Ukraina i vë fajin Rusisë për problemet me rrymë

Rajoni i Harkivit pa rrymë më 11 shtator.

Rajone të mëdha në lindje të Ukrainës kanë mbetur pa rrymë më 11 shtator, derisa Kievi ka akuzuar Moskën se po ia sulmon infrastrukturën e energjisë.

Probleme me rrymë dhe ujë janë raportuar në Harkiv, Sumi, Poltava, Zaporizhja dhe rajonet e Dnjipropetrovskut, duke çrregulluar jetët e miliona njerëzve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia është duke ia sulmuar infrastrukturën për “t’i lënë njerëzit pa drita dhe ngrohje”.

Këto probleme vijnë në kohën e kundërsulmit të forcave ukrainase në rajonin e Harkivit, të cilat kanë marrë kontrollin e dhjetëra qytezave dhe fshatrave.

SHIKONI EDHE: Ushtria ukrainase: Kemi trefishuar kontrollin mbi territore

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, ka pretenduar se Rusia e ka sulmuar termocentralin e qytetit.

Harkivi është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë.

Dmytro Reznichenko, udhëheqës i Dnjipropetrovskut, ka akuzuar po ashtu Rusinë për problemet me rrymë.

Udhëheqësi i rajonit lindor Sumi, ka thënë se problemet me rrymë dhe ujë kanë prekur të paktën 135 qyteza dhe fshatra.

SHIKONI EDHE: Gjak dhe kaos: Kostoja e luftës së Rusisë në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.