Turqia i ka kritikuar paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara (OKB) për bllokimin e ndërtimit të një rruge kontroverse në zonën mbrojtëse e cila e ndan Qipron, duke e quajtur “të papranueshme dhe tejet të gabuar” qasjen e tyre.
Një përplasje ndodhi të premten mes forcave turko-qipriote dhe paqeruajtësve të OKB-së në Pyla, një fshat i përzier etnikisht në zonën që patrullohet nga OKB-ja mes Republikës së njohur ndërkombëtarisht të Qipros në jug dhe shtetit të shkëputur turko-qipriot në veri.
Misioni i OKB-së në ishullin lindor të Mesdheut tha se paqeruajtësit e tij u sulmuan derisa po tentonin ta bllokonin “punën e paautorizuar ndërtimore” afër Pylas, fshatin e vetëm ku greko-qipriotët dhe turko-qipriotët jetojnë krah për krah.
SHIKONI EDHE: Turqia dënon vendimin e SHBA-së për embargon e armëve në QiproOmer Celik, zëdhënësi i partisë në pushtet në Turqi, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e mbrojti ndërtimin e rrugës dhe e kritikoi qasjen e paqeruajtësve të OKB-së duke e quajtur si “të papranueshme”.
“Qasja e forcës paqeruajtëse të OKB-së që shërben në Qipro... ishte e papranueshme dhe tejet e gabuar”, shkroi Celik në X, i njohur dikur si Twitter.
Ai tha se ajo qasje “që kishte për qëllim t’i kënaqte greko-qipriotët, ia ka dëmtuar reputacionin” misionit të OKB-së në Qipro.
SHIKONI EDHE: Qipro akuzon Turqinë për rritjen e numrit të azilkërkuesveAutoritetet në Republikën e vetëshpallur të Turqisë në Qipron Veriore (TRNC), e cila njihet vetëm nga Turqia, i hodhën poshtë pretendimet e misionit të OKB-së, duke i quajtur “të pabaza”.
Celik tha të shtunën se Turqi e “përkrah plotësisht” TRNC-në, dhe i bëri thirrje misionit të OKB-së t’i trajtojë barabartë turko-qipriotët.
Qipro është e ndarë që nga viti 1974 kur forcat turke e uzurpuan pjesën e saj veriore si përgjigje ndaj puçit ushtarak të porositur nga junta që asokohe ishte në pushtet në Greqi.