Ukraina qëndron prapa sulmit në fushën ajrore brenda Rusisë, sipas burimeve

Kamionë të ngjashëm me ata të përdorur shkrepje municioni mund të shihen në fushën ajrore Marinovka, Volgogard, Rusi, 11 gusht.

Ushtria ukrainase qëndron prapa sulmit me dronë në një fushë ajrore qindra kilometra brenda Rusisë, thanë burimet e sigurisë për Radion Evropa e Lirë të enjten.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, udhëtoi për në rajonin Sumi të Ukrainës, i cili ndodhet në kufi me Kurskun, për herë të parë prej se Kievi e nisi një inkursion befasues në këtë rajon rus më 6 gusht.

Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Ukrainës (SBU), së bashku me Forcat për Operacione Speciale, e goditën më 22 gusht fushën ajrore Marinovka në rajonin Volgogard të Rusisë, i cili ndodhet 275 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, thanë burime brenda SBU-së për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Raportohet se Kremlini po përgatitet për “muaj luftimesh” në Kursk

Në shënjestër të sulmit ishin një depo e naftës, raketat antitanke dhe bomba rrëshqitëse, tha një burim i sigurisë.

Inteligjenca ukrainase kohëve të fundit është përqendruar në sulme kundër fushave ajrore brenda Rusisë, të cilat përdoren nga Moska për sulme ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.

Burimi i SBU-së tha se fusha ajrore Marinovka është përdorur për qëllime të ngjashme.

Bombat rrëshqitëse janë bomba që shkrepën nga avionët luftarakë nga një largësi e mjaftueshme sa për ta shmangur zjarrin e armikut.

Rusia i ka përdorur shumë bombat e tilla kundër qyteteve ukrainase. Prodhimi i tyre nuk kushton shumë.

Më herët, kanalet ruse në Telegram, duke cituar dëshmitarët, raportuan për një sërë shpërthimesh në Marinovka. Kanali Astra në Telegram e postoi një video që shfaq një shpërthim të madh dhe tym të zi duke u ngritur mbi fushën ajrore.

Guvernatori i Volgogradit, Andrei Bocharov, tha se sulmet me dronë shkaktuan zjarr në një objekt ushtarak në rajon, por pretendoi se sulmi është zmbrapsur.

SHIKONI EDHE: Rusia thotë se ka zmbrapsur disa sulme ajrore të Ukrainës

“Si pasojë e rrëzimit të UAV, një zjarr shpërtheu në territorin e objektit të Ministrisë. Zjarrfikësit shpejt filluan ta shuajnë zjarrin”, shkroi Bocharov në Telegram.

Ai tha se nuk ka viktima nga ky sulm.

Ndërkohë, gjatë vizitës në Sumi, Zelensky u takua me kryekomandantin e ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, nga i cili u njoftua për gjendjen operacionale në zonën e kontrolluar nga forcat ukrainase në Kursk të Rusisë, tha presidenca ukrainase.

Guvernatori i Sumit, Volodymyr Artyukh, i tha Zelenskyt se pas fillimit të operacionit të Ukrainës në Kursk, numri i granatimeve prej matanë kufirit dhe numri i viktimave civile kanë shënuar ulje dramatike. Kjo ka mundësuar gjithashtu që të fillojë puna e riparimeve në infrastrukturë, e cila ka qenë shumë e nevojshme pas bombardimeve të mëdha ruse, sipas njoftimit.

Udhëheqësit e Ukrainës kanë sqaruar vazhdimisht se vendimi i tyre për t’u futur në Kursk ka për qëllim krijimin e një zone të sigurisë brenda Rusisë, për t’i mbrojtur cilët ukrainase nga bombardimet ruse nga matanë kufirit.

Ukraina e ka mohuar gjithashtu se dëshiron të fitojë territor rus.