Ndërlidhjet

Rusia sulmon Hersonin pas vizitës së Zelenskyt


Vullnetarë evakuojnë një grua nga një lagje e përmbytur në Herson të Ukrainës, më 7 qershor 2023.
Vullnetarë evakuojnë një grua nga një lagje e përmbytur në Herson të Ukrainës, më 7 qershor 2023.

Forcat ruse kanë granatuar zonën e Hersonit pak kohë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi rajonin jugor ku ekipet e shpëtimit po punojnë për të shpëtuar mijëra persona që janë bllokuar nga vërshimet katastrofike, të shkaktuara nga shkatërrimi i një dige të madhe në lumin Dnjepër.

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë në terren raportoi se në qarkun Korabel të Hersonit u dëgjuan disa shpërthime pak pas mesditës së 8 qershorit, në kohën kur ekipet e shpëtimit, përmes varkave të gomës po vazhdojnë të evakuojnë zonat e goditura nga vërshimet.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha se rusët kanë granatuar zonat bregdetare dhe qendrën e qytetit të Hersonit.

Gjatë vizitës së tij në zonat e prekura nga vërshimet, Zelensky falënderoi ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët për punën e tyre dhe bisedoi me autoritetet lokale për masat që duhen ndërmarrë për të ndihmuar qytetarët e prekur nga vërshimet.

Ekipet ukrainase po vazhdojnë operacionet e shpëtimit pas shkatërrimit të një dige të madhe në lumin Dnjepër në pjesën jugore të Ukrainës.

Rreziqet janë shtuar shkaku i bombardimeve të vazhdueshme nga forcat ruse nga ana tjetër e lumit dhe nga minat e zhvendosura shkaku i vërshimeve.

Oleksandr Prokudin, kryetar i administratës ushtarake rajonale të Hersonit, tha më 8 qershor se niveli i ujit është pothuajse gjashtë metra dhe një hapësirë prej 600 kilometrash katrorë është nën ujë – pjesa më e madhe e kësaj hapësire ndodhet në bregun e majtë të lumit Dnjepër, në hapësirën e pushtuar nga Rusia.

“Këtë mëngjes, niveli mesatar i ujit është 5.61 metra. Rreth 600 kilometra katrorë është nën ujë, prej yre 32 për qind në bregun e djathtë [të kontrolluar nga Ukraina] dhe 68 për qind në bregun e majtë [të kontrolluar nga Rusia]”, tha Prokudin në një video-mesazh.

Ai tha se deri në orën 6 të mëngjesit, sipas kohës lokale, pothuajse 2.000 njerëz janë shpëtuar nga zonat e rrezikuara, shumica prej tyre nga zona Korabel e Hersonit.

Forcat ruse kanë vazhduar ta sulmojnë Hersonin dhe zonat përreth lumit Dnjepër, përkundër vërshimeve masive të shkaktuara nga shkatërrimi i digës Nova Kahovka, tha Natalya Humenyuk, kryetare e Qendrës së Bashkuar për Koordinimin e Shtypit të Forcat Jugore të Mbrojtjes, më 8 qershor.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të nivelit të ujit, armiku u detyrua të tërhiqet 5 -15 kilometra prapa nga pozitat e tij të mëhershme dhe bombardimet nuk janë aq intensive tani. Por, rajoni Beryslavskiy (në lindje të Hersonit) vazhdon të jetë cak i bombardimeve”, tha Humenyuk për televizionin ukrainas.

Humenyuk, gjithashtu, tha se forcat ruse prishën linjat e komunikimit në zonën gjatë kohës së shpërthimit të supozuar me qëllimin për ta fshehur atë dhe se disa trupa të saj mund të jenë lënë të mbyten ose izolohen në kulme të ndërtesave. Pretendimet e saj nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Gjatë intervistave të dhëna për media amerikane dhe gjermane, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai ishte i shokuar nga ajo që e quajti dështim të Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq për të ofruar ndihmë emergjente. Por, ai shtoi se ushtarët rusë ishin duke gjuajtur nga distanca, përderisa përpjekjet për shpëtim po vazhdonin.

Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi prishjen e digës, por Zelensky përsëriti qëndrimin e tij se shkatërrimi u bë nga forcat ruse qëllimshëm. Në anën tjetër, Rusia e ka fajësuar Kievin zyrtar për sulmin ndaj digës.

“Situata në pjesët e pushtuara të rajonit të Hersonit është absolutisht katastrofike”, tha ai në Twitter. “Pushtuesit thjesht i braktisën njerëzit në ato kushte të tmerrshme – pa shpëtim, pa ujë, thjesht në kulmet e ndërtesave në komunitetet e përmbytura”.

Qindra mijëra njerëz janë lënë pa qasje normale në ujë pijshëm, tha ai, duke shtuar se këtu përfshihen edhe shërbimet ukrainase, që mund të ndihmojnë vetëm në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi më 7 qershor Ukrainën për shkatërrimin e digës, duke sugjeruar se Perëndimi e ndihmoi atë, përkundër që diga ishte nën kontrollin e Rusisë kur u shkatërrua.

Në pjesën e pushtuar nga Rusia, rreth 14.000 shtëpi janë përmbytur dhe 4.300 njerëz janë evakuuar, thanë shërbimet e sigurisë të Rusisë më 8 qershor, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, TASS.

Banorët e Hersonit evakuohen derisa niveli i ujit rritet
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:37 0:00

Kryqi i Kuq paralajmëroi se vërshimet mund të kenë efekte të tmerrshme në tentimet për gjetjen e minave që mund të jenë vendosur në këtë zonë.

“Ne e dinim se ku ishte rreziku”, tha kreu i Njësisë për Kontaminimin e Armëve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Eric Tollefsen. “Tani ne nuk e dimë. E gjitha që dimë është se janë diku në rrjedhën e ujit”.

Minat e zhvendosura të transportuara nga uji mund të rrezikojnë seriozisht banorët lokalë dhe ekipet e shpëtimit, shtoi Tollefsen.

Diga Nova Kahovka, që është 30 metra e gjerë dhe 3.2 kilometra e gjatë, është rrugë kyçe për transport dhe ujitje, si dhe për furnizimin me ujë të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe centralit bërthamor në Zaporizhja.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) tha se përderisa niveli i ujit kishte rënë në pellgjet kyçe për ftohjen e reaktorëve bërthamorë të centralit, “opsionet rezervë janë në dispozicion” dhe se “nuk ka rreziqe afat-shkurtër për sigurinë bërthamore”.

Por, drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, u shpreh i shqetësuar për situatën në javët e ardhshme në një intervistë për Sky News, ku tha se “në rastin më të keq pa ftohje” ka rrezik për një aksident me pasoja tragjike për ambientin.

Situata është serioze, tha ai, sepse një central bërthamor ka nevojë për garanci kur vjen puna te uji për ftohjen e reaktorëve.

Shkatërrimi i digës ndodhi në një kohë kur Ukraina po përgatitjet për një kundërofensivë të shumëpritur për t’i rimarrë rajonet e pushtuara nga Rusia që nga pushtimi që nisi në shkurt të vitit të kaluar.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha më 7 qershor se forcat ukrainase kanë nisur ofensivën në Bahmut, epiqendrën e sulmeve disamujore, duke avancuar për rreth 1.1 kilometra – avancimin e parë të trupave ukrainase në këtë zonë, pas një periudhe të gjatë në mbrojtje.

Më 8 qershor, Stafi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se forcat e Kievit i kanë zmbrapsur disa tentime të Rusisë për të rimarrë territoret e humbura përreth Bahmutit.

Trupat ruse gjithashtu tentuan pa sukses të avancojnë në drejtim të qyteteve Marijinka dhe Avdijivka të Donjeckut, 150 kilometra në jug të Bahmutit, thuhet në raportin e Stafit të Përgjithshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG