Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Fushata e vaksinimit do të nisë javën e ardhshme dhe fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", një aeroplan i kompanisë, Turkish Airlines, solli dozat e vaksinës, të cilat kanë ardhur nga Amsterdami përmes Stambollit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se arritja e këtij kontigjenti do të mundësojë shpëtimin e jetës së njerëzve.
"Është ky një kontingjent i vogël, por që ngjallë shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetës së njerëzve, sidomos të personelit tonë shëndetësorë dhe grupeve popullsisë në rrezik", tha Kurti.
Ai tha se Kosova ka humbur kohë shumë për sigurimin e vaksinave, por shtojë se tani duhet të vepruar dhe sipas tij "vaksinimi duhet të fillojë menjëherë" dhe pa vonesa.
"Vendi ynë është i vogël dhe varfër andaj edhe ka nevojë për mbështetje të madhe dhe solidaritet nga të gjithë, e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët kryesorë të aleancës GAVI COVAX", shtoi Kurti.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se Kosova tani fillon fazën e re të luftës kundër pandemisë, përmes nisjes së vaksinimit.
"Edhe pse vaksinimi po fillon, nuk do të thotë se kësaj pandemie po i vjen fundi", tha Vitia, duke kërkuar që të vazhdohen të respektohen masat kundër koronavirusit siç është mbajtja e maskës, e distancës dhe e higjienës personale.
“Gjatë kësaj kohe kemi filluar takimet më të gjitha institucionet shëndetësore, organizatat relevante dhe partnerët ndërkombëtarë, për të diskutuar rreth gjendjes në të cilën jemi dhe vendimet e shpejta që ne duhet t'i marrim. Ne tashmë kemi filluar punën intensive për të siguruar dozat e radhës të vaksinës, siç është komunikuar gjatë ditës se djeshme (e shtunë), Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga Bashkimi Evropian edhe 650 mijë doza të vaksinës (së kompanisë amerikane) Pfizer”, tha Vitia.
I pranishëm në ceremoninë e pritjes së këtij kontigjenti të vaksinave, në aeroportin "Adem Jashari" ishte edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.
Ai, përmes një postimi në Twitter tha se SHBA-ja është krenare që është kontribuese e programit COVAX.
Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri tha se që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë, ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë.
“Kjo ditë shënon fillimin e fundit të COVID-19 në Kosovë”, tha Serri.
Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicolas Abbot tha se është i lumtur që Kosova pranoi vaksinat e para.
"Shpresoj që të shoh së shpejti zbatimin e mëtejmë të fushatës së vaksinimit", theksoi Abbott.
Përfaqësuesja e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se pavarësisht se arritja e këtyre vaksinave sjell shpresë, qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat kundër pandemisë.
“Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë nuk jemi të sigurt”, theksoi ajo.
Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqës të programit ndërkombëtar COVAX, kanë për qëllim të shpërndajnë vaksina në vende të varfra.
Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.
Ditëve të fundit, në Kosovë është regjistruar rritje e rasteve me koronavirus. Të dielën, u regjistruan dhjetë viktima dhe 914 raste. Kjo është shifra më e lartë e infektimeve ditore që janë regjistruar më 2021.
Që prej marsit të kaluar, kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, Kosova ka regjistruar 87.981 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet.
Plani i vaksinimit
Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.
Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
SHIKONI EDHE: Plani i Kosovës për vaksinimin kundër COVID-19Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.
Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.
Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.
Më herët, autoritetet kanë thënë se do të përdorin sallën “1 Tetori” në Prishtinë si qendër të vaksinimit.
SHIKONI EDHE: Kosova s'ka të dhëna se kush duhet ta marrë vaksinënVaksina e AstraZenecas
Kompania farmaceutike AstraZeneca, e ka zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Vaksina administrohet te personat mbi 18 vjeç dhe jepet përmes dy dozave.
Intervalet ndërmjet dozave variojnë nga katër deri në 12 javë. Disa studime kanë sugjeruar se sa më e gjatë të jetë distanca kohore ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më shumë ka gjasa që vaksina të nxisë imunitet kundër sëmundjes COVID-19.
SHIKONI EDHE: Gjërat që duhet t’i dini për vaksinën e AstraZenecasAstraZeneca ka thënë se efikasiteti i vaksinës së saj në parandalimin e simptomave të COVID-19 është 76 për qind.
Në fillim të marsit, një sërë shtetesh pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, për shkak të efekteve anësore. Në disa shtete u raportuan raste të mpiksjes së gjakut, pas administrimit të vaksinës. Por, më 18 mars, Agjencia Evropiane e Barnave tha se kjo vaksinë është e sigurt për përdorim.
Sipas rregullatorit evropian, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet.
Disa shtete evropiane, përfshirë edhe Gjermaninë, janë përballur me refuzim të popullsisë mbi 65 vjeç për ta marrë këtë vaksinë. Kjo për faktin, se gjatë studimeve për zhvillimin e vaksinës së AstraZenecas, nga ky grup shoqëror ka pasur pak pjesëmarrës në studime.
Your browser doesn’t support HTML5
Por, përkundër kësaj, në shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandoi që kjo vaksinë të administrohet edhe për moshat mbi 65 vjeç.
Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normalë në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.