Ndërlidhjet

Shqetësime për varësinë nga droga të ushtarëve rusë të kthyer nga lufta


Rekrutët rusë - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Rekrutët rusë - Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Ministria e Mbrojtjes ka një departament për rehabilitimin psikologjik, por nuk po bëhet asnjë punë reale për trajtimin në shkallë të gjerë të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD)”, tha një doktor i specializuar për varësinë nga droga në rajonin e Rostovit të Rusisë, i cili gjendet në kufi me Ukrainën.

“Mirëpo, kur ata persona shohin tmerret e luftës - gjymtyrë të prera, plagë të hapura, vdekje – shumë prej tyre do të mundohen t’i largojnë ato mendime me alkool dhe drogë. Përndryshe ata do të çmendeshin”, shtoi doktori për REL-in, i cili kërkoi që identiteti i tij të mos zbulohej.

Në mënyrë që të konfirmohet një krizë potenciale, do të merrte kohë së paku një ose dy vjet.

Teksa dhjetëra mijëra ushtarë të regjistruar për të shërbyer në luftën e Rusisë në Ukrainë kanë filluar të kthehen në shtëpi, ekspertët ushtarakë dhe të shëndetit publik që folën për Radion Evropa e Lirë, theksuan shqetësimet për një rritje të varësisë nga droga dhe pasojat e saj në shoqëri.

Sipas statistikave të qeverisë, varësia ndaj amfetaminave sintetike, veçanërisht mefedronit, e njohur shpesh si "kripa" në Rusi, tashmë është në rritje.

Që nga fillimi i qershorit, janë regjistruar raste penale të lidhura me mefedronin në zonën e Krasnodarit, Adygeya, rajonin e Moskës, Kostroma, Kurgan, Chelyabinsk dhe Perm, shumica e të cilave përfshijnë trafikim të dyshuar.

Analistët i thanë Radios Evropa e Lirë se një arsye pse rastet e drogës duket se po shtohen në ushtri, është se ushtarët fillimisht nuk janë kontrolluar për varësi nga droga. Qyteti lindor i Ukrainës, Donjeck, i cili qeveriset nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, është vendi ku trupat ruse kalojnë më së shumti kohë.

Një vullnetar rus që ndihmon në koordinimin e ndihmës humanitare në zonën e konfliktit, duke folur në kushte anonimiteti, tha se kushtet në Donjeck i shtynë ushtarët të përdorin drogë.

"Është pothuajse një vend që konsiderohet për t’u relaksuar - ka shumë restorante, klube dhe vende të tjera argëtimi. Nuk është e vështirë të blesh drogë. Ushtarët që vijnë nga vija e frontit, veçanërisht ata që janë në gjendje të marrin pagën e tyre në para, përfitojnë nga kjo. Dhe, komandantët priren të mos ndërhyjnë”, tha ai.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë të dosjeve të gjykatave të shumta në Rusinë jugperëndimore, ku ushtarët nga lufta në Ukrainë ka të ngjarë të dalin në gjyq, numri i çështjeve të lidhura me drogën që kalojnë nëpër gjykatat ushtarake ruse tashmë është në rritje.

Në Krasnodar, një gjykatë ushtarake dha një dënim për posedim droge në vitin 2020 dhe tre të tjerë në vitin 2021 dhe 2022. Megjithatë, vetëm në mars të këtij viti pati tri dënime të tilla.

Në shumicën e rasteve që Radio Evropa e Lirë i hulumtoi, gjykata e uli dënimin pasi mori parasysh përvojën luftarake të ushtarit dhe çfarëdo dekorate lufte.

Ushtari me kontratë, Aleksei Sokologorsky, u shpall fajtor në prill nga gjykata ushtarake në Pyatigorsk, në rrethin e Stavropolit, për blerjen e dy gramë substance mefedron në Kamensk-Shakhtinsky, një qytet afër kufirit me Ukrainën.

Gjykata e dënoi Sokologorsky me tre vjet e gjysmë me lirim me kusht, pavarësisht faktit se një dënim për posedim "në shkallë të gjerë" zakonisht kërkon burgim prej tre deri në dhjetë vjet. Kjo u bë pasi mori parasysh një dekoratë ushtarake të fituar gjatë luftimeve në Ukrainë.

Eduard Moiseyev, një tjetër ushtar me kontratë, u shpall fajtor në mars nga një gjykatë ushtarake në Rostov-on-Don, kryeqyteti i rajonit, për blerjen e mefedronit. Pavarësisht nga dosja jo e mirë ushtarake e Moisejevit, gjykata mori parasysh kohën e kaluar duke shërbyer në Ukrainë dhe i dha atij dënimin minimal prej 220 eurosh.

Aslan Dotdayev, gjithashtu ushtar, u gjobit me 330 euro në po të njëjtin muaj nga një gjykatë e Rostovit për posedim të marihuanës. Të dhënat tregojnë se iu gjet droga pasi u arrestua nga policia ushtarake në gjendje të dehur. Gjykata fshehu vendndodhjen e ndalimit të tij, gjë që ekspertët ligjorë pohojnë se është një tregues se krimi ka ndodhur në një zonë të pushtuar të Ukrainës.

Vadim Bai u dënua me gati tre vjet burgim në maj nga gjykata e Krasnodarit, pasi e shpalli atë fajtor për mosbindje ndaj urdhrave gjatë "një kohe mobilizimi dhe aksioni ushtarak". Ai me sa duket refuzoi të transferohej në një zonë luftimi duke thënë se kishte varësi nga droga. Terapia e tij për varësinë u zhvillua midis dhjetorit 2022 dhe janarit 2023, sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga të afërmit e tij.

*Video nga arkivi për mercenarët e kthyer të grupit Wagner

Mercenarët e kthyer të Wagner-it akuzohen për mori krimesh të dhunshme
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

"Veçse ka vdekur"

Sipas librit të vitit 2016 ‘Duke gjuajtur lart: Një histori e drogës dhe luftës’, nga historiani polak Lukasz Kamienski, çështja e varësisë nga droga tek ushtarët është një histori e gjatë.

Sipas Kamienskit, një studim i Pentagonit i vitit 1973 zbuloi se deri në 15 për qind e anëtarëve të shërbimit amerikan që u kthyen nga Vietnami ishin të varur nga heroina. Një përqindje shumë më e lartë ishin duke abuzuar me amfetamina si Benzedrine.

Në librin e tij, Kamienski argumenton se abuzimi me amfetaminën mund të ketë qenë një faktor kontribuues në disa nga mizoritë e kryera nga ushtarët amerikanë ndaj civilëve vietnamezë.

"Për ushtarët, një vetë-mjekim i tillë është shpesh mënyra e vetme për të reduktuar barrën psikologjike të luftimit dhe tmerret e luftës", tha ai.

Sipas Kamienskit, shumë ushtarë sovjetikë që ishin vendosur në Afganistan në vitet ’80, u bënë të varur nga heroina. Ka pasur raste kur zyrtarët kanë shitur armatim për drogë.

Kam parë që shumë nga djemtë që janë kthyer, kanë ndryshuar shumë".

Për të vazhduar “zakonin” e tyre edhe për pak kohë, "Ushtarët e kthyer zakonisht sillnin në shtëpi me vete hashash, heroinë ose opium... Shtimi i të varurve nga ushtarët ngriti çështjet e tjera përcjellësi në shoqërinë sovjetike. Kthimi i ushtarëve çoi në intensifikimin e kontrabandës së drogës nga Afganistani dhe Pakistani në Bashkimin Sovjetik”, shtoi ai.

Në prill, Insider, një media hulumtuese e fokusuar në Rusi, shqyrtoi komentet e bëra nga familjet e ushtarëve në grupet e private të bisedave në disa platforma të mediave sociale.

Një person tha: "Kam parë që shumë nga djemtë që janë kthyer, kanë ndryshuar shumë. Në fillim të marsit u kthye djali i një të afërmi. Ai tashmë ka vdekur nga mbidoza".

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG