Ukraina kërkon ndihmën e OKB-së për eksportet e drithërave

Një fushë e mbjellë me grurë në Ukrainë.

Ukraina po punon me partnerët ndërkombëtarë për të krijuar një mision të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të rikthyer eksportet e drithërave nga Deti i Zi, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikolenko.

Rusia ka marrë nën kontroll disa prej porteve më të mëdha detare të Ukrainës dhe marina e saj tani kontrollon rrugët kryesore të transportit në Detin e Zi, duke bllokuar dërgesat ukrainase dhe duke thelluar krizën globale të ushqimit.

“Ne u bëjmë thirrje shteteve, të cilat mund të preken më shumë nga kriza e ushqimit për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, të përdorin kontaktet e tyre me Moskën dhe ta detyrojnë atë që të heqë bllokadën nga portet ukrainase dhe t’i japë fund luftës”, tha Nikolenko përmes një postimi në Facebook.

SHIKONI EDHE: Putin kushtëzon eksportet e drithërave të Ukrainës me lehtësimin e sanksioneve

Dhjetëra anije me mallra janë bllokuar në portet ukrainase të cilat janë të rrethuara nga forcat ruse, duke ndërprerë eksportin e grurit dhe produkteve të tjera nga Rusia dhe Ukraina. Këto dy shtete eksportojnë pothuajse 30 për qind të eksporteve të grurit në botë.

Por, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka lidhur heqjen e bllokadës në portet ukrainase me lehtësimin e sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.