Ndërlidhjet

Putin kushtëzon eksportet e drithërave të Ukrainës me lehtësimin e sanksioneve


Presidenti rus, Vladimir Putin.
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duket se ka kushtëzuar rihapjen e mundshme të eksporteve të drithërave të Ukrainës me një lehtësim të sanksioneve, që Perëndimi vendosi ndaj Moskës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës. Por, presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë u kundërpërgjigjën se për lehtësim të sanksioneve duhet tërheqja e trupave të Rusisë dhe një përpjekje “serioze” për paqe nga Moska.

Në një bisedë telefonike më 28 maj, Putin i tha presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se “Rusia është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e mundësive për të mos penguar eksportin e drithërave, përfshirë edhe eksportet e drithërave ukrainase nga portet e Detit të Zi”, njoftoi Kremlini.

Por, ai e ndërlidhi lehtësimin e bllokadës së Rusisë apo të porteve të Ukrainës me heqjen e sanksioneve të ashpra që Perëndimi i vendosi Moskës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ndërkaq i tha presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se shteti i tij dhe partnerët e G7-s po punojnë për të ndihmuar Ukrainën që të rikthejë eksportet e drithërave.

Por, Kremlini tha se ka një ndërlidhje midis sanksioneve ndërkombëtare dhe heqjes së pengesave për eksportet dhe për këtë temë është biseduar në bisedën midis Putinit me Macronin dhe Scholzin.

“Një rritje e furnizimeve të fertilizuesve rusë dhe produkteve të agrikulturës po ashtu mund të ndihmojë në uljen e tensioneve në tregun botëror ushqimor, që sigurisht kërkon heqjen e sanksioneve të rëndësishme”, tha Kremlini.

Ukraina është një prej eksportuesve më të mëdha në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por forcat ruse aktualisht kanë bllokuar portet e saj në Detin e Zi, duke vënë në rrezik furnizimet botërore.

Putin po ashtu paralajmëroi Macronin dhe Scholzin kundër vazhdimit të furnizimit të Ukrainës me armë, duke thënë se kjo mund të destabilizojë edhe më tej situatën.

Berlini tha se në këtë bisedë 80-minutëshe, Scholz dhe Macron i bën thirrje Putinit të angazhohet në “bisedime të drejtpërdrejta serioze” me presidentin ukrainas Zelensky, “dhe të gjejnë zgjidhje diplomatike për konfliktin”.

Scholz po ashtu tha se i kanë kërkuar presidentit rus një armëpushim të menjëhershëm “dhe tërheqje të trupave ruse”.

Ndërkaq, në njoftimin e Presidencës franceze, u tha se Putinit iu kërkua që të lirojë mijëra luftëtarë ukrainas që janë zënë rob në fabrikën e çelikut Azovstal, në qytetin ukrainas të Mariupolit.

“Presidenti i Republikës dhe kancelari gjerman kërkuan lirimin e afër 2,500 mbrojtësve të fabrikës Azovstal, të cilët janë të burgosur të luftës nga forcat ruse”, tha Presidenca franceze.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG