Në kundërsulmin e saj kundër pushtimit rus, Ukraina njoftoi më 12 qershor se kishte çliruar vendbanimin e katërt në rajonin lindor të Donjeckut. Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ukrainase dhe ruse vazhduan të angazhoheshin në luftime intensive në të njëjtin rajon.
"Flamuri kombëtar po valëvitet përsëri mbi [fshatin] Storozhove, dhe kështu do të jetë me çdo vendbanim derisa ta çlirojmë të gjithë tokën ukrainase", njoftoi qendra e shtypit e forcave ukrainase më 12 qershor, në një mesazh të shoqëruar me një video ku shiheshin ushtarët ukrainas duke patrulluar nëpër fshat.
Ukraina më 11 qershor tha se tri fshatra të rajonit të Donjeckut - Makarivka, Neskuçne dhe Blahodatne - ishin rimarrë nga forcat e Kievit.
Këto pretendime nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.
Më herët gjatë ditës, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha se luftime të ashpra ishin zhvilluar një ditë më parë në zonat e Bahmutit, Limanit, Avdivkas dhe Marinkas në Donjeck, ku trupat ruse po përqendrojnë përpjekjet e tyre kryesore.
Një banor në Avdivka u vra si rezultat i bombardimeve nga trupat ruse, tha më 12 qershor guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, më vonë tha se forcat ukrainase kishin çliruar një tjetër fshat në jug, dhe përparuan midis 300 dhe 1500 metra në dy drejtime në frontin jugor.
“Asnjë pozicion nuk humbi në drejtimet ku forcat tona janë në mbrojtje”, shtoi Maliar në Telegram.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se një shtytje ushtarake ukrainase ishte duke u zhvilluar, porse ajo kishte dështuar të shkelte linjat mbrojtëse ruse dhe kishte shkaktuar shumë viktima.
SHIKONI EDHE: Rusia sulmon Hersonin teksa vazhdojnë operacionet për shpëtim nga vërshimetPresidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lavdëroi trupat ushtarake ukrainase gjatë paraqitjes së tij të përditshme me video.
"Sigurisht, u jam mirënjohës ushtarëve tanë për këtë ditë", tha Zelensky, duke iu referuar vetëm dy sektorëve kryesorë të luftimeve në lindje dhe jug.
Zelensky të shtunën dha sinjalin e tij më të fortë se Kievi ka nisur kundërsulmin e shumëpritur për të rimarrë tokën në lindje dhe jug, duke konfirmuar se po zhvilloheshin "operacione kundërsulmuese dhe mbrojtëse".
Autoritetet e Kievit kanë zbatuar një periudhë rigoroze të heshtjes operacionale dhe u kanë bërë thirrje ukrainasve që të përmbahen nga ndarja e çdo informacioni që mund të rrezikojë operacionin.
“Dëbimi i armikut”
Me pak informacione nga Kievi dhe raportime të pakta të pavarura nga vijat e frontit, agjencitë e lajmeve e kanë pasur pothuajse e pamundur të vlerësojnë situatën në fushëbetejë.
Videoja nga Blahodatne tregoi trupat ukrainase brenda një ndërtese të dëmtuar rëndë ndërsa artileria gjëmonte në distancë.
"Ne po e dëbojmë armikun nga tokat tona amtare. Është ndjenja më e ngrohtë që ekziston. Ukraina do të fitojë, Ukraina mbi gjithçka", tha një ushtar në videon e shpërndarë në Facebook.
Pas shkatërrimit të digës Nova Kahovka në rajonin Herson javën e kaluar, e cila rezultoi në përmbytje dhe evakuuim të banorëve nga zonat e prekura, Ukraina ka bërë përparime të rëndësishme.
Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për prishjen e digës.
Guvernatori ukrainas i Hersonit tha të dielën se forcat ruse kishin bombarduar tri varka që po evakuonin kryesisht të moshuar, duke vrarë tre dhe duke plagosur 10 prej tyre.
Sipas Shershenit, forcat ruse shkatërruan edhe një digë më të vogël hidroelektrike pranë zonës, në një përpjekje për të penguar përparimin e forcave ukrainase. Si pasojë, përmbytjet ndodhën në të dy anët e lumit Mokri Jali. Megjithatë, Shershen sqaroi se kjo përmbytje nuk ndikon në veprimet e tyre kundërsulmuese të vazhdueshme.
Rajoni juglindor, i cili aktualisht është i pushtuar nga Rusia, shihet si një objektiv kryesor i mundshëm për forcat e Kievit. Qëllimi i tyre është të ndërpresin potencialisht lidhjen tokësore të Rusisë me gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe të ndajnë forcat ruse në dy pjesë.
SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për digën e shkatërruar ukrainase dhe cilat janë pasojat?Makarivka ndodhet afërsisht 90 kilometra në veriperëndim të Mariupolit, një qytet i madh që shtrihet në vijën bregdetare jugore të Detit Azov. Vitin e kaluar, Rusia mori kontrollin e Mariupolit pasi e rrethoi dhe bombardoi atë për disa javë.
Teksa Rusia pretendon se e ka zaptuar qytetin e Bahmutit muajin e kaluar pas betejës më vdekjeprurëse të pushtimit të saj në shkurt të vitit 2022, Kievi pohon se ka rimarrë territorin në periferi të qytetit.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi se një brigadë e këmbësorisë kishte avancuar kohët e fundit dhe kapi një pozicion rus në vijën e frontit pranë qytetit lindor të Avdivka.
Megjithatë, nuk u dhanë detaje tjera.