Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht u ndërpre për rreth një orë të martën, pasi tifozët vendas bënë thirrje dhe e shpalosën një baner "Kosova është Serbi".
UEFA kishte njoftuar në uebsajtin e vet zyrtar se "për shkak të sjelljeve diskriminuese ndeshja u ndërpre deri në njoftimin e radhës".
Kur kishin kaluar 17 minuta lojë në Arenën Kombëtare në kryeqytetin rumun, gjyqtari francez Willy Delajod e ndërpreu lojën pasi në pjesën mbrapa njërës portë u pa baneri dhe filluan thirrjet nacionaliste të tifozëve rumunë.
Futbollistët e Kosovës nuk pranuan ta vazhdonin lojën nën kushte të tilla.
Gjyqtari, më pas, udhëzoi futbollistët e të dyja kombëtareve që të kthehen në dhomat e zhveshjes.
Ndeshja rifilloi pas plot 50 minuta pushim, pasi delegati i UEFA-s ia tërhoqi vërejtjen organizatorit të mos lejonte përsëritjen e thirrjeve diskriminuese.
Kosova, e cila luajti me 10 futbollistë shumicën e kohës pas përjashtimit të sulmuesit Vedat Muriqi pas dy kartonëve të verdhë në pjesën e parë, u mposht 2:0, duke humbur shpresat për pjesëmarrje në një turne të madh futbolli për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar, i cili u pranua në UEFA dhe FIFA më 2016.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, reagoi pas incidentit duke shënuar në rrjetin social Facebook:"Teksa djemtë tanë e vazhdojnë lojën me zemër e profesionalizëm, dinjiteti i shtetit të Kosovës është mbi çdo provokim. Shkëlqeni sonte!"
Federata e Futbollit e Rumanisë (FFR) e dënoi revizionizëm dhe mesazhet e natyrës politike të shfaqura gjatë ndeshjes.
“Federata e Futbollit e Rumanisë distancon veten fuqishëm nga sjelljet e papërgjegjshme të një grupi të përkrahësve nga tribuna jugore, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës mbrëmë në Arenën Kombëtare. Së pari, ne e përsërisim parimin në bazë të të cilit qeveriset futbolli në Rumani, akti për mosndërhyrjen e politikave në sport”, tha federata rumune në një reagim pas ndeshjes.
Rumania është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kosova ishte në kërkim të fitores së parë në këto kualifikime për turneun e verës së ardhshme në Gjermani, pasi pati një fillim dëshpërues në këtë fushatë kualifikuese, duke e humbur një dhe duke barazuar në katër ndeshjet e para.
Si pasojë, verdhekaltërit janë në vendin e parafundit në Grupin I kualifikues, me vetëm katër pikë, tetë pikë larg vendit të dytë dhe të fundit që dërgon në Euro 2024, të cilin e mban Rumania. Zvicra është lidere e grupit.
Ministria e Sportit e Rumanisë tha për Radion Evropa e Lirë në nëntor se Federata rumune kërkoi sqarime nga qeveria për kushtet në të cilat mund të zhvillohet ndeshja kundër Kosovës.
Ata kanë thënë se ishte propozuar themelimi i një grupi punues të përbërë nga Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Federata e Futbollit e Rumanisë pasi që thanë se ndeshja kundër Kosovës e sjell “një situatë që e pretendon një kontekst specifik ndërkombëtar”.
Në të kaluarën, Kosova ka luajtur edhe me Kombëtare të tjera, vendet e të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Greqia dhe Qipro nuk e kishin cilësuar problematike, ndërsa një ndeshje kundër Ukrainës ishte zhvendosur në Poloni.
Vitin e kaluar, Federata e Futbollit e Spanjës gjithashtu kishte pretenduar se nuk do ta lejojë ekipin e Kosovës të luajë me flamurin e vendit, por në fund ndeshja ishte zhvilluar normalisht.
UEFA, organi qeverisës i futbollit në Evropë, në një përgjigje për REL-in, kishte theksuar se nëse Rumania refuzon të luajë, do të ndiqen rregullat e përcaktuara në rregulloret në fuqi. Sipas këtyre rregullave, cilado skuadër që refuzon të luajë humb ndeshjen me rezultat 3:0, por rrezikon edhe të humbasë vendin në "EURO 2024".