Ndërlidhjet

Rusia thotë se ka zmbrapsur disa sulme ajrore të Ukrainës


Një makinë ushtarake e Ukrainës në rajonin Sumi, që gjendet pranë kufirit me Rusinë. 13 gusht 2024.
Një makinë ushtarake e Ukrainës në rajonin Sumi, që gjendet pranë kufirit me Rusinë. 13 gusht 2024.

Rusia tha më 22 gusht se ka zmbrapsur disa sulme me dronë dhe raketa të kryera nga Ukraina në jug të shtetit, përfshirë në Volgograd, ku ka shpërthyer një zjarr pranë një ndërtese të Ministrisë së Mbrojtjes.

Guvernatori i rajonit të Volgogradit, Andrey Bocharov, tha se mbrojtja ajrore ruse ka zmbrapsur një sulm me dronë në zonën e Marinovkës, “dhe shumica e dronëve janë shkatërruar”.

Pas rrëzimit të një prej dronëve “shpërtheu një zjarr pranë një ndërtese të Ministrisë së Mbrojtjes”, por zjarri është shuar dhe nuk ka viktima, shkroi ai në Telegram.

Në rajonin Kursk, që gjendet në kufi me Ukrainën, “dy raketa ukrainase dhe një dron u shkatërruan nga mbrojtja ajrore e Rusisë”, tha guvernatori i rajonit, Alesei Smirnov.

Më tej në jug, në rajonin e Rostovit, një sulm i kryer me pesë dronë “u zmbraps”, sipas guvernatorit, Vasily Golubev.

Guvernatorët e rajoneve Boronezh dhe Briansk po ashtu kanë raportuar se janë shkatërruar dronë.

Rusia një ditë më parë pretendoi se ka parandaluar një grup luftëtarësh ukrainas që të kalonin kufirin në rajonin e Brianskut, që gjendet në kufi me Kurskun.

Po ashtu, një ditë më parë autoritetet thanë se Ukraina kishte sulmuar Moskën me 11 dronë, teksa autoritetet ruse thanë se fluturaket u shkatërruan.

Dy vjet e gjysmë pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës, Kievi nisi një inkursion në rajonin rus të Kurskut më 6 gusht.

Ukraina ka thënë se ka marrë nën kontroll dhjetëra qyteza dhe fshatra të rajonit dhe Rusia ka thënë se më shumë se 120.000 civilë janë larguar nga kjo zonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG