Vazhdojnë luftimet e ashpra në jug dhe lindje të Ukrainës, një dron rrëzohet afër Moskës

Një ushtar i plagosur ukrainas reagon gjat evakuimit në vijën e frontit afër Bahmutit, në Ukrainë, më 30 gusht 2023.

Ushtria ukrainase tha se kundërofensiva se saj në jug dhe lindje të vendit është duke vazhduar përballë përpjekjeve të forcave ruse për të përparuar, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se e ka rrëzuar një dron në rrugë drejt Moskës.

Luftimet e ashpra po vazhdojnë në juglindje të rajonit Zaporizhja, tha ushtria ukrainase më 31 gusht, duke shtuar se forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha në afërsi të Bahmutit, në rajonin lindor të Donjeckut.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se forcat e mbrojtjes ajrore e kanë rrëzuar një dron ukrainas në rrethinën Voskresenski, derisa ai po fluturonte drejt Moskës më 31 gusht.

SHIKONI EDHE: Lodhje dhe shpresë: Batalioni që mban vijën e frontit në jug të Ukrainës

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, shkroi në Telegram se nuk ka viktima apo dëme nga rrëzimi i dronit. Nuk është e qartë nëse droni është lëshuar nga Ukraina apo nga territori rus.

Aeroportet e kryeqytetit rus, Vnukovo dhe Domodedovo, i rifilluan fluturimet mëngjesin e 31 gushtit, pasi ishin mbyllur përkohësisht të mërkurën.

Aeroportet e Moskës janë përballur me pengesa të mëdha të fluturimeve dhe uljeve në ditët e fundit, për shkak të rrezikut nga sulmet me dronë.

Ukrainska Pravda raportoi më 30 gusht se dy helikopterë Mi-8 u rrëzuan pranë qytetit të vijës së frontit, Kramatorsk, në rajonin e Donjeckut më 29 gusht.

SHIKONI EDHE: Gjashtë ushtarë ukrainas vriten nga rrëzimi i helikopterëve

Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase konfirmoi për transmetuesin publik Suspilne se gjashtë ushtarë vdiqën nga rrëzimi i helikopterëve, por nuk dha hollësi.

Disa media raportuan incidenti ndodhi afër Bahmutit, qytetin ukrainas të kapur nga forcat ruse, i cili është skenë e luftimeve të mëdha dhe të vazhdueshme.