Reuters
Lufta e Rusisë në Ukrainë – e nisur më 24 shkurt – ka lënë dhjetëra-mijëra njerëz të vdekur, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka nxitur krizë ekonomike në gjithë botën.
Vdekje
Prej nisjes së luftës, 5.237 civilë janë regjistruar si të vrarë dhe 7.035 si të plagosur, ndonëse shifrat aktuale besohet se janë shumë të larta, ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut më 25 korrik.
Shumica e të vrarëve apo të plagosurve kanë qenë viktima të armëve shpërthyese sikurse, artileria, raketat dhe sulmet ajrore, ka thënë kjo Zyrë.
As Rusia, as Ukraina nuk kanë dhënë detaje për viktimat ushtarake të konfliktit.
Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe numër tre herë më i lartë i ushtarëve janë plagosur.
Kjo shifër është gati e njëjtë me numrin e forcave sovjetike që janë vrarë gjatë pushtimit të Afganistanit nga Moska në periudhën 1979-1989.
Humbjet e ushtrisë ukrainase janë po ashtu të mëdha, por me gjasë më të vogla sesa të Rusisë, ka thënë shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns.
Konflikti në lindje të Ukrainës ka nisur më 2014, pasi presidenti pro-rus, Viktor Yanukovych, është rrëzuar në protestat e Majdanit në Ukrainë.
Rusia më pas ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhe prej atëherë forcat e mbështetura nga Rusia kanë luftuar me forcat e armatosura ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.
Rreth 14.000 njerëz janë vrarë në periudhën 2014-2022, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejta të Njeriut.
Aty përfshihen edhe 3.106 civilë.
Mjerimi
Prej 24 shkurtit, një e treta e banorëve të Ukrainës – vend me mbi 41 milionë banorë – është detyruar të largohet nga shtëpitë.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, kjo luftë ka nxitur krizën më të madhe të shpërnguljes në botë.
Aktualisht, më shumë se 6.16 milionë refugjatë nga Ukraina janë nëpër vendet evropiane.
Numri më i madh i tyre është në Poloni, Rusi dhe Gjermani.
Përveç humbjeve në njerëz, Ukraina ka humbur kontrollin e rreth 22 për qind të territorit prej kur Rusia ka aneksuar Krimenë në 2014, sipas disa kalkulimeve të agjencisë së lajmeve, Reuters.
Ky vend ka humbur një pjesë të vijës bregdetare, ekonomia e saj është shkatërruar dhe disa qytete janë kthyer në rrënoja, si pasojë e bombardimeve ruse.
Ekonomia e Ukrainës do të tkurret për 45 për qind më 2022, sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Çmimi i vërtetë i dëmeve në Ukrainë nuk dihet ende.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë këtë muaj se kostoja e rindërtimit të shtetit pas luftës do të shkojë në rreth 750 miliardë dollarë.
Megjithatë, çmimi mund të rritet shumë më shumë.
Ende po ashtu nuk dihet sa ka shpenzuar Ukraina në luftime.
Rusia
Lufta ka qenë e shtrenjtë për Rusinë po ashtu – ndonëse ky vend nuk bën të ditura shpenzimet, meqë i konsideron sekrete shtetërore.
Përveç kostove ushtarake, Perëndimi ka tentuar të ndëshkojë Rusinë duke i vënë sanksione të ashpra, të cilat ia kanë shkaktuar ekonomisë ruse tronditjen më të mëdha prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.
Banka Qendrore e Rusisë parashikon që ekonomia e saj 1.8 trilion dollarëshe të tkurret për 4-6 për qind më 2022, më pak sesa 8-10 për qind sa kanë qenë parashikimet në muajin prill.
Megjithatë, ndikimi në ekonominë ruse është i madh – dhe ende jo shumë i qartë.
Ajo është përjashtuar nga tregjet financiare perëndimore, shumica e oligarkëve rusë janë të sanksionuar dhe tani Rusia është duke u përballur me probleme të sigurimit të disa produkteve siç janë mikroçipat.
Së fundi autoritetet ruse nuk kanë arritur që të shlyejnë borxhet e jashtme, për herë të parë prej Revolucionit Bolshevik të vitit 1917.
Çmimet
Pushtimi dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë kanë ndikuar në rritje të mprehtë të çmimeve të ushqimeve, metaleve dhe energjisë.
Për pasojë, bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, ndërkohë që inflacioni godet ashpër ekonominë globale.
Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë pas Arabisë Saudite dhe ekspertuesja më e madhe në botë e gazit natyror, miellit, dhe elementit kimik – palladiumit.
Pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, çmimet ndërkombëtare të naftës kanë kërcyer në nivelet më të larta prej vitit 2008.
Përpjekjet për të zvogëluar varësinë ndaj naftës, nënprodukteve të saj dhe gazit – apo edhe për të vënë tavan të çmimeve për to – nuk kanë ndikuar në përmirësim të situatës që konsiderohet më e rënda prej embargos ndaj naftës arabe në vitet 1970
Pasi Rusia ka marrë vendim për të zvogëluar sasitë e gazit që çon në Gjermani përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, çmimet e kësaj lënde janë rritur në Evropë.
Një ndërprerje e plotë do të mund të zhysë euron në recesion, pasi me tkurrje të mëdha ekonomike mund të përballen Gjermania dhe Italia, sipas Goldman Sachs.
Rritja ekonomike
Fondi Monetar Ndërkombëtar parasheh që ekonomia botërore do të rritet për 3.2 për qind këtë vit, në krahasim me 6.1 për qind vitin e kaluar dhe më pak sesa parashikimet e prillit për 3.6 për qind.
Sipas një skenari alternativ që përfshin ndërprerje totale të furnizimeve ruse me gaz në Evropë deri në fund të vitit, dhe 30 për qind zvogëlim të eksporteve të naftës ruse, FMN-ja ka thënë se rritja globale do të stagnojë në 2.6 për qind më 2022 dhe 2 për qind më 2023.
Kjo nënkupton gati aspak rritje në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm.
Rritja globale ka rënë nën 2 për qind vetëm pesë herë prej vitit 1970, ka thënë shefi për ekonomi i FMN-së Pierre-Olivier Gourincha, duke përmendur recesionet e vitit 1973, 1981, 1982, 2009 dhe 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Shtetet e Bashkuara parashihet të përjetojnë rritje prej 2.3 për qind më 2022 dhe 1.0 për qind më 2023.
FMN-ja ka zvogëluar parashikimet për rritjen ekonomike të Kinës në 3.3 për qind, në krahasim me 4.4 për qind në muajin prill.
Prej shpërthimit të luftës, Komisioni Evropian ka ulur parashikimet për rritje të bruto-prodhimit të brendshëm (GDP) për të 27 vendet e bllokut evropian në 2.7 për qind këtë vit dhe 1.5 për qind më 2023 në krahasim me 4.0 për qind dhe 2.8 për qind respektivisht, sa kanë qenë parashikimet para shpërthimit të luftës.
Armët perëndimore
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 7.6 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën prej 24 shkurtit.
Aty përfshihen sistemet për mbrojtje ajrore, sistemet Javelin, Howitzers, si dhe pajisje për mbrojtje nga lëndët kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.
Donatorja e dytë më e madhe në Ukrainë është Britania, e cila ka ndarë 2.3 miliardë dollarë si mbështetje ushtarake.
Bashkimi Evropian zë vendin e tretë pasi është pajtuar që të ndajë 2.5 miliardë euro si ndihmë për Ukrainën.