Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë ka paralajmëruar një varg masash, përmes së cilave synohet të ulet numri i vdekjeve të foshnjave të porsalindura. Ndër masat e ndërmarra janë: specializimii kuadrit të mjekëve, rritja e numrit të gjinekologëve amë, ngritja e cilësisë së shërbimeve në maternitet etj.
Këto masa të paralajmëruara nga Dikasteri i Shëndetësisë vijnë pas të dhënave alarmante sa i përket numrit të vdekshmërisë së foshnjave të porsalindura në Maqedoni. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, vdekshmëria te foshnjat e porsalindura arrin në 11.9 për qind, e që është dyfish më e lartë sesa në vendet e Evropës, që është 5.2.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se dikasteri që drejton, tashmë ka hartuar një plan të qartë në këtë drejtim:
“Kemi plan se si do të ndikojmë në nivel të Klinikës Gjinekologjike në kuptimin e pajisjes me aparaturë bashkëkohore - tanimë ka filluar procesi i sigurimit të inkubatorëve për foshnjat. Më parë, dy foshnje vendoseshin në një inkubator të vetëm. Ndërsa tani janë siguruar 16 inkubatorë të rinj”.\
“Kemi një plan që do të mundësojë profesionalizimin e mjekëve në këtë lëmi, pra do të vijnë ekspertë nga jashtë, përkatësisht nga organizata botërore e mjekëve. Gjithashtu do të punojmë në drejtim të rritjes së stafit në Klinikën e Gjinekologjisë, po edhe numrit të përgjithshëm të mjekëve amë të gjinekologjisë në të gjitha komunat e Maqedonisë”, thotë ministri Filipçe.
Ndërkaq me gjithë reagimet në rrjetet sociale pas qëndrimit të tij në opinion se vdekshmëria e lartë te foshnjat e porsalindura është dhe si rrjedhojë e mungesës së kulturës shëndetësore dhe moskontrollimit të rregullt te gjinekologu të shtatzënave, Filipçe thotë se ky është realiteti dhe nuk është ofendim.
“Më duhet të theksoj se edhe në deklaratën time për mediumet, s`kam pasur qëllim të ofendoj dikë, por ka një numër të konsiderueshëm të femrave, të cilat kontrollin e parë në gjinekologji e kanë ditën që vijnë në maternitet për të lindur”, deklaron Filipçe.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga BIRN-i, kohë më parë në 45 komuna prej gjithsej80 sosh sa numëron Maqedonia, mungon gjinekologu amë, ndërkohë në 25 komuna tjera ka kuadër jo të mjaftueshëm .
Por, me këto të dhëna nuk pajtohet ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, sipas të cilit vetëm në 5 komuna të Maqedonisë mungojnë gjinekologët amë.
Organizatat që në fokus kanë të drejtave e grave thonë se gratë e viseve rurale ballafaqohen me shumë vështirësi për të bërë vizita të rregullta te gjinekologu si rrjedhojë e mungesës së gjinekologëve në këto vise.
“Barra u bie institucioneve shëndetësore shtetërore, në rastin konkret Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është e obliguar dhe me ligj të krijojë mekanizma adekuatë për sigurimin e kushteve të barabarta për përkujdesje shëndetësore për të gjitha femrat në përgjithësi, pavarësisht se ku jetojnë ato, në viset rurale apo në kryeqendër , pasi të gjitha meritojnë të trajtohen njëjtë veçanërisht në periudha të ndjeshme siç është ajo e shtatzënisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nora Kaliqi, nga organizata e grave “AJO”.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve në Maqedoni, Dushko Filipovski, thotë se mungesa e gjinekologëve amë ndihet në shumë komuna, ndryshe nga numri që deklaron Ministria e Shëndetësisë. Megjithëkëtë,Filipovski thekson se në vendet evropiane kjo çështje është rregulluar me atë që një numër të madh të kontrolleve gjinekologjike i bën dhe mjeku amë apo akusheret, siç është pap-testi apo kontrollet më të thjeshta.
“Nëse synojmë kriteret që vlejnë për vendet evropiane, atëherë duhet të zhvillohen reforma të thella në shëndetësi, duke filluar me investimetnë edukimin dhe riedukimin e stafit mjekësor dhe akusherisë”.
“Në Maqedoni mungon stafi i specializuarmjekësor, veçanërisht ai me shkollë të mesme, pra nuk kemi kuadër të specializuar për lëmi përkatëse. Jo të gjitha problemet që kanë pacientët, janë për te gjinekologu. Infeksionet e thjeshta mund t’i zgjidhë mjeku amë ashtu siç është praktikë e vendeve evropiane, por paraprakisht mjekët amë duhet të specializohen në këtë drejtim“, sqaron Filipovski.
Problem më vete paraqet dhe fakti se si rrjedhojë e kushteve joadekuatedhe kuadrit të pamjaftueshëm, në shumicën e rasteve klinikat e shumë qyteteve nga Maqedonia pacientët e tyre për lindje i dërgojnë në Shkup. Kjo ka bërëqë numri i parashikuar i kapacitetittë klinikës në Shkup prej rreth 3000 lindjeve në vit, të dyfishohet, gjë që shkakton më shumë probleme në menaxhimin e maternitetit të kryeqendrës.