Ndërlidhjet

Me gjithë koston e lartë, ukrainasit më të bashkuar se kurrë


Ushtarët ukrainas.
Ushtarët ukrainas.

Gjashtë muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, sondazhet tregojnë se ukrainasit sa shkojnë e bashkohen për çështjet kyçe.

Ndër to, sipas të dhënave, është qëndrimi për të mos bërë lëshime territoriale ndaj Moskës.

“Ukrainasit janë më të bashkuar se kurrë më parë, por është bashkim që e kanë paguar shtrenjtë”, ka thënë, Anton Hrushetskiy, zëvendësdrejtor i Institutit Ndërkombëtar për Sociologji, me seli në Kiev, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas sondazheve të kryera nga ky Institut, në muajin korrik, 85 për qind e ukrainasve e konsiderojnë veten, mbi të gjitha, si shtetas të Ukrainës, në krahasim me banorët e rajonit që prezantohen si përfaqësues të ndonjë minoriteti etnik apo diçka e ngjashme.

Ky tregues për identitetin civil - i cili konsiderohet shumë i rëndësishëm në shoqërinë ukrainase historikisht të ndarë – ka qenë 64.4 për qind gjashtë muaj më parë.

“Idetë se nuk ekziston populli ukrainas dhe që shteti i Ukrainës është i dështuar, kanë qenë kyçe për propagandën ruse”, ka thënë Hrushetskiy.

“Asgjë nuk do të mund të kishte një efekt të tillë bashkimi sikurse lufta e nisur nga Putini dhe arsyetimi cinik për të”.

Të dhënat tregojnë për ndryshim qëndrimesh edhe për çështje tjera.

"Duhet të kthehem në front": Ushtarët e gjymtuar ukrainas vazhdojnë të luftojnë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:21 0:00

Rreth 96 për qind e ukrainasve mbështesin idenë që shteti i tyre të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe vetëm 91 për qind dëshirojnë anëtarësim në NATO.

Rreth 92 për qind kanë qëndrim “të keq” ndaj Rusisë, ndërsa vetëm dy për qind kanë qasje “të mirë”.

Hrushetskiy beson se këto ndryshime do të jenë të qëndrueshme, sepse bashkimi mes ukrainasve është rritur gradualisht prej kur Ukraina ka fituar pavarësinë nga regjimi sovjetike më 1991.

Rritja e mbështetjes për orientim pro-evropian dhe transaltantik të këtij shteti – dhe ulja e qasjes pozitive kundrejt Rusisë – është vërejtur edhe në Revolucionin e Portokalltë (2004-05) dhe Revolucionim e Dinjitetit më 2014, ka thënë ai.

Gjashtë muaj pas sulmit të dështuar të Moskës ndaj Kievit, forcat ushtarake të Ukrainës dhe presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky, gëzojnë respekt dhe besim të lartë në mesin e shoqërisë.

Sipas të dhënave të sondazhit të kryer nga Instituti Ndërkombëtar për Sociologji dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) rreth 97 për qind e ukrainasve besojnë në ushtrinë ukrainase dhe rreth 85 për qind e respodentëve besojnë në Zelenskyn.

Sipas Hrushetskiyt, hulumtimet në preferencat politike tregojnë se shumica e ukrainasve preferojnë një shtet të fuqishëm dhe nuk i shohin zgjedhjet demokratike si prioritet, pas pezullimit të ligjit për gjendje lufte.

Shumë banorë kundër koncesioneve

Sipas hulumtimeve të Institutit Ndërkombëtar për Sociologji, me seli në Kiev, rreth 84 për qind e ukrainasve kundërshtojnë koncesionet territoriale ndaj Rusisë, dhe ky qëndrim është bërë më popullor mes marsit dhe korrikut, kur janë kryer dy sondazhet ndaras.

Edhe në rajonet jugore (Dnjipropetrovsk, Zaporizhja, Mikollaiv, Odesa, Herson), 77 për qind e banorëve janë kundër koncesioneve.

Gratë në luftë: Jeta në vijat e frontit në Ukrainë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:37 0:00

Në rajonet lindore (Harkiv dhe Donjeck e Luhansk) – 82 për qind nuk pranojnë koncesionet.

Për më shumë, të dhënat tregojnë se rreth 61 për qind e ukrainasve mbështesin kundërshtimet ndaj agresionit rus, derisa e gjithë Ukraina – përfshirë Gadishullin e Krimesë – të jetë nën kontrollin e Kievit.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Rreth 12.2 për qind e respodentëve kanë thënë se e pranojnë pushtimin e Krimesë nga ana e Moskës, derisa 8.6 për qind dëshirojnë rikthimin e gjithë territorit të kapur nga Rusia prej 24 shkurtit.

Vetëm 15 për qind kanë thënë se janë në të mirë të një armëpushimi përgjatë linjave aktuale të konfliktit dhe që të dyja palët të hyjnë në bisedime të gjata për paqe.

Megjithatë, Hrushetskiy ka theksuar se përvojat e luftës e bëjnë dallimin.

Sa më e madhe ndjenja e pasigurisë për një person, dhe familjen e tij, aq më shumë rriten mundësitë për të pranuar armëpushimin dhe koncesione territoriale.

Rreth 75 për qind e atyre që ndihen të sigurt, bëjnë thirrje për luftë derisa të rikthehet i gjithë territori i Ukrainës.

Vetëm rreth 46 për qind e atyre që nuk dihen të sigurt janë të qëndrimit të njëjtë.

Rreth 30 për qind e atyre që ndihen “shumë të pasigurt” dhe më shumë se 10 për qind të atyre të ndihen “të pasigurt” kanë thënë se favorizojnë një armëpushim të menjëhershëm.

Gjashtë muaj prej nisjes së luftës, 40 për qind e ukrainasve besojnë se situata në Ukrainë është duke u “përmirësuar”.

Rreth 29 për qind besojnë “se në disa aspekte situata po përmirësohet, në disa të tjerë po përkeqësohet”, ndërsa 22 për qind tjerë besojnë se situata sa shkon e bëhet më keq.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG