Ndërlidhjet

Maqedoni: Pushimi i lehonisë rrezikon punësimin e grave


Ilustrim
Ilustrim

Sipas një programi qeveritar, nga qershori i vitit të ardhshëm Fondi për Shëndetësi do të realizoj projektin “Pagesë e rregullt e pushimit të lehonisë”, në bazë të së cilit, punëdhënësit obligohen të sigurojnë rrogat dhe të mbulojnë harxhimet e tjera për nënat të cilat sapo kanë lindur dhe kolegët e tyre të cilët janë në marrëdhënie të rregullt në kompaninë përkatëse dhe më pas shteti t`ua transferojë paratë kompanive.

Por organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të grave, theksojnë se në bazë të këtij vendimi cenohen në formë të drejtpërdrejtë të drejtat e grave, ngase duke pasur parasysh faktin se sa i thellë është borxhi i shtetit ndaj kompanive private, është e qartë se punëdhënësit do të hezitojnë të punësojnë gra në kompanitë e tyre.

“Mund të parashikoj dhe jam shumë e sigurt, se pas miratimit të kësaj mase një numër i madh i punëdhënësve do të vendosin për zgjidhjen më të lehtë të mundshme, të mos punësojnë aspak gra, ose të zgjedhin në rend të parë burra se sa gra për punësim”, vlerson Irena Cvetkoviq aktiviste për të drejtat e grave.

Nga ana tjetër Mile Boshkov nga konfederata e punëdhënësve në Maqedoni, ka thënë se harxhimet shtesë që bien mbi kursin e kompanive edhe më shumë do të rëndojnë gjendjen financiare të sektorit privat, duke shtuar se megjithatë konfederata do t`u sugjerojë kompanive t’i respektojnë ligjet.

Poashtu ajo ka shtuar se shpreson që edhe Fondi I Shëndetësisë në bazë të ligjit për likuiditet financiarë do të respektojë afatin kohorë për shlyerjen e borxheve që do të ketë ndaj kompanive.

“E vetmja gjë e mirë është ajo se ky ligj fillon të funksionoj nga qershori i vitit të ardhshëm , kohë kur hyn në fuqi dhe zbatimi i ligjit për disiplinë financiare ashtu që rreziku se institucionet shtetërore do të vonohen me pagesën shmanget, në një mënyrë mbetet të shpresojmë se ligjet do të zbatohen njëlloj nga ana e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces”, ka theksuar Mile Boshkov nga konfederata e punëdhënsve në Maqedoni.

Por, Irena Cvetkoviq aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vlerëson se me këtë masë do të rritet diskriminimi gjatë punësimit të grave, duke theksuar se gjatë intervistave për punësim femrave gjithnjë e më shumë nga ana e punëdhënësve i’u shtrohet pyetja rreth planeve të tyre për krijimin e familjes, e cila pyetje nuk u shtrohet kandidatëve të gjinisë mashkullore.

“Një pyetje u shtrohet pothuajse të gjitha grave. A planifikon të mbetesh shtatzënë dhe në cilën periudhë mendon ta bësh këtë? ”, ka shtuar ajo.

Ekspertët juridik thonë se me këtë masë të qeverisë së Maqedonisë, duke dashur t`u ndihmohet lehonave të marrin pagë të rregullt detyrohen punëdhënësit të shkelin ligjin i cili i mbron qytetarët nga diskriminimi gjinor.

Bashkim Selmani nga fakulteti juridik në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, thekson se frika e qytetarëve në rastin konkret punëdhënësve, se nuk do t`u kthehen mjetet që ata do t`i paguajnë për punëtorët që janë në pushim të lehonisë, ka të bëj me faktin se praktika ka dëshmuar se ligjet nuk zbatohen njëlloj kur bëhet fjalë për obligimet e qytetarëve ndaj shtetit dhe anasjelltas.

“Maqedonia jo vetëm me këtë ndryshim ligji, por edhe me shumë ligje të tjera ndjell frikë në aspektin psikologjik, ngase pushteti ka shprehur vullnetin e keq, duke zbatuar dispozitat ligjore të cilat dëmtojnë, përkatësisht gjobisin qytetarët për shkelje të ndryshme por jo edhe institucionet kur nuk i zbatojnë të njëjtat ligje. Pra, edhe ky ligj jo vetëm që do të ngritë diskriminimin gjinor, por do të krijojë edhe shumë probleme të tjera gjatë zbatimit”, ka bërë të ditur Selmani.

Ndryshe në bazë të të dhënave nga Fondi I Shëndetësisë, gjatë vitit të kaluar 28 milion euro kanë shkuar në konton e pagesave për pushimin e rreth 8 mijë nënave që sapo kanë lindur, pushim ky që sipas ligjit në Maqedoni zgjatë 9 muaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG