Në Kuvend për të kërkuar drejtësi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, thotë se do të luftojë për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi-Goodman, që është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, po ashtu flet edhe për përfshirjen eventuale të saj në procesin e dialogut me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Krasniqi-Goodman, që një kohë të gjatë jetoni në Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe keni vendosur të ktheheni me familje në Kosovë. Pse?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Tash, pasi jam kyçur në politikë do të doja që të jetoja këtu me familjen, që të mos jem vetëm dhe për shkak se unë e urrej pak udhëtimin dhe më konvenon që ta kem familjen këtu, që të mos udhëtoj shpesh mes Kosovës dhe Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: Pse vendoset të garoni për deputete?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Thënë të vërtetën, unë nuk e kam pasur kurrë as idenë apo dëshirën të garoj në politikë, po kur më erdhi oferta e parë nga partitë politike në Kosovë, të parën e refuzova, kur me erdhi e dyta vendosa që të bashkohem me Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak që t'i shtyj kauzat e mija përpara, siç është puna e drejtësisë dhe si trajtohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A keni pritur se do ta keni gjithë këtë mbështetje nga qytetarët ?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Kam pasur mbështetje të fortë, kam pasur mesazhe, telefonata, ku ta di. Më mbështetnin shumë. Siç e dini, unë nuk kam bërë fushatë, nuk kam pritur që do të kem përkrahje aq të madhe pa bërë fushatë. Për mua ka qenë pak e çuditshme.

Your browser doesn’t support HTML5

Krasniqi - Goodman: Do të jem zëri i viktimave të luftës në Kuvend

Radio Evropa e Lirë: Para një viti, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, keni qenë kritike për shoqërinë kosovare edhe krejt ata që nuk i kanë ndihmuar gratë, që i stigmatizojnë ato. Keni menduar që një ditë do të zgjidheni si deputete?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Jo, asnjëherë nuk kam menduar. Ky ka qenë një vendim i shpejt, nuk ka qenë diçka që kam menduar se do të jem deputete. Tash që jam, shpresoj që të jem zë i fuqishëm për të mbijetuarat dhe të shtyj kauzën time përpara, siç thash edhe më herët dhe si një deputete të shoh gjërat nga brenda, për të parë se si po trajtohen viktimat.

Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë fjalimit të saj para Kuvendit të Kosovës më 2020.

Radio Evropa e Lirë: Si e more vendimin për të hyrë në politikë?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Normal që kam biseduar me familjen, si me familjen në Kosovës ashtu edhe me familjen në Amerikë sepse për mua është një diçka e re, unë nuk jam politikane, por meqë vendosa të hyj në listë, ka qenë në momentin e fundit. Mund të them që ka qenë pak para se të dorëzohen emrat –lista e deputetëve – kur kam vendosur. U kam thënë po, po hyj me listën tuaj dhe ashtu vendosa shpejt e shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Për çka do të angazhoheni si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ju e dini, numër një për mua është drejtësia. Të ketë drejtësi për të gjitha viktimat e luftës së Kosovës, t’i shtyj përpara. Po ashtu edhe stigmën, për ta thyer stigmën sepse prapëseprapë në Kosovë viktimat janë shumë të stigmatizuara si nga familja, shoqëria e nga institucionet. E këto dyja janë qëllimet e mija pse unë dua të jem në parlament. Edhe për gjërat e tjera, për të gjitha viktimat e luftës sepse siç e dimë, nuk ka shumë serbë që janë dënuar për krimet që i kanë bërë në Kosovë, pa marr parasysh a janë për vrasjet, masakra, për dhunimet. Kështu që unë jam aty për të kërkuar drejtësi dhe për t'ia kujtuar edhe shtetit të Kosovës (që) të luftojë më shumë për drejtësi, por edhe Serbisë, t’ia rikujtoj për çdo ditë se çka ka ka bërë në Kosovë para 22 vjetësh... sepse i kemi harruar pak krimet e luftës.

SHIKONI EDHE: Zëri "që duhet dëgjuar" në dialogun me Serbinë

Radio Evropa e Lirë: Në sallën e Kuvendi të Kosovë do të jenë të pranishëm edhe deputetë serbë. Si do të silleni me ta?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Shikoni, ka për të qenë diçka e vështirë për mua, meqë janë pala serbe dhe e dimë të gjithë se çka kanë bërë dhe kush i udhëheq ata. Sigurisht se ata udhëhiqen nga shteti i Serbisë. Por, kur punon me një institucion të përbashkët në Kosovë, duhet ta gjesh atë balancën dhe respekti është i dyanshëm, nuk është i njëanshëm. Ka për të qenë pak e vështirë, por varet se si do të sillen ata me mua, edhe unë sillem me ta si ta meritojnë.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur qëndrim se zëri ë viktimave të dhunës seksuale duhet të dëgjohet në procesin e dialogut me Serbinë. Mendoni ende kështu dhe cili do të jetë kontribut i juaj për këtë çështje?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Duhet të dëgjohet zëri. Me sa e di unë, dhuna nuk është përmendur kurrë në asnjë (proces) dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Është një diçka që duhet të përmendet. E tash, se a do të jem unë pjesë apo ajo, varet krejt prej dikujt tjetër, jo nga unë. Por, unë konkretisht nëse do të jem pjesëmarrëse aty, do t'ia përmend Serbisë krimet që ka bërë sepse unë jam dëshmitare e gjallë për krimet e Serbisë dhe ata duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe jo të mohojnë krimet që kanë bërë.

SHIKONI EDHE: Në kërkim të drejtësisë pas 20 vjet heshtjeje

Radio Evropa e Lirë: Sa ka qenë e vështirë për ju të flisni publikisht për atë se çka ju ka ndodhur gjatë luftës?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ka qenë e vështirë, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time kur ne e dimë se çfarë shoqërie kemi në Kosovë dhe si ballafaqohemi ne me një temë tabu.

Ka qenë e vështirë, por unë jam falënderuese që kam pasur përkrahjen e familjes, duke nisur nga vëllezërit, motrat, bashkëshorti, fëmijët edhe familjes më të gjerë. Por, prapëseprapë është një gjë e vështirë sepse po të ishte e lehtë do të dëgjohej zëri edhe i 20 mijë vetave të tjera. Por, nuk kemi shumë që flasin për shkak të stigmës, edhe familjes edhe rrethit se si i trajtojnë ato nëse flasin për krimin që kanë përjetuar.

Krasniqi-Goodman viziton memorial "Heroinat" kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga ai moment kur keni vendosur të flisni publikisht për të kaluarën tuaj?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Jeta ime ka ndryshuar sepse nuk e kam atë jetën private siç e kam pasur përpara. Jam më e angazhuar, më aktiviste për të thyer stigmën për t'iu ndihmuar viktimave pa marr parasysh, sepse kemi viktima që më të vërtetë nuk kanë përkrahjen e askujt fare, as të familjes, të prindërve, vëllezërve apo të bashkëshortit.

Unë jam aty që sado pak t'ua lehtësoj jetën e përditshme, të më kenë mua aty që mund të flasin lirshëm, të mos jetë diçka që ato ta mbajnë në vete, po të më kenë mua për çdo ditë të flasim, sado pak t’ua lehtësoj vuajtjen.