Kosova harron vaksinimin në komunat serbe

Pamje afër qendrës së vaksinimit në Prishtinë

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë nuk ka qendra të hapura për vaksinim kundër koronavirusit.

Edhe pse popullata serbe është vaksinuar kryesisht në Serbi, në mesin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në këto mjedise, ka konfuzion se ku të vaksinohen.

Elvis Ahmeti nga Kllokoti, komunë me shumicë serbe pranë Gjilanit, nuk e di se ku mund ta marrë vaksinën kundër koronavirusit, sepse në këtë vend nuk është hapur ndonjë qendër vaksinimi.

Ngjashëm thotë për Radion Evropa e Lirë edhe Bajram Haziri nga Kllokoti.

“Unë mendoj se do ta marr [vaksinën] në Viti [komunën fqinje], sepse nuk ka asnjë qendër në Kllokot”, thotë ai.

Bazuar në të dhënat komunale, në Kllokot jetojnë mbi 4,000 qytetarë - 35 për qind e të cilëve janë nga komuniteti shqiptar.

Radhë të gjata për vaksinim

Pas tollovisë së krijuar më 14 maj para qendrës së vaksinimit në Prishtinë, ku kishin shkuar edhe qytetarë të komunave të tjera, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë në qendrat e vaksinimit në komunat e tyre, ku do t’i merrnin informacionet e nevojshme dhe do të vaksinoheshin.

Qendra të tilla janë hapur në 29 nga 39 komunat e Kosovës. Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe dhe, përveç në Novobërdë pranë Gjilanit, nuk është hapur asnjë qendër tjetër imunizimi.

Komunat ku nuk janë hapur qendrat e vaksinimit kundër koronavirusit, janë: Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

Transportimi me autobusë i qytetarëve serbë nga Kosova për të marrë vaksinën kundër COVID-19 në Serbi, në janar, 2021.

Rexhepi: Për shkak të sistemeve të ndara shëndetësore, shqiptarët nga Kllokoti shërohen në një komunë tjetër

Silvia Rexhepi, zëvendëskryetare e Komunës së Kllokotit për çështjet e komunitetit, tha për Radion Evropa e Lirë se kujdesi shëndetësor në këtë vetëqeverisje lokale nuk funksionon sipas sistemit të Kosovës dhe se shqiptarët vaksinohen në Vitinë fqinje.

“Ne edhe injeksionet, insulinën, në Viti i marrim. Të gjithë e dinë këtë”, tha Rexhepi.

Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, dhe drejtori i Departamentit të Shëndetësisë, Goran Marinkoviq, nuk kanë qenë në dispozicion për ndonjë deklaratë rreth temës së vaksinimit që kryen sistemi shëndetësor i Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, tha se qyteti ka marrë rreth 200 vaksina nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe se me to do të vaksinohen kryesisht qytetarë të komunitetit shqiptar, sepse “serbët tashmë janë vaksinuar”.

“Ka filluar [vaksinimi] i njerëzve mbi 80 vjeç, kështu që në terren po punon personeli i ngarkuar shëndetësor. Në çdo rast, vaksinimi ka filluar në mesin e njerëzve që duan, kryesisht njerëz nga komuniteti shqiptar”, tha Ivanoviq.

Pleurat Sejdiu, nga Oda Mjekësore e Kosovës, nuk deshi të komentojë faktin e moshapjes së qendrave të vaksinimit në komunat me shumicë serbe, duke thënë se kjo është “çështje politike”.

Ministria nuk përgjigjet se përse në mjediset serbe nuk janë hapur qendrat e vaksinimit

Radio Evropa e Lirë i dërgoi kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë me pyetjen se përse në komunat me shumicë serbe nuk janë hapur qendra për vaksinimin e qytetarëve, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pasur përgjigje.

Emini: Serbëve u dërgohet mesazh i keq

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, vlerësoi se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës po shënon dështim pas dështimi kur bëhet fjalë për procesin e imunizimit.

Me moshapjen e qendrave të vaksinimit në komunat me shumicë serbe, sipas saj, dërgohet një mesazh shumë i keq për serbët.

“Nëse Qeveria e Kosovës supozon se serbët e Kosovës do të vaksinohen në Serbi ose nga ana e Serbisë, kjo është edhe më keq. U dërgohet mesazh i qartë se nuk mund t’iu sigurojë ndihmën themelore”, tha Emini për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Kosova, sytë nga donatorët për vaksina  

Me këtë veprim, shtoi ajo, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës vetëm se po i shtyn serbët e Kosovës larg, në vend se t’i afrojë.

Emini tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas marrjes së pushtetit në muajin mars, në disa raste ka thënë se do të angazhohet për një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës. Qeveria e tij “po e bën të kundërtën tani”, tha ajo.

Kosova, deri më tani, ka marrë rreth 60,000 vaksina AstraZeneca nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë - i cili synon të shpërndajë vaksina në vendet e varfra - si dhe mbi 7,000 doza të vaksinës Pfizer, si donacion nga Bashkimi Evropian.

Në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, institucionet shëndetësore funksionojnë me sistemin e Serbisë, kështu që serbët nga Kosova janë vaksinuar në qytete në Serbi që nga fundi i vitit të kaluar.

Qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës, vaksinohen në Rashkë. Ata të Anamoravës shkojnë në Bujanoc, ndërsa ata të Kosovës qendrore në Kurshumli.

Qytetarët serbë nga Kosova presin për të marrë vaksinën kundër COVID-19 në Kurshumli, Serbi, më 28 janar, 2021.

Deri më tani, rreth 15,000 serbë të Kosovës kanë marrë dozën e parë të vaksinës në këto qytete, ndërsa 12,300 janë vaksinuar me dy doza.

Këto të dhëna i posedon Instituti i Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon me sistemin e Serbisë.

Institucionet shëndetësore që veprojnë sipas sistemit të Kosovës, kanë filluar imunizimin në fund të marsit, duke vaksinuar punëtorët shëndetësorë, njerëzit mbi moshën 80 vjeç dhe të sëmurët kronikë.

Aktualisht, në zhvllim e sipër është faza e dytë e imunizimit, në kuadër të së cilës vaksinohen njerëzit e moshës 65-79 vjeç, stafi mësimdhënës dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e situatës pandemike.

Në fazën e tretë do të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve dhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se është planifikuar imunizimi i 50-70 për qind të popullsisë.

Deri në mesditën e së enjtes, numri i të vaksinuarve ka kaluar 54,000.

Komunat me shumicë serbe në Kosovë janë formuar pas procesit të decentralizimit në vitin 2008, i cili ishte paraparë me Planin e Ahtisaarit - një dokument mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Përgatiti: Valona Tela