigjem”, deklaroi Vuçiq.
Në ndërkohë, Radoiçiq të dielën në mbrëmje u drejtua me një deklaratë ku tha se “nuk ka qenë mik i afërt me Oliver Ivanoviqin, por se nuk është vrasës dhe nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e tij”.
Radoiçiq tha se bastisja e shtëpisë së tij nga ana e policisë ka pasur vetëm një qëllim - “vrasjen e tij”.
“Prishtina dëshiron të më eliminojë pasi e dinë se unë, bashkë me miqtë dhe vëllezërit, jam ndër të paktët që është i gatshëm të iu kundërvihet qëllimeve të tyre për të sulmuar dhe pushtuar veriun e Kosovës dhe ta nënshtrojnë popullin serb”, ka thënë Radoiçiq.
*Video nga arkivi: Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq. Mitrovicë e Veriut, 16 janar, 2018.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk do t'i dorëzohet Policisë së Kosovës, ndërkaq rreth spekulimeve për vendqëndrimin e tij tha se “mund të them se jam afër, po pres dhe po vëzhgoj“.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në shtator të vitit 2017, gjatë një konferencave për media, e kishte falënderuar Radoiçiqin si njëri prej atyre që e ruajnë popullin serb në Kosovë. Në atë kohë, përfaqësuesit e Listës Serbe i porositi të luftojnë për popullin e tyre sa më shumë që të munden.
“Faleminderit për tyre që e ruajnë Serbinë në Kosovë, e ruajnë edhe fëmijët e tyre. Falënderoj edhe Goran Rakiq, Dalibor Jevtiq, Milan Radoiçiq, Branimir Stojanoviq dhe të tjerët. Secili fëmijë i tyre e ruan Serbinë në Kosovë dhe për këtë faleminderit pafundësisht. Po luftoni për atdheun tuaj po luftoni për fëmijët tuaj”, kishte thënë Vuçiq.
Por, përmendja e Radoiçiqit nga ana e presidentit serb, është shqetësuese mendonte politikani tashmë i ndjerë serb Oliver Ivanoviq. Ai në një intervistë për BIRN në tetor të 2017-ës e përshkroi Radoiçiqin si një figurë kyçe dhe bartës i pushtetit në veri. Ivanoviqi në atë kohë insistonte që ajo pjesë e intervistës të mos publikohej, por kishte porositur që ai emër të mbahet në mend. Kjo pjesë, megjithatë u publikua pas vrasjes së tij.
“Qendra e fuqisë nuk është ndërtesës në objektin e komunës, por se komuna është nën këtë qendër të dytë joformale të pushtetit. Ajo që mua më shqetëson është se autoritetet serbe e përmendin këtë alternativën tjetër, qendrën joformale të pushtetit, si shembull për diçka. Presidenti përmendi Milan Radoiçiq, dhe kjo mua më shqetëson sinqerisht sepse ai e mori si shembull të luftëtarit për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, pati thënë Ivanoviq.
Mirëpo, më vonë në një deklarim për media, presidenti Aleksandar Vuçiq tha se nuk e ka idenë as sesi duket në pamje Milan Radoiçiqi.
Por, sesi duket Radoiçiqi e dinte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në një intervistë, për një emision të Qendrës Mediale në Çagllavicë, në dhjetor të 2017-ës, duke folur për bashkëpunimin e mirë me kolegët e Listës Serbë në Qeverinë e Kosovës, tha se ka bashkëpunim edhe me njerëz nga veriu.
“Ta zëmë, Milan Radoiçiq, besoj se edhe ai e ka rolin e vet. Ai është nga veriu dhe pyetet për çdo gjë, dhe unë bisedojë me atë”, pati thënë Haradinaj.
I pyetur nëse ai (Radoiçiq) është një politikan, Haradinaj ishte përgjigjur:
“Nuk duhet të jesh vetëm politikan që të kesh rol këtu, ndërsa unë jam I hapur dhe bisedojë me të gjithë”, deklaroi Haradinaj.
Megjithatë në qershor 2018, Radoiçiq, bëhet politikan dhe zgjidhet njëri nga nënkryetarët e Listës Serbe. Në shtator, bashkë me përfaqësues tjerë të Listës, takohet me Haradinajn në kabinetin e tij.
Për organet e drejtësisë në Serbi, Milan Radoiçiq ka qenë i njohur që nga viti 2011. Në atë kohë kundër tij dhe Zvonko Veselinoviqit ishte ngritur aktakuzë për përvetësimin e 32 kamionëve të firmës “Hipo Alpe Adria Lizing”. Aktakuza u ngrit para gjykatës në Beograd, dhe kjo kohë rastisi me vendimin e Beogradit për fillimin e dialogut me Prishtinën dhe thirrjen ndaj serbëve të veriut që të largojnë barrikadat. Të dy u liruan nga akuzat në vitin 2016.
Zvonko Veselinoviq mbahet në mend nga publiku sidomos në kohën e barrikadave në veri të Kosovës, të organizuara gjatë viteve 2011 dhe 2012. Në atë kohë edhe KFOR-i e pati identifikuar si një nga organizatorët e trazirave në atë pjesë.
Emri i Veselinoviqit ndërlidhet me një varg veprimtarish. Javën e kaluar BIRN raportoi se ai u bë pronar i shumicës së aksioneve të ndërmarrjes ndërtimore “Inkop” të pronares Dushica Maksimoviq. Ajo 40 për qind të aksioneve i barti edhe te Milan Radoiçiq. 20 për qind të aksioneve kaluan te vëllai i Veselinoviqit, Zharko Veselinoviq. Këto të dhëna u publikuan në Agjencisë për Regjistrat Ekonomik.