Gjykata lëshon urdhërarrest për Kurtin, Haxhiun e Bujupin

Hedhja e gazit në Kuvendin e Kosovës, 10 mars 2016

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Donika Kadaj - Bujupin dhe Albulena Haxhiu, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë.

Gjykata tha se deputetët kanë qenë të ftuar të paraqiten në gjykatë. Ata akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm [hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës] dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare. Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, tha se deputetët e akuzuar nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre në seancën e ftuar.

“Për të akuzuarit Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj – Bujupi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, dhe sipas informatave të njëjtit nuk janë gjetur ne adresat e dhëna. Meqenëse të njëjtit nuk janë paraqitur, gjykata urdhëron arrestimin/ndalimin e tyre dhe dërgimin në qendrën e paraburgimit”, tha gjyqtari.

Kurse deputeti tjetër i akuzuar për të njëjtën vepër Faton Topalli, tha pas ndërprerjes së seancën se gjykata është e politizuar dhe po punon për interesa të caktuar politike.

"Kjo është gjykatë e politizuar dhe krejtësisht në shërbim të klanit pronto dhe po i mbështet interesat e këtij klani. Gjyqëtari Kalludra është i politizuar dhe është në shërbim të interesave politike. Se gjyqtari Kalludra është i politizuar kjo u tregua më së mirë kur ai dënoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me 21 vjet burgim për terrorizëm", tha deputeti Faton Topalli, i cili ishte i pranishëm në seancë.

Edhe deputetja Albulena Haxhiu tha se mosparaqitja e tyre në seancë ka të bëjë pikërisht me dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, javën e kaluar, me 21 vjet burgim. Ajo tha se sistemi i drejtësisë është i politizuar dhe ai trup gjykues që ka lëshuar ato urdhërrarrest duhet ndryshuar.

"Sigurisht që nuk do të paraqitemi në gjykatë. Ne kërkojmë liri për aktivistët tanë, kërkojmë drejtësi për Astritin. Kërkojmë ndryshim të këtij trupi gjykues sepse e konsiderojmë të papranueshëm dhe të kapur nga klanin pronto", tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu ka kritikuar dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj për siç tha ka thënë ajo, që nuk po del në anën e atyre që kanë të drejtë.

"Sa i takon veprimeve tonë në Kuvend, ju e dini që në atë kohë i kemi bërë bashkë më deputetë e tjerë si të Nismës apo edhe AAK-së. Njëri nga ata të cilët kanë qenë pjesë e veprimeve tonë është edhe zoti Haradinaj që është kryeministër dhe në atë kohë kur lëshoheshin urdhërrarreste, i njëjti kundërshtonte këtë sistem të kapur të drejtësisë. Tash nga frika se po e humb karrigen e kryeministrit, i njëjti ka mbyllur gojën. Kjo është goxha problematike, shqetësuese dhe e turpshme nga ana e kryeministrit Haradinaj", tha Haxhiu.

Prokuroria pretendon se deputetet Blerta Deliu dhe Flora Brovina, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes vitin e kaluar.

Deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi dhe Albulena Haxhiu i kanë dorëzuar Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, një kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues i cili kryesohet nga gjykatësi Beqir Kalludra, anëtarja Shadije Gëguri dhe Shasivar Hoti, anëtar në çështjen penale PKR.nr. 717/15 pranë Departamentit për Krime të Rënda. Deputetët në arsyetimin e tyre për përjashtimin e këtij trupi gjykues kanë thënë se e vënë në dyshim paanshmërinë e tyre dhe cenojnë një gjykim të drejtë.

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, thanë për Radion Evropa e Lirë, se të paktën dy shtëpi të deputetëve janë bastisur sot nga Policia e Kosovës. Ata thënë po ashtu se nuk e dinë se a do të paraqiten në polici apo jo deputetët e kërkuar nga gjykata.