UEFA hap procedurë ndaj Rumanisë për sjellje raciste dhe fyese ndaj Kosovës

Tifozët ultras të Rumanisë, gjatë ndeshjes kualifikuese kundër Kosovës për Euro 2024 në Bukuresht, 12 shtator 2023.

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, njoftoi të enjten vonë se e ka hapur një procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë (FFR), nën akuzat për disa shkelje gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës, përfshirë për sjellje raciste dhe mesazhe fyese.

Të martën, ndeshja e Grupit I kualifikues mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht u ndërpre për rreth një orë, pasi tifozët vendas bënë thirrje dhe e shpalosën një pankartë "Kosova është Serbi".

SHIKONI EDHE: Ndeshja Rumani-Kosovë u ndërpre përkohësisht, për shkak "të sjelljeve diskriminuese”

UEFA njoftoi sot në mbrëmje se ka hapur procedura disiplinore ndaj disa federatave pas ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, përfshirë kundër asaj rumune në lidhje me ndeshjen me Kosovën.

Akuzat me të cilat përballet federata rumune:

  • Bllokimi i rrugëkalimeve publike
  • Ndezja e fishekzjarrëve
  • Hedhja e gjësendeve
  • Mesazhe provokuese të natyrës fyese
  • Sjellje raciste

Çfarë ndodhi në Bukuresht?

Kur kishin kaluar 17 minuta lojë në Arenën Kombëtare në kryeqytetin rumun, gjyqtari francez Willy Delajod e ndërpreu lojën pasi në pjesën mbrapa portës së Kosovës u pa një pankartë raciste dhe nisën thirrjet nacionaliste të tifozëve rumunë.

Futbollistët e Kosovës nuk pranuan ta vazhdonin lojën nën kushte të tilla, duke e njoftuar gjyqtarin e ndeshjes për atë që kishin parë.

Gjyqtari, më pas, udhëzoi futbollistët e të dyja kombëtareve që të kthehen në dhomat e zhveshjes.

Ndeshja rifilloi pas plot 50 minuta pushim, pasi delegati i UEFA-s ia tërhoqi vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese.

UEFA kishte njoftuar në uebsajtin e vet zyrtar se "për shkak të sjelljeve diskriminuese ndeshja u ndërpre deri në njoftimin e radhës".

SHIKONI EDHE: FFK thotë se do të dorëzojë padi për incidentin në Bukuresht

Kosova, e cila luajti me 10 futbollistë shumicën e kohës pas përjashtimit të sulmuesit Vedat Muriqi pas dy kartonëve të verdhë në pjesën e parë, u mposht 2:0, duke humbur shpresat për pjesëmarrje në një turne të madh futbolli për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar, i cili u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, reagoi pas incidentit duke shënuar në rrjetin social Facebook: "Teksa djemtë tanë e vazhdojnë lojën me zemër e profesionalizëm, dinjiteti i shtetit të Kosovës është mbi çdo provokim. Shkëlqeni sonte!"

Federata e Futbollit e Rumanisë (FFR) e dënoi revizionizëm dhe mesazhet e natyrës politike të shfaqura gjatë ndeshjes.

SHIKONI EDHE: Çfarë dihet për grupin e tifozëve që qëndron prapa incidentit në Bukuresht?

“Federata e Futbollit e Rumanisë distancon veten fuqishëm nga sjelljet e papërgjegjshme të një grupi të përkrahësve nga tribuna jugore, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës mbrëmë në Arenën Kombëtare. Së pari, ne e përsërisim parimin në bazë të të cilit qeveriset futbolli në Rumani, akti për mosndërhyrjen e politikave në sport”, tha federata rumune në një reagim pas ndeshjes.

Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.