Një grumbull kutish të mbushura me qese për kufoma, janë gjëja e parë që mund të shohësh në selinë e Lëvizjes ukrainase të Grave Veterane, organizatës më të madhe të ushtareve gra në Ukrainë.
Prej aty, çantat e zbrazëta bëhen gati për t’u dërguar në Bahmut, qytet në rajonin e Donjeckut, ku luftimet e ashpra janë duke vazhduar me muaj, ka thënë Olena Kharchenko, punëtore e angazhuar për dorëzimin e kutive.
“Kjo është ajo që bëjmë gati çdo ditë”, ka thënë ajo.
“Ne e kemi themeluar lëvizjen tonë për t'i mbrojtur të drejtat e grave ushtare dhe veteraneve”, ka thënë Kateryna Priymak, zëvendësshefe e organizatës, “mirëpo lufta e Rusisë na ka detyruar të fokusohemi në mbështetje maksimale për ushtrinë”.
Korridori i gjatë në selinë e lëvizjes të çon në disa dhoma magazinimi për pajisje ushtarake dhe humanitare, një punëtori për prodhim të dronëve, një dhomë për thurjen e rrjetave mbrojtëse dhe një dhomë të madhe ku vullnetaret mund të qepin uniforma ushtarake për gratë.
Pothuajse të gjitha shkojnë për ushtaret”, ka thënë Kharchenko.
Me rreth 50.000 gra aktive – përfshirë 5.000 në front të luftës, sipas zëvendësministres së Mbrojtjes, Hanna Malyar – ushtria ukrainase është një prej forcave me më së shumti gra në Evropë.
“Puna që quhet mbrojtja e atdheut”
Më shumë se 600 kilometra në lindje të Kievit, në fshatin Jatskivka të rajonit Donjeck – pjesë e Donbasit - togerja Lyubov Plaksyuk, është bërë gati për një tjetër betejë.
Plaksyuk – gruaja e parë që udhëheq një njësit të artilerisë në ushtrinë ukrainase – ka luftuar prej mëngjesit të 24 shkurtit, kur njësiti i saj është përballur me ato që i ka përshkruar si “bombardime konstante” nga ana ruse, që prej orëve të para të pushtimit rus.
Plaksyuk i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata rreth Kreminas – zonë kyçe logjistike, të cilën ukrainasit kanë tentuar ta rikthejnë në kuadër të kundërofensivës së suksesshme në rajonin fqinj të Harkivit – është “nën kontroll, por goxha e vështirë”.
“Është e vështirë të luftosh kundërshtarin që është superior, si në numra, ashtu edhe në armatim, dhe nuk i bëhet vonë se ku qëllon”, ka thënë ajo përmes telefonit.
Plaksyuk, e cila ka marrë pjesë në çlirimin e Limanit - zonë e rëndësishme hekurudhore në rajonin e Donjeckut - dhe zonave tjera në vjeshtën e vitit të kaluar, tani është përgjegjëse për situatën në terren.
“Ne nisim zogj që fluturojnë pak më shumë sesa që mund të shohim ne, kujdesemi për ata që kanë nevojë për dhurata të vogla dhe e shkatërrojmë armikun”, ka thënë ajo duke buzëqeshur, teksa e ka përshkruar përditshmërinë e saj me dronë dhe artileri.
Plaksyuk ka qenë në të 20-at kur ka hequr dorë nga karriera si mësuese e Historisë, më shumë se shtatë vjet më parë, pasi është mbyllur shkolla ku ka qenë duke punuar, prandaj edhe ka vendosur të realizojë “ëndrrën” e angazhimit në ushtri.
“Është një punë që quhet mbrojtja e atdheut, dhe kjo është ajo që po bëj tani”.
Plaksyuk është njëra prej vetëm dy grave në njësitin e saj.
Gjinia “nuk luan rol”, ka thënë ajo, duke shtuar se kolegët e saj burra kanë “respekt të plotë” për profesionalizmin e saj.
“Jam këtu ku jam, sepse kam punuar për ta fituar”, ka thënë ajo.
"Jeta nuk më ka përgatitur për këtë gjë"
Më shumë se 1.000 kilometra në perëndim, në qytezën Ustiluh në kufirin ukrainas me Poloninë, një roje kufitare 26-vjeçare, Alina Panina, kryen kontrollet doganore me ndihmën e qenit.
Panina ka qenë gjithmonë e interesuar në punën me qen dhe ka dashur të ketë karrierë në uniformë, që prej fëmijërisë.
Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për dallim nga Plakyuk, ajo nuk e ka besuar kurrë se do ta gjente veten në epiqendër të luftës.
“Jeta nuk më ka përgatitur për atë që do të ndodhte”, ka thënë ajo.
Kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar, ajo ka qenë në Mariupol, në qytetin e rajonit Donbas – një shënjestër kritike e Rusisë.
Atje, ajo i ka kontrolluar ngarkesat për kontrabandë eventuale.
Pak pasi raketat e para ruse kanë goditur Mariupolin, ajo është urdhëruar që t’iu bashkohet forcave për mbrojtje të fabrikës së çelikut Azovmash dhe më pas është bartur në fabrikën e rrethuar të Azovstalit.
Teksa trupat ruse kanë rritur presionin në këtë zonë, ajo u ka ndihmuar luftëtarëve ukrainas duke gatuar për ta dhe duke ua shëruar plagët, bashkë me gratë tjera.
“Ata na kanë thënë që shikimi ynë u ka dhënë shpresë”, ka rikujtuar Alina.
Në mesin e muajit maj, ajo ka qenë në mesin e qindra ushtarëve ukrainas që i janë dorëzuar një fati të paqartë, pas disa javësh fshehjeje nëpër bunkerë dhe tunele të Azovstalit.
Ajo është mbajtur rob për katër muaj e gjysmë në burgun famëkeq Olenivka, të kontrolluar nga forcat ushtarake ruse në Donjeck.
Në korrik të vitit të kaluar, në këtë burg janë vrarë dhjetëra robër, si pasojë e sulmeve vdekjeprurëse.
Ajo ka treguar se ka jetuar në kushte “çnjerëzore” me 27 gra tjera, në një qeli ku do të duhej të ishin katër gra.
Mirëpo, pjesa më e vështirë, tregon ajo, ka qenë “izolimi prej botës jashtë”.
Panina është liruar me më shumë se 100 gra ukrainase gjatë këmbimit të të burgosurve në tetor.
SHIKONI EDHE: Ukraina njofton se 108 gra të burgosura janë liruarPas shumë ditësh të udhëtimit me sy të mbyllur, ajo është kthyer në shtëpi.
Bashkëshorti i saj, po ashtu ushtar, me të cilin ka jetuar në Mariupol, vazhdon të jetë i zënë rob.
“Jam bërë më e fortë dhe më e ashpër sesa që e kam menduar ndonjëherë”, ka thënë Panina, “mirëpo kam mësuar edhe se burrat qajnë shumë, gjithashtu, kur e shohin që shokët e tyre po vdesin çdo ditë”.
Pas një periudhe të shkurtër të pushimit dhe rehabilitimit, ajo ka thënë se ka vendosur t’i kthehet shërbimit ushtarak për të bërë “çfarëdo që është e nevojshme që t’i afrohet fitores”.
Rrugë e dhimbshme
Në selinë e Lëvizjes ukrainase të Grave Veterane në Kiev, dy ushtarë – një burrë dhe një grua me emrat Monk dhe Bambi – kanë arritur nga zona e luftës për të marrë furnizime.
Në mesin e gjërave tjera, ata kanë marrë edhe dhurata për vitin e ri për gratë ushtare, të cilat i ka dhuruar një organizatë partnere.
Në to ka pasur ilaçe kundër dhimbjes, fasha, kremra kundër lëkurës së tharë dhe peceta të lagura.
Kharchenko e ka shtuar në secilën çantë edhe nga një kukull ushtare që e ka thurur me duar.
“Ukraina është duke ecur përpara me ritëm shumë të shpejtë. Ne e kemi dëshmuar që mund t’i bëjmë ballë pushtimit rus, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme për të siguruar fitoren e shpejtë”, ka thënë Priymak, i ulur në një kolltuk.
Tani menaxhere e organizatës me rreth 500 gra anëtare, Priymak ka qenë 21-vjeçare kur Rusia ka rritur tensionet që kanë çuar në nisje të luftës në Donbas më 2014, pas protestave në Kiev që kanë rezultuar me rrëzimin nga pushteti të presidentit ukrainas të afërt me Kremlinin, Viktor Yanukovuych.
Atëbotë ajo ka qenë e angazhuar si vullnetare në një batalion mjekësor dhe ka punuar për 11 muaj si ndihmëse mjekësore në front të luftës.
“Mosha dhe gjinia nuk luajnë rol në motivimin për të luftuar”, ka thënë ajo.
“Pas protestave të vitit 2014 në Kiev (Euromaidan) rrethi im shoqëror e ka ndjerë që nëse nuk luftojmë, ne do të humbim lirinë për vetëidentifikim dhe për të formësuar vendin në të cilin jetojmë”.
Mirëpo, ajo po ashtu ka thënë se kur ka nisur lufta në Donbas, ushtria ukrainase – që shpesh është përmendur për korrupsion, mungesa bazike të furnizimeve dhe shumë probleme tjera – ka qenë shpesh armiqësore ndaj grave.
“Ne e kemi dëgjuar shumë shpesh shprehjet si ‘Lufta nuk është vend për gratë’, ‘Më mirë të rrini në shtëpi me fëmijët’, apo ‘Kur vdes një grua, vdes edhe morali i secilit’”, ka rikujtuar ajo.
Deri më 2018, legjislacioni ukrainas nuk u ka mundësuar grave që të angazhohen në pozicione luftarake, ka thënë sociologia, Anna Kvit, e cila ka analizuar ushtaret ukrainase prej vitit 2015.
Si rezultat, ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se luftëtaret vullnetare janë regjistruar si kuzhiniere, pastruese dhe kontabiliste, edhe nëse kanë marrë pjesë në luftë si snajperiste, lansusese granatash, në operacione zbulimi apo në operacione të artilerisë.
Kvit ka thënë se diskriminimi ligjor u ka pamundësuar shumë grave që të luftojnë në Donbas.
Tani, kur një diskriminim i tillë ligjor nuk ekziston më, një tjetër problem e ka ngritur kokën.
Fakti që ushtria ukrainase ka nisur të prodhojë uniforma për gratë, pas pothuajse nëntë vjetëve, është “shenjë e përparimit”, mirëpo po ashtu tregon që “edhe infrastruktura më bazike nuk është e përgatitur për gratë”, ka thënë Kvit.
Priymak – e cila ka shërbyer dy javë si mjeke gjatë kundërofensivës ukrainase në rajonin e Hersonit – ka thënë se ushtaret ukrainase kanë dalë në pah pas shumë viteve në errësirë.
“Lufta është kohë e vështirë për kritika, mirëpo janë aq shumë gjëra për t’u kritikuar”, ka thënë ajo.
SHIKONI EDHE: Me gjithë koston e lartë, ukrainasit më të bashkuar se kurrë‘E gjitha kjo është torturë’
Sipas Kvit-it, pavarësisht ndryshimeve graduale për statusin e grave në ushtri, ngacmimet seksuale nuk janë të definuara mirë në ligjin ukrainas, prandaj nuk ekzistojnë procedurat e duhura për t’u marrë me këtë problem në ushtri dhe shpesh ato kalojnë të paraportuara.
Oksana Hryhoryeva, këshilltare gjinore e komandantit të ushtrisë ukrainase për forcat tokësore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se prej fillimit të luftës së Rusisë, asaj i janë raportuar dy raste të ngacmimit apo diskriminimit gjinor.
Mirëpo, ajo ka pretenduar se një situatë e tillë e reflekton shumë mirë realitetin.
“Nuk ka ngacmime në front të luftës”, ka thënë ajo, duke shtuar se “gratë në ushtri i bëjnë burrat që të shfaqin anën e tyre më të mirë”.
Hryhoryeva ka thënë se shumica e përpjekjeve të saj lidhen me pasojat e dhunës seksuale nga forcat ruse në tokat ukrainase, rehabilitimi i ushtarëve që kanë stres post-traumatik, si dhe me ngushëllimin e familjarëve të ushtarëve që kanë vdekur në luftë.
“Bindja se gratë nuk kanë vend në ushtri i takon mentalitetit sovjetik”, ka thënë Hryhoryeva, duke shtuar se gratë janë “asete në të gjitha nivelet e ushtrisë”.
Priymak beson se nëse gratë ukrainase nuk do të luftonin për të drejtat e tyre, sikurse për shtetin, ushtria ukrainase do të kishte më pak gra dhe nuk do të ishte siç është sot.
“Ndoshta na duhet të kalojmë gjithë këtë torturë për t’u zhvilluar si shoqëri”, ka thënë ajo.
“Përndryshe, ne nuk do të ekzistojmë si komb dhe shtet”.