Greva vazhdon, s'ka marrëveshje mes grevistëve dhe Qeverisë

Paralajmërimi i mësimdhënësve se janë në grevë në një shkollë në Prishtinë.

Rrahman Jasharaj, nga Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, për t’iu dhënë fund grevave.

Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Më 13 shtator, Jasharaj ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

“Mund të them se takimi ishte përmbajtësor, por për momentin nuk kemi asnjë ndryshim. Qeveria vazhdon të mbajë qëndrimin për deklaratat rreth pakos, ne vazhdojmë të jemi zë i sektorit publik me kërkesat tona”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media, pas takimit.

SHIKONI EDHE: Greva e lidhur nyje

Nga greva e punonjësve të sektorit publik janë prekur të gjitha institucionet publike të arsimit në Kosovë, ku mësimi i paraparë të niste më 1 shtator, nuk ka nisur ende.

Thirrje për hapjen e shkollave kanë bërë disa herë Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Këshilli i Prindërve, po ashtu, e ka cilësuar si të papranueshme grevën.

Kurti: Sindikata e përdori grevën si instrument të parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se projektligji për paga ka qenë kërkesë e kahershme e grevistëve dhe se kërkesa për 100 euro është shtruar rrugës.

“Projektligji për pagat në sektorin publik do të dalë në dëgjim publik këtë javë. Në projektligjin e ri, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë. Në këtë projektligj, mësimdhënësit do ta kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Sipas tij, greva e tanishme nuk është shkaktuar për shkak të mungesës së dialogut dhe se, deri më tani, Qeveria dhe sindikatat e punëtorëve kanë zhvilluar së paku 30 takime.

“Në takim më është thënë 'kryeministër lëviz', mirëpo unë kam lëvizur të paktën 10 herë në drejtim të kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve të arsimit. Andaj pikërisht për këtë arsye, edhe një herë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Nuk bën bojkot e grevë shtetit”, ka thënë Kurti.

SHIKONI EDHE: Çmimi që paguajnë nxënësit për grevën

Sipas Kurtit, sindikata e ka përdorur grevën si instrumentin e saj të parë.

Mirëpo, Jasharaj ka thënë se beson që Kosova ka buxhet të mjaftueshëm për t'i përmbushur kërkesat e tyre.

Takimin e së martës, Jasharaj e ka konsideruar vetëm nisje të procesit të dialogut mes Këshillit të grevistëve dhe Qeverisë.

“Uroj që kryministri Kurti të mos i mbyllë dyert dhe të vazhdojmë me dialogun, mbase duke dëshiruar e uruar që gjendja të stabilizohet, besoj se kryeministri bashkë me stafin e tij do të diskutojnë pas takimit me ne, sepse tash është në dorën e tyre se çfarë do të ndodhë tutje”.

Më 3 shtator, Qeveria ka prezantuar një pako për përballje me inflacionin.

Në kuadër të saj, punëtorët e sektorit publik do të marrin nga 50 euro prej muajit shtator.