Më 21 maj, Alfred Galimov u kthye në apartamentin e përbashkët me të dashurën e tij në Naboraznaj Çelny, një qytet pranë lumit Vollga në Tatarstan, pas një dite ushtrimesh ushtarake në kryeqytetin rajonal, Kazan.
Si anëtar i batalionit Alga, një njësi e përbërë kryesisht nga burra të rekrutuar në Tatarstan, 34-vjeçari ishte planifikuar të kthehej në fushëbetejë në Ukrainë pas një pauze pesëmuajshe.
Atë mbrëmje, ai i dërgoi mesazh një të afërmi për t'ia kërkuar 200.000 rubla (2.047 euro). Kjo shumë ishte gati katërfishi i pagës mesatare mujore në atë rajon dhe, si e tillë, ishte një kërkesë e çuditshme për një ushtar që do të largohej për në luftë.
Të nesërmen në mëngjes, Galimov u gjet i varur në një litar në banjën e apartamentit të tij. Ishte qartazi një vetëvrasje.
Ai nuk la asnjë shënim, por një e afërm, e cila foli për Radion Evropa e Lirë, tha se Galimov ishte i frikësuar të kthehej në front. Ai mund t’i ketë dashur paratë për t'i dhënë si ryshfet që të dalë nga shërbimi ushtarak, tha ajo.
“E pashë që nuk donte të kthehej në luftë”, tha e afërmja, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së temës.
Ndërsa numri i të vdekurve rritet 16 muaj pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, që është kthyer në konfliktin më të madh të armatosur të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë ushtarë të mbijetuar nga të dyja palët kanë mbetur të traumatizuar nga bombardimet e vazhdueshme, trupat e shkatërruar dhe frika nga vdekja e afërt. Në Ukrainë, shumë civilë janë prekur, gjithashtu.
Përderisa raportet për vetëvrasje të ushtarëve rusë deri më tani kanë qenë të pakta, ekspertët thonë se kjo mund të jetë pjesërisht për shkak të përpjekjeve të familjeve dhe ushtrisë për t'i mbajtur ato të fshehta. Ata thonë është vetëm çështje kohe para se problemet e shëndetit mendor në mesin e luftëtarëve dhe veteranëve të luftës të bëhen problem serioz.
“Periudhat e gjata të dislokimit, kujdesi i pamjaftueshëm ndaj shëndetit mendor gjatë pushimit në shtëpi, bashkë me kushtet e këqija të shërbimit dhe numrin e madh të viktimave - mendoj se ka shumë të ngjarë që këto gjëra t’i shtyjnë disa drejt vetëvrasjes”, tha për Radion Evropa e Lirë Dara Massicot, një studiuese e lartë e politikave në Rand Corporation, një institut me bazë në SHBA.
“Unë mendoj se ka gjasa që të ketë një krizë të madhe me veteranët rusë të kësaj lufte”, tha Massicot.
SHIKONI EDHE: Shqetësime për varësinë nga droga të ushtarëve rusë të kthyer nga luftaShërbim pa afat
Si shofer transporti, që ka jetuar me një partner qe një kohë të gjatë dhe pa fëmijë, Galimov mezi po ia dilte mbanë kur doli vullnetar në verën e vitit 2022 për shërbim katërmuajsh në Ukrainë me batalionin Alga. Familja e tij protestoi, por oferta për një pagë që mund të kishte qenë deri në 195.000 rubla në muaj (1.996 euro) triumfoi.
Në atë kohë, disa muaj pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, forcat ruse po fitonin ngadalë terren në Ukrainën lindore, duke lëvizur përtej territorit në Donbas, ku Moska kishte ndihmuar forcat anti-Kiev në një luftë që shpërtheu atje pasi Kremlini nxiti separatizmin në vitin 2014. Televizioni shtetëror ekzagjeroi suksesin e ushtrisë ruse dhe minimizoi humbjet kyçe të saj, duke i lënë shumë vullnetarë të ardhshëm me pritje jorealiste për luftën.
Dy muaj pas dislokimit së Galimovit si oficer komunikimi, ushtria ukrainase nisi një kundërofensivë të fuqishme, duke goditur forcat ruse në verilindje dhe jug, si dhe duke rimarrë sasi të konsiderueshme territori.
Shkaku i mungesës së fuqisë punëtore, Rusia shpalli një thirrje masive dhe ndaloi përkohësisht ushtarët me kontratë dhe vullnetarët të largoheshin nga shërbimi. Shërbimi katërmuajsh i Galimovit u shndërrua në një periudhë gjashtëmujore që tani ishte vetëm pjesa e parë e shërbimit të pacaktuar.
Ai u kthye për një pushim në janar si një person tjetër, tha e afërmja e tij.
“Lufta ndikoi shumë në psikikën e tij. Ai u bë gjaknxehtë. Ndjeva se po tërhiqej në vetvete, por kurrë nuk e kisha menduar se do të përfundonte me vetëvrasje”, tha ajo.
Në mesazhet me të afërmen e tij, Galimov e bëri të qartë se ai është ballafaquar me tmerret dhe sfidat e luftës. Ajo tha se pas një sulmi nga forcat ukrainase në një vend të paidentifikuar, ai ndihmoi në evakuimin e pjesëtarëve të plagosur dhe ndoshta edhe të vdekur të batalionit të tij, për të cilin iu dha një medalje për trimëri.
Gjatë shërbimit të Galimovit, Alga luftoi në zonat ku luftimet ishin intensive, rreth kryeqytetit rajonal të Hersonit në jug dhe Lisiçiansk në lindje. Ukraina rimori Hersonin në nëntor, ndërsa forcat ruse u tërhoqën në bregun lindor të lumit Dnjepër pas disa muaj betejash të ashpra.
Në Tatarstan ka pasur zëra se Alga, që do të thotë “përpara” në gjuhën tatarishte, ka pësuar humbje të mëdha në luftë. Shifrat e viktimave nuk janë publikuar nga shteti. Radio Evropa e Lirë ka arritur t’i konfirmojë 20 vdekje nga një forcë prej rreth 600 ushtarësh.
Në janar, pasi Galimovi ishte kthyer në Rusi për pushimin e tij, Alga u dërgua në Vuldehar në rajonin e Donjeckut, ku ata u shpartalluan nga forcat ukrainase muajin e ardhshëm në një betejë të ashpër që thuhet se la të vdekur shumë nga pjesëtarët e saj. Disa prej trupave të tyre nuk janë gjetur.
Edhe para debaklit të shkurtit, anëtarët e batalionit ishin të pakënaqur me kushtet e tyre.
SHIKONI EDHE: “Nuk e di se si mbijetova”: Ushtarët rusë tregojnë si po zhvillohet lufta në DonbasAta u ankuan nëpërmjet një letre në nëntor se u mungojnë automjetet, pajisjet e komunikimit, veshmbathja dimërore, këpucët dhe furnizimet ushqimore. Në mesazhet për të afërmen e tij, Galimov gjithashtu ankohej për mungesa të ushqimit, duke i thënë se kishte mbetur i uritur disa ditë me radhë.
Dy anëtarë që i ishin bashkuar batalionit pothuajse në të njëjtën kohë me Galimovin u kthyen në shtëpi pa leje dhe kërkuan të liroheshin nga përmbushja e kontratës së tyre origjinale katërmujore. Kërkesa e tyre u refuzua nga një gjykatë e Kazanit në prill.
Në mars, një muaj pas gjakderdhjes në Vuldehar, ushtria ruse ngriti padi ndaj tetë ushtarëve nga Tatarstani për dezertim në luftë. Gjashtë padi të tilla ndaj ushtarëve të këtij rajoni ishin ngritur gjatë gjithë vitit 2022.
Problemet me shikim
Galimov pësoi disa dëmtime në shikim në njërin sy pasi një bombë kishte shpërthyer pranë tij, tha e afërmja e tij. Kur u kthye nga fronti në janar, kërkoi ndihmë mjekësore. Ndonëse gjendja e syrit të tij nuk u përmirësua, nuk u konsiderua aq serioze sa për ta liruar atë nga shërbimi, tha ajo.
Galimov i tha të afërmes së tij se nuk kishte kuptim ta falsifikonte një lëndim shtesë, sepse ushtria do ta kthente përsëri.
Është e paqartë nëse Galimov pësoi një dëmtim traumatik të trurit (TBI) ose vuante nga sindroma e stresit post-traumatik (PTSD) pas incidentit të bombës. Një rast i moderuar i TBI-së mund të çojë në efekte të pakëndshme të përhershme si dhimbje koke të shpeshta, humbje të shikimit dhe ndryshime të personalitetit.
Një studim i fundit në SHBA zbuloi se shkalla e vetëvrasjeve në mesin e veteranëve amerikanë që kishin përjetuar dëmtim të lehtë traumatik të trurit, i njohur si tronditje, ishte tri herë më e lartë se popullata e përgjithshme. Shifra për personat me TBI të moderuar dhe të rëndë ishte edhe më e lartë.
Gjatë pushimit të tij pesëmuajsh, Galimov nuk mori asnjë ndihmë për shëndetin mendor.
SHIKONI EDHE: Mijëra ushtarë rusë të sapomobilizuar "nuk janë të pajisur mirë"Rusia ka një sistem jashtëzakonisht të pazhvilluar të kujdesit të shëndetit mendor për veteranët, që së shpejti mund ta gjejë veten të mbingarkuar, thonë ekspertët.
Në një artikull opinion në The Economist në maj, Massicot vuri në dukje se, sipas avokatëve të veteranëve, Rusia ka dhjetë spitale që i shërbejnë ish-personelit ushtarak dhe vetëm njëri prej tyre fokusohet në kujdesin psikiatrik. Ajo qendër ka 32 shtretër.
“Askush nuk po punon për këtë çështje [të PTSD]”, tha për REL-in Borisi, një 44-vjeçar nga rajoni Udmurtia i Rusisë, i cili vuan nga ky problem dhe ishte dislokuar në rajonin e Luhanskut të Ukrainës nga viti 2014 deri më 2019, gjatë luftës së Donbasit.
Ai tha se PTSD-ja do të përbëjë një problem shumë të rëndësishëm për shoqërinë ruse pas luftës në Ukrainë sesa pas luftës në Afganistan të Bashkimit Sovjetik dhe luftërave në Çeçeni në vitet 1990 dhe 2000, për shkak të vdekjes dhe shkatërrimit më të madh që është përjetuar në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësuan në shkurt se pothuajse 200.000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftimet në Ukrainë. Ky numër vetëm është rritur që atëherë, mes luftimeve të vazhdueshme intensive në Bahmut dhe nisjes së fundit të një kundërofensive ukrainase.
SHIKONI EDHE: Të rekrutuarit rusë: Të dehur, pa uniforma, pa ushqimeErik de Soir, profesor belg dhe specialist i traumave psikologjike, i tha Radios Evropa e Lirë se të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë do të kenë PTSD. Kjo përfshin jo vetëm ata që ndienin kërcënimin e vdekjes, por ata që ishin dëshmitarë të brutalitetit.
Kjo e shton numrin e luftëtarëve rusë që potencialisht kanë nevojë për kujdes të shëndetit mendor në dhjetëra mijëra.
Kur nisi pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, priste një luftë të shkurtër fitimtare në Ukrainë. Tani, Rusia po lufton për të ndërtuar ose përmirësuar objektet për t’i ndihmuar ushtarët që kthehen me probleme psikologjike.
Rusia këtë pranverë njoftoi një program pilot të PTSD-së për ushtarët e kthyer dhe tha se planifikon të krijojë qendra të mbështetjes së veteranëve në secilin nga tetë rrethet federale të vendit, vuri në dukje Massicot në artikullin e The Economist. Qendrat kanë për qëllim të ndihmojnë veteranët e kthyer të gjejnë kujdesin fizik dhe mendor që u nevojitet, si dhe të ofrojnë punësim dhe ndihmë ligjore.
“Është shumë herët për të thënë nëse kjo do ta zbusë goditjen ndaj një sistemi shëndetësor që tashmë është i mbingarkuar”, shkroi ajo.
E afërmja e Galimovit tha se vetëvrasja e tij erdhi si një tronditje e dhimbshme dhe solli pikëllim që nuk do të zbehet. Por, ajo tha se, për familjen, vdekja e tij ndryshonte nga vdekja e të tjerëve në batalion.
“Të paktën ne e dimë se ku është varri i tij. Unë mund të shkoj ta vizitoj”, tha ajo.