Urgjenca për formimin e institucioneve të reja 

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Situata në të cilën gjendet Kosova, fillimisht me gjendjen e rëndë në aspektin e shëndetësisë, të shkaktuar nga pandemia, por edhe me pasojat ekonomike dhe sociale, imponojnë urgjencën për formimin e përbërjeve të reja të institucioneve të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini nga platforma CiviKos dhe Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë.

Sipas tyre, nisur nga fakti që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar mbi 50 për qind të votave, kjo i ngarkon përgjegjësi shumë të madhe këtij subjekti politik, që sa më parë të përmbyllet procesi për institucionet e reja.

Lideri i LVV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila pretendon një mandat të plotë të presidentit, të hënën kanë zhvilluar takime konsultative me partitë politike për formimin e institucioneve te reja.

SHIKONI EDHE: Hoxhaj për pozitën e presidentit: Para se të flitet për personin, duhet të flitet për parime

Muhaxhiri: Domosdoja për krijimin e shpejtë të institucioneve

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e platformës CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë që përvojat e deritashme në Kosovë kanë treguar se proceset për formimin e qeverive kanë zgjatur nga dy-tre muaj. Por, sipas saj, në situatën e tanishme, Kosova nuk e ka luksin që të presë me muaj për formimin e qeverisë dhe fundi i marsit apo fillimi i prillit, do të ishte afat i mjaftueshëm që të përmbyllet formimi i institucioneve të reja.

Siç thotë ajo, bazuar në situatën aktuale, asnjë çështje nuk duhet të jetë më parësore për qeverinë e re, sesa qasja ndaj pandemisë së koronavirusit.

SHIKONI EDHE: Vaksinat në Kosovë, as në horizont

“Duhet të fillohet me diçka që është urgjente që të adresohet dhe ajo është vaksina. Kosova ka ngelur vendi i vetëm në rajon që nuk e ka asnjë dozë dhe nuk po shihet që ka zgjidhje ky problem shumë shpejt. Këtu kërkohet nivel i lartë i reagimit. Pastaj, normalisht është edhe ekonomia dhe natyrisht që nuk duhet të anashkalohen as prioritetet tjera, mirëpo këtu (vaksina) vihet fokusi në fillim. Çdo gjë tjetër, nuk e ka urgjencën e njëjtë”, theksoi Emini.

Ditëve të fundit, Kosova ka shënuar rritje të rasteve të reja me koronavirus – në dhjetë ditët e fundit janë regjistruar 5.769 raste të reja dhe 156 viktima. Ardhja e vaksinave kundër koronavirusit ishte paralajmëruar për në muajin shkurt, por tash pritet që ato të vijnë deri në fund të marsit.

Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë, thotë se rezultati zgjedhor të cilin e ka marrë Lëvizja Vetëvendosje, nuk i lejon asnjë hapësirë liderit të saj, Albin Kurtit, i cili është pretendenti i vetëm për kryeministër të vendit, që ta zvarrisë krijimin e institucioneve. Për më shumë, siç thotë ai, ky rezultat e obligon Kurtin që të respektojë nevojat urgjente të qytetarëve. Në të kundërtën, qytetarët do të përballen me vazhdimësinë e një gjendjeje të jashtëzakonshme, të një bllokimi ekonomik dhe të suspendimit të jetës normale.

“Prandaj, është e natyrshme që Kosovës i duhen shumë shpejt institucione të qëndrueshme, me qëllim që ta ndihmojnë popullin, t’i ndihmojnë qytetarët në ballafaqim me pandeminë, në të gjitha nivelet. Pra, duke nisur prej atij që është më esenciale, që është aspekti shëndetësor, por pastaj për të vazhduar me atë ekonomik, social e kështu me radhë. Vetëm me anë të një reagimi të organizuar, të planifikuar institucional, mund të minimizohen dëmet e mëdha, si në aspektin e shëndetësisë e po ashtu edhe në aspektin ekonomik”, theksoi Muhaxhiri.

SHIKONI EDHE: Kurti thotë se i ka votat për ta formuar qeverinë

Emini: Kurti duhet të bashkëpunojë me partitë tjera

Megjithatë, të dy këta njohës të zhvillimeve politike, vlerësojnë se për të ardhur deri te përmbyllja e formimit të institucioneve të reja, sfidë do të jetë zgjedhja e presidentit të vendit.

Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se kandidat për këtë detyrë do të jetë Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me këtë parti.

Postin e presidentit të vendit e pretendon edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

SHIKONI EDHE: Haradinaj: Përgjegjësi e Kurtit dhe Osmanit t’i bëjnë votat për presidentin

Moszgjedhja eventuale e presidentit, rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Donika Emini shpreh mendimin që partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, duhet ta marrë përsipër krijimin e institucioneve sa më shpejt që të jetë e mundur, qoftë edhe përmes krijimit të kohezionit me partitë e tjera politike. Sipas saj, votat e partive tjera parlamentare, mund të mos i duhen Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, për shkak se ajo tashmë ka paralajmëruar se këtë mund ta bëjë bashkë me votat e partive të subjekteve joshumicë dhe joserbe.

Por, siç konsideron Emini, votat e partive tjera apo të paktën, qëndrimi i deputetëve të tyre në sallë për ta bërë kuorumin prej dy të tretave të 120 deputetëve të kuvendit, janë të domosdoshme.

“Është imperative që fituesi i zgjedhjeve ta zgjasë dorën, gjë që ka filluar me dërgimin e ftesave (ndaj partive tjera), por më pas edhe partitë e tjera politike të bashkëpunojnë në këtë drejtim, në mënyrë që interesat e vendit dhe të qytetarëve të jenë parësore. Deri më tash, për aq sa kam parë, partitë politike të tjera, nuk është se e kanë refuzuar apo të jenë deklaruar ashpër kundër zonjës Osmani si presidente. Sidomos, disa të tilla, duke e konsideruar edhe qëndrimin në sallë, në rast se i duhet për kuorum, por jo domosdo votimin e saj për presidente”, tha Emini.

SHIKONI EDHE: Moszgjedhja e presidentit prodhon krizën më të thellë kushtetuese  

Por, profesor Muhaxhiri vlerëson se rreziku për të shkuar sërish në zgjedhje të reja duhet parë si tejet real. Sipas tij, në rast se LVV-ja dhe lideri i saj Kurti, dëshirojnë që Vjosa Osmanin ta bëjnë presidente, atëherë duhet menjëherë të nisin shqyrtimin e disa planeve, në mënyrë që të sigurojë aleatë potencialë.

“Kurti e ka të imponuar dialogun dhe marrëveshjen me partitë tjera për arritjen e numrave të nevojshëm në kuvend sepse nuk ka të drejtë morale që të kërkojë që partitë tjera t’ia falin votat për pozitën e presidentit dhe ta votojnë zonjën Osmani, pa kërkuar ndonjë kompromis. Ky do të ishte naivitet i Kurtit sepse kështu nuk ka mundësi që të ndodhë, pa marrë parasysh që ai i ka fituar zgjedhjet me një përqindje të jashtëzakonshme”, theksoi Muhaxhiri.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën, më 13 mars, certifikoi rezultatin zgjedhor sipas të cilit LVV-ja fitoi 58 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 19, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse. Për krijimin e qeverisë nevojitën 61 vota. Kurti është shprehur se nuk do të ftojë asnjë parti shqiptare në koalicion qeverisës dhe se llogarit te votat e komuniteteve joshumicë, me përjashtim të Listës Serbe.